Opinione
Muret i rrëzon koha
Sot unë jam me presidentin meksikan, Enrique Peña Nieto: “ Meksika nuk beson në mure! Ne nuk do të paguajmë për murin!”

Ishte viti 1990 kur Aksioni për Pajtimin e Gjaqeve në Kosovë ishte në vlug. Bashkë me disa veprimtarë të tjerë ishim në përpjekje të pajtimit të dy familjeve të hasmëruara. Familjet jo vetëm se ishin nga i njëjti vendbanim, por parcelat e tyre të banimit i ndante vetëm një gardh. Pikërisht ky fakt dhe pikërisht gardhi e bënte edhe më të vështirë pajtimin. Familja e dëmtuar, që për fat nuk kishte jetë të humbura nga ky konflikt, parashtronte ndërtimin e murit me një lartësi dhe trashësi të konsiderueshme si kusht të pajtimit. Muri dhe vetëm muri u bë kusht i pakapërcyeshëm i pajtimit. Muri do të ishte relativisht i gjatë, i lartë mbi dy metra dhe me betonarme. Kjo kapërcente mundësitë financiare të familjes dëmtuese, sepse e sillte atë buzë ekzistencës. Familja dëmtuese shprehte gatishmëri për ndërtimin e një muri të shkurtë, që kufizonte pamjen e drejtpërdrejtë të dy familjeve fqinje të hasmëruara, por jo murin e gjatë, të lartë e me betonarme…
Duke parë se ndërmjetësimi po dështonte tek muri, pyeta të dëmtuarin, që kishte qëlluar të jetë një ish-arsimtar imi, se “atë mur a do të mund ta rrëzonte ndonjë tërmet i fuqishëm, sado i forcuar me betonarme të jetë”? Dhe, natyrisht, se përgjigja e tij ishte “po”. “Po murin e quajtur besë kombëtare, a mund ta rrëzojë ndonjë tërmet, a mund ta rrëzojë koha?”, – ishte pyetja ime tjetër. Këtë herë përgjigja e tij nuk ishte po, por “… shumë herë më ke sfiduar si nxënës (ishte mësimdhënës im i matematikës, lëndën që e doja më së shumti, e me këtë dhe i sfidoja ndonjëherë edhe mësimdhënësit e mi)… Më ke zënë ngushtë”, – thoshte mësuesi im tashmë i ndjerë. Ish-mësuesin tim e pashë të luhatej, siç luhaten degët e një lisi nga dallgët e një ere të fortë. Më erdhi keq për pozitën që e solla, por do të më vinte mirë po të binte këtë herë, sepse rënia do të ishte ringritja e tij. Kur dukej se s’do t’i bënte dot ballë tundimit të sfidës, doli zëri i njërit prej atëherë më të rinjve të familjes së tij të gjerë, një pak a shumë bashkëmoshatar imi, cili tha “ Edhe të gjithë po ta falin, unë nuk e fal…Bile edhe po të ishte profesor Sami Peja këtu” (ai studionte atëherë në Fakultetin Ekonomik, ku jepte mësim Sami Peja, një ndër pjesëmarrësit e Aksionit të Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë). Po të ishte vetëm “… edhe nëse të gjithë e falin, unë nuk e fal…” do ta kuptoja më shumë, por theksimi i (mos)prezencës së elitës më bëri të kisha më pak mirëkuptim për qëndrimin e tij. I thashë se përballë bashkëvendësve dhe bashkëmoshatarëve tu duhet të kesh respektin dhe obligimin që ke ndaj mësimdhënësve… Ishte përfundimisht e qartë se xhelozia, kjo dobësi karakteri e shumëkujt, e bënte bashkëmoshatarin tonë “burrë të fortë kanuni”.
Sot muri nuk ekziston, njerëzit që kishin shkaktuar konfliktin ose janë shuar, ose janë në prag të shuarjes. Jeta ka pasur rrjedhën e vet, pa mur, por me barrën e ngarkesës së hasmërisë e të mospajtimit…
Kur presidenti i porsazgjedhur amerikan urdhëroi ndërtimin e murit me Meksikën, pikërisht ky rast mu kujtua. Dhe pyetja që do t’i parashtroja presidentit Trump do të ishte po ajo që ia pata parashtruar mësuesit tim atë kohë. Është e qartë se “Besëlidhja kombëtare” do të binte në këtë kontekst e vendin e saj do ta zinte “logjika e globalizmit”.
Derisa mësuesi im përpëlitej në sfidën e tij, Trump do ta quante këtë “ fake pyetje”, sepse ja që muri, sipas botëkuptimit të tij, do ta ruajë atë që për të është “prioritet” – Amerikën.
Kina e sotshme duket të jetë sfida kryesore e Trump-it, kurse Kina antike – ajo e ndërtimit të murit mbrojtës me Mongolinë – modeli kryesor i tij . Të jetuarit në shekullin XXI dhe të menduarit si në kohën e gurit duket të jenë dy polet e papajtueshme të presidentit të ri amerikan. Edhe nëse ai do të luhatej ndonjëherë, do të dilte dikush nga grupi i burrave të fortë të kanunit Trump që do t’i thoshte “ Jo at, mos u ligështo! Mos u zmbraps, Amerika është e para!”.
Muri edhe do të ndërtohet, kufijtë e Amerikës edhe do të forcohen, do të ngrihen edhe taksat doganore, por era Trump do të përfundojë një ditë, ashtu siç përfunduan edhe erërat e tjera historike, sado kundërmuese të kenë qenë ato, por nevoja imediate e popujve për të dhënë dhe marrë, për të parë dhe për t’u parë nuk do të ndalet asnjëherë.
Sot unë jam me presidentin meksikan, Enrique Peña Nieto: “ Meksika nuk beson në mure! Ne nuk do të paguajmë për murin!”.
- Ky është një opinion i autorit dhe nuk e shpreh domosdoshmërisht qëndrimin e redaksisë
E-Diaspora
-
Udhëtarë nga Gostivari bllokohen 15 orë në Austri pas defektit të autobusit, kompania nuk reagon Një grup udhëtarësh që po ktheheshin nga Gostivari drejt Gjermanisë kanë mbetur të bllokuar për rreth...
-
Piloti kosovar në qiellin ndërkombëtar, Lirik Qerimi licensohet për Boeing 737
-
Afro dy ore pritje në dalje të pikës Merdarë dhe Dheu i Bardhë
-
Dënim i përjetshëm kosovarit, për vrasjen e “dyshes” së një gruaje
-
Esat Bytyqi në mesin e arkitektëve më të mirë në Austri
Jeta në Zvicër
-
Bllokim 12-kilometërsh në Gotthard Trafiku drejt veriut nga jugu i Zvicrës u përball me bllokime të gjata të dielën pasdite,...
-
Nivel “i papërfytyrueshëm” i mikroplastikave në ujin Contrex dhe Hépar, sipas Mediapart
-
A mund t’i vësh fëmijës tënd në Zvicër çdo emër që dëshiron?
-
Nxehtësia rrezikon të bëjë shumë shtëpi në Zvicër të pabanuara
-
Qeveria federale shqyrton blerjen e një pistolete që supozohet të qëllojë pa dashje