Kosova

21 vjet nga Çlirimi i Kosovës

Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga SHBA-ja kundër caqeve ushtarake serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR.

Ky mision paqeruajtës i dha fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbe, përcjell Klan Kosova.

E vlerësuar nga ata që e përjetuan si Ditë e çlirimit dhe si një ndër ditët më të mëdha të historisë së Kosovës, 12 qershori, ndonëse jo e njohur edhe si festë zyrtare, është një ditë kur nga ushtarakë dhe diplomatë botërorë do të mbahet mend si një ditë gati konfrontimi midis Perëndimit dhe Rusisë, një ditë siç thuhej, ‘që do të mund të niste Luftën e Tretë Botërore’.

Ushtarët e parë të NATO-s që hynë në Kosovë më 12 qershor ishin forcat speciale të Norvegjisë dhe ato të Shërbimit Special Ajror Britanik, duke u gjetur ballë për ballë me trupat e Rusisë, të cilët një ditë më parë ‘befasisht’ kishin marrë Aeroportin e Prishtinës me qëllimin e ndarjes së Kosovës.

Rusia synonte prurjen e mijëra përforcimeve nga ajri, mirëpo pas intervenimit nga Washingtoni, Bullgaria, Hungaria dhe Rumania refuzuan kërkesën e Moskës për shfrytëzimin e hapësirës së tyre ajrore.

Pas bllokadës amerikano-britanike të pistës së aeroportit, Ministria e Jashtme ruse e quajti ndërhyrjen e ushtarëve të saj ‘një gabim.’ Dhe çdo gjë tjetër tashmë është histori.

Hyrja e NATO-s ktheu në Kosovë mbi një milion shqiptarë.

Hyrja e ushtarëve të NATO-s hapi rrugën e kthimit në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre mbi një milionë shqiptarëve të Kosovës të degdisur refugjatë në dhjetëra vende dhe tre-katër kontinente të botës.

Deri tash kanë shërbyer në Kosovë afër 500 mijë pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të shumë vendeve, kryesisht atyre perëndimore, duke qenë larg familjeve dhe më të dashurve të tyre dhe duke sakrifikuar edhe nga një pjesë të jetës për lirinë, sigurinë dhe paqen në Kosovë.

Po ashtu, sot u mbajt edhe një seanc[ parlametare për nderë të çlirimit të Kosovës. Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se Dita e Çlirimit është një prej ditëve më të veçanta në vend.

“Secili prej nesh në këtë ditë e kemi parasysh entuziazmin dhe emocionet që kanë përjetuar qytetarët derisa forcat e NATO-s futeshin në Kosovë”, është shprehur Hoti.

“Ajo ditë është memoria jonë kombëtare që duhet ta mbajmë afër dhe të jemi falënderues për mbështetjen që kemi pasë nga partnerët ndërkombëtarë për lirinë që e gëzojmë sot”, tha ai.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, në fjalimin e mbajtur, ju drejtua NATO-së se ju na shpëtuat ne dhe shpëtuat civilizimin tone.

Në një fjalë rasti, kryeparlamentarja Osmani, duke rekapituluar historinë e kësaj dite ka thënë se në Kosovë s’kishte përballje mes dy shtetesh, por kishte konfrontim mes dy botërash, njofton Klan Kosova.

 

”Vlerat tona të lirisë dhe tolerancës po përballeshin me barbarizmin”.

”Këtu vetë ekzistenca e civilizimit tonë po mbahej në teh”, ka thënë zonja Osmani.

Sipas saj, Kosova do të jetë gjithmonë falënderuese ndaj aleatëve që i erdhën në ndihmë në luftë.

”Vetëm kur i shihni gjërat në dritë të atyre vuajtjeve dhe të asaj situate të pashpresë, mund të filloni ta kuptoni se sa shumë jemi falënderues ndaj jush për ndihmën tuaj”.

”Ajo çfarë ndodhi në Kosovë ishte një betejë për shpirtin e civilizimit tonë”.

”Duke na ardhur në ndihmë – duke shpëtuar njerëz të pafajshëm të cilët gjendeshin në kthetrat e një regjimi barbar – ju na shpëtuat ne dhe shpëtuat civilizimin tonë”, ka thënë kryetarja e Kuvendit.