Lajme

Zvicër: SVP kërkon që komunat të kenë të drejtën e vetos për hapjen e qendrave të azilit

SVP propozon që komunat të vendosin vetë nëse duan të strehojnë qendra për azilkërkuesit.

Partia Popullore Zvicerane (SVP), e njohur për qëndrimet e saj të ashpra ndaj migracionit, ka dorëzuar në Parlament dy mocione me të cilat kërkon që komunave t’u jepet e drejta e vetos për hapjen e qendrave të azilit në territorin e tyre, transmeton albinfo.ch.

Njëri nga iniciuesit e mocioneve, deputeti Michaël Buffat, argumentoi se komunat që strehojnë qendra të tilla përballen me pasoja dhe sfida të ndryshme, prandaj duhet të kenë të drejtën të vendosin nëse dëshirojnë ose jo që këto objekte të ndërtohen në zonën e tyre.

Sipas Buffat, nëse një projekt planifikohet mirë dhe u shpjegohet qartë banorëve vendas, ka më shumë gjasa që ai të pranohet nga komuniteti.

“Ai theksoi se disa komuna janë më të hapura ndaj pranimit të azilkërkuesve sesa të tjerat, ndaj, sipas tij, është më e përshtatshme që qendrat e azilit të ndërtohen pikërisht në ato komuna ku ekziston gatishmëri më e madhe për t’i pranuar.”/Albinfo.ch