Integrimi

6 fëmijë të refugjatëve kosovarë lejohen të vijojnë shkollimin e rregullt

Kur ata, me vendimin “në xhep” kishin shkuar në shkollën e cila më parë i kishte refuzuar, 6 nxënëve në fjalë sërish u është mohuar prania në shkollë. Por ndërkohë ministria dhe shkolla janë bindur dhe fëmijët nga e hüena mund të shkojnë në shkollë

Një lajm i publikuar ditë më parë në gazetën prestigjioze gjermane “Süddeutsche Zeitung” kishte bërë jehonë në opinionin gjerman. 6 fëmijëve të refugjatëve nga Kosova, të strehuar në qendrën e azilit në Manching, Gjykata Administrative e Munihut u kishte dhënë të drejtën për të ndjekur, deri në përfundim të vitit shkollor, mësimin e rregullt në gjuhën gjermane. Kjo e drejtë u jepej duke u mbështetur në të drejtën bazike që ata kanë për të ndjekur mësimin në shkollë të rregullt.

Por, kur ata, me vendimin “në xhep” kishin shkuar në shkollën e cila më parë i kishte refuzuar, 6 nxënëve në fjalë sërish u është mohuar prania në shkollë, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, ndërkohë, në Ministrinë që mbulon arsimin në nivel të Landit të Bavarisë kanë deklaruar se fëmijët mund të ndjekin mësimin duke filluar nga e hëna që vjen.

Rasti ka të bëjë me fëmijë të refugjatëve kosovarë të ardhur në Gjermani në vitin 2013 përkatësisht 2014. Prindërit e tyre kishin kundërshtuar që fëmijët e tyre të ndiqnin mësimin që në masë shumë të reduktuar u ofrohej atyre në “Heim” ku banonin, pasi që aty shkonin nxënësit me nivel të ulët të njohjes së gjermanishtes, transmeton albinfo.ch. Ndërsa fëmijët e tyre, duke qenë se jetonin prej 3 përkatësisht 4 e më shumë vitesh në Gjermani, kishin ndjekur tashmë edhe shkollimin e rregullt në gjuhën gjermane, në qytetet ku kanë jetuar më parë.

Kështu, shkalla e njohjes së gjermanishtes e tyre është e mjaftueshme.

Ndërsa faktin se ditë më parë këtyre fëmijëve u ishte ndaluar hyrja në shkollë, edhe pse e kishin fituar këtë të drejtë me vendim gjyqësor , sipas ministrisë kishte të bënte me afatin për ankesë kundër atij vendimi, afat që rridhte për minustrinë. Mirëpo ndërkohë ministria së bashku me qeverinë e Bavarisë së Epërme ka vendosur të mos ushtrojë ankesë.