Ekspozita

Fotografia e Hazir Rekës, ballafaqim me historinë më të re të Kosovës

“Para dhe pas luftës” (Before and After the War”) mban titullin ekspozita e fotografive të Hazir Rekës, e cila u hap javën e kaluar në Bludenz të Austrisë

Hazir Rekën e njohim si njërin ndër kronistët më besnikë, në mos edhe më të rregulltin në përgjithësi, të vlimeve shoqërore nëpër të cilat ka kaluar Kosova në 30 e më shumë vitet e fundit.

Të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur në Kosovë dhe rreth Kosovës, gjatë kësaj kohe janë shënuar nga fokusi i mprehtë i kamerës së tij dhe kanë folur secila sa “njëmijë fjalë”, siç thuhet rëndom për “gjuhën “ e fotografisë.

Me një karrierë të filluar në vitin e largët 1984, në gazetën e atëhershme studentore “Bota e re”, Hazir Reka është mishëruar thellësisht përgjatë gjithë kësaj kohe me aktualitetin në Kosovë. E ky aktualitet nuk ka qenë asnjëherë monoton, por i përshkuar nga konflikte, luftëra dhe tensionime të shumë llojeve, shkruan albinfo.ch. Prandaj fotot e Hazir Rekës i kemi si dëshmi kohe, si për periudhën para, ashtu dhe për atë, pas luftës.

“Para dhe pas luftës” (Before and After the War”) mban titullin edhe ekspozita e fotografive të Rekës, e cila u hap javën e kaluar në Bludenz të Austrisë. Galeria “AllerArt” e këtij qyteti i ka rezervuar një periudhë njëmujore ekspozitës me fotografitë mbresëlënëse të Hazir Rekës.

Vetë hapja e ekspozitës pati një “ceremoni” interesante. Para se organizatorët të merrnin fjalën e përshëndetjes, nga altoparlanti u lëshua një pjesë nga opera “Siegfried” e kompozitorit Richard Wagner. Si një hyrje besnike në përmbajtjen e vetë ekspozitës, tingujt që u dëgjuan, sugjeronin tmerret dhe vuajtjet që shkaktojnë luftërat.

Siç u shpreh në mbrëmjen e hapjes, kuratori ekspozitës, Manfred Egender, njohja me punën e Hazir Rekës daton nga viti 2008, kur ishte organizuar një ekspozitë me një numër artistësh nga Kosova, në një qytet tjetër austriak, në Bregenz, shkruan albinfo.ch. Fjala është për ekspozitën “Democracy”, kurator i së cilës ishte artisti shqiptar Rafet Jonuzi, banor i Bregenzit.

Koincidenca me agresionin rus në Ukrainë

Nga ajo kohë, Egender thotë se “ka mbajtur në radar” fotografin Hazir Reka dhe së fundi, rreth një vit e gjysmë më parë, ishin marrë vesh për ekspozitën. Ajo pastaj është shtyrë për shkak të pandemisë dhe, rrethanat e sollën që të hapej në këtë fillim marsi, duke u lidhur “aksidentalisht” me ditët e agresionit rus mbi Ukrainën.

Ndërsa Wolfgang Maurer, drejtues i galerisë “allerArt”, me këtë rast  tha se “kjo ekspozitë kështu ka fituar një aktualitet, të cilin nuk do ta dëshironim”. Kjo, për faktin se “synimi parësor i ekspozitës ishte nxitja e diskursit për shërimin e plagëve të luftës…”.

 

“Fokusi i ekspozitës është në fotoportretet e popullatës së vuajtur të Kosovës”, thotë më tutje kuratori. Sipas tij, fotografitë e shkrepura nga fotografi i jashtëzakonshëm pasqyrojnë raportime delikate të vuajtjeve të një popullsie, por, pa u dukur (fotot) si voajeriste. “Imazhet nuk janë të inskenuara, por komente të forta fotografike për një botë agresive që ka dalë nga shinat e normalitetit”.

 

.

Reka, me fotografitë e tij fokusohet pikërisht në atë moment në të cilin dëshmia historike përshkohet nga një ndjenjë humaniteti që i kapërcen të gjithë kufijtë dhe kombësitë, thekson kuratori Egender.

Lufta e Kosovës ka zgjatur pikërisht nga 28 shkurti 1998 deri më 10 qershor 1999. Kjo luftë përfaqëson, si të thuash, murin ndarës mes “para dhe pas” të gjenezës së fotografive të Rekës, të cilat mund të shihen në ekspozitën në Bludenz.

Ballafaqimi, 20 vjet më vonë

Vetë Hazir Reka, duke folur para publikut në vernisazh ka shpjeguar konceptin e ekspozitës së tij. Të gjitha fotografitë e paraqitura janë në funksion të retrospektivës “Para dhe pas” luftës në Kosovë. Subjektet e tij, fëmijë, gra, burra, luftëtarë të UÇK-së etj., të fotografuar në vitet e luftës, 98-99, (ndonjëra edhe më herët) janë rifotografuar rreth 20 vite më vonë, në vendin e njëjtë. Ideja e kësaj është ballafaqimi me pasojat e luftës dhe përpunimi i këtyre pasojave, pas një periudhe relativisht të gjatë.

Shumë nga fotografitë e Rekës, të ekspozuara këtu, janë tashmë të njohura për publikun e gjerë në Kosovë. Disa prej tyre, si ajo me protestuesin e ulur në sheshin e Prishtinës, përballë agresivitetit të policëve serbë, gëzojnë prej kohësh një status kulti. Ato janë bërë emblema të fotografisë kosovare, por edhe të rezistencës kundër pushtimit. Po ashtu fotografia nga vajtimi i nënës për vrasjen e djalit të saj gjatë luftës, bën pjesë në mesin e këtyre simboleve me të cilat identifikohet Kosova e para më shumë se 23 vjetëve.

Hazir Reza ka filluar karrierën e tij profesionale në fotografi në vitin 1984, kur ka nisur punën në gazetën e studentëve “Bota e Re”, në Prishtinë. Fotografitë e tij janë publikuar aso kohe edhe në revista të tjera kryesore të ish Jugosllavisë, si: “Mladina”, “Delo”, “Star” etj. Por, ato janë publikuar gjithashtu edhe në revista dhe gazeta prestigjioze perëndimore, si “New York Times”, “Washington Post”, “Wall Street Journal”, “Time Magazine”…

Nga viti 1998 ai ka punuar për agjencinë e lajmeve Reuters, përmes së cilës fotot e tij janë shpërndarë në gjithë botën, shkruan albinfo.ch. Gjithashtu, edhe në vendet gjermanishtfolëse, ku gazetat si “Neue Zürcher Zeitung”, “Die Presse”, “Der Spiegel” dhe “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ishin ndër klientët e agjencisë Reuters.

Fotografitë e tij janë paraqitur deri më tani në kspozita të ndryshme personale në Kosovë, në Zvicër, Francë, Spanjë, Arabi Saudite etj.

Reka përveç që ka pasqyruar të gjithë konfliktin e Kosovës, me fotografitë e tij ka dokumentuar edhe luftën në Irak.

 

Ekspozita 

Hazir Reka: Before and after the war
Galerie allerArt, Am Raiffeisenplatz 1, A-6700 Bludenz
11.3.- 16.4.2022

E mërkurë – E diel,  15-18


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI