Maqedonia

40 kompani nga Maqedonia dhe 15 nga Italia marrin pjesë në biznes-forumin Itali-Maqedoni

Rreth 40 kompani nga Maqedonia dhe 15 nga Italia po marrin pjesë në biznes-forumin Itali-Maqedoni, “Projektet investuese dhe mundësitë në sektorët e transportit, energjetikës dhe mjedisit jetësor në Maqedoni”, që po mbahet në Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).

Forumi mbahet në kuadër të një nismeje të ambasadës italiane, në bashkëpunim me agjencinë italiane për përkrahje të ndërkombëtarizimit të kompanive italiane në tregjet e jashtme (ICE) bashkë me kompanitë italiane për ndërtimtari, mjedis jetësor dhe elektroteknikë.

Siç thanë në një prononcim për mediat para fillimit të forumit Aleksandra Kapobjanko nga Zyra e ICE-s në Shkup,  qëllimi është të rritet prania italiane në projektet strategjike në Ballkan, në sferat e ndërtimtarisë, mjedisit jetësor dhe elektroteknikës.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, i pranisëm në këtë formum, tha se Shkupi po hyn në një fazë serioze të ndërtimit të objekteve infrastrukturore, për çka përshëndeti praninë e kompanive italiane që merren me ndërtimin e viadukteve dhe tuneleve, pasi siç tha, këtu do të vendos theksin gjatë mandatit të tij.

“Gjatë muajit korrik do të përfundojmë me projektin për disa zgjidhje në trafik për çka do të shpallet një tender ndërkombëtar për projektimin e viaduktit mbi lumin Vardar dhe tunelet në Kalanë e Shkupit të cilat do t’i japin qytetit një përmbajtje të re infrastrukturore, njëkohësisht paraqesin mundësi për zhvillim”, tha Shilegov, i cili ftoi të pranishmit që nesër të marrin pjesë në promovimin e sistemit kolektor në lumin Vardar.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, nga ana e tij tha se ky forum paraqet një rast të jashtëzakonshëm për hapjen e perspektivave në sferat e infrastrukturës dhe energjetikës përmes ruajtjes së ambientit jetësor, pasi siç tha, Maqedonia është udhëkryqi më i rëndësishëm në Ballkan, për ndërlidhje infrastrukturore dhe energjetike. Kjo tha Zaev, na bën që të aktivizojmë tërë potencialin, në mënyrë që vendi të ndërlidhet me rajonin përmes infrastrukturës energjetike, asaj rrugore dhe përmes hekurudhës.

Ai u bëri thirrje kompanive italiane të marrin pjesë në tenderët që do të shpallen.

“Jemi të përkushtuar për ndërtimin e procesit të gasifikimit përmes ndërtimit të rrjetit të gazsjellësit, por edhe lidhjen e vendit me tubacionin  e TAP-it. Me TAP-in do të kemi zgjedhje për edhe një furnizues të dytë. Qëllimi është që energensi i lirë të jenë në disponim të secilës amvisëri dhe ndërmarrjeje në Maqedoni”, tha Zaev i cili informoi kompanitë italiane edhe mbi projektet për ndërtimin e rrugëve.

“Do të kemi ofensivë ndërtimore të infrastrukrurës rrugore 800 kilometërshe për çka kemi siguaruar 270 milionë euro”, tha Zaev.

Gjatë forumit, pritet të konfirmohet mbështetja e Italisë për pjesëmarrjen e kompanive italiane në zbatimin e projekteve të zhvillimit në sektorët me rëndësi strategjike për lidhje infrastrukturore evropiane, me qëllim që të kontribuohet në integrimin më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor.