Lajme

400 mijë punëtorë të huaj kërkon Gjermania për vitin 2022

Mësohet se Qeveria e re e koalicionit të Gjermanisë dëshiron të tërheqë 400 mijë punëtorë të kualifikuar nga jashtë Gjermanisë çdo vit, si masë preventive ndaj çekuilibrit demografik si dhe mungesës së fuqisë punëtore në sektorë kyçë që rrezikojnë ta minojnë rimëkëmbjen nga pandemia e koronavirusit, përcjell albinfo.ch.

“Mungesa e punëtorëve të kualifikuar është bërë aq serioze deri tani sa po ngadalëson në mënyrë dramatike ekonominë tonë”, tha Christian Duerr, udhëheqësi parlamentar i Demokratëve të Lirë (FDP) në bashkëqeverisje, për revistën e biznesit WirtschaftsWoche.

“Ne mund ta marrim nën kontroll problemin e një fuqie punëtore të plakur vetëm me një politikë moderne emigracioni… Ne duhet të arrijmë pikën e 400 mijë punëtorëve të kualifikuar nga jashtë sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi Duerr.

Ndërkohë, Socialdemokratët e kancelarit Olaf Scholz, FDP libertariane e Duerr-it dhe të ambientalistët e të Gjelbërve u dakorduan në marrëveshjen e tyre të koalicionit mbi këto masa si një sistem pikësh për specialistët nga vendet jashtë Bashkimit Evropian dhe ngritjen e pagës minimale kombëtare në 12 euro (13,60 dollarë) në orë për të bërë të punuarit në Gjermani sa më tërheqëse, raporton Daily Star.

Instituti Ekonomik Gjerman për punëdhënësit vlerëson se fuqia punëtore do të tkurret me më shumë se 300 mijë njerëz këtë vit, pasi ka më shumë punëtorë të moshuar që dalin në pension sesa të rinj që hyjnë në tregun e punës.

Ky hendek pritet të zgjerohet në më shumë se 650 mijë në vitin 2029, duke lënë një mungesë të akumuluar të njerëzve në moshë pune në vitin 2030 prej rreth 5 milionë. Numri i gjermanëve të punësuar u rrit në afro 45 milionë vitin e kaluar, pavarësisht nga pandemia e koronavirusit.

Pas dekadave të niveleve të ulëta të natalitetit dhe migrimit të pabarabartë, një forcë punëtore në tkurrje paraqet gjithashtu një bombë të kurdisur demografike për sistemin publik të pensioneve të Gjermanisë, në të cilin më pak punonjës janë të ngarkuar me detyrën e financimit të pensioneve të një mase në rritje pensionistësh që po gëzojnë jetëgjatësi më të gjatë.