Lajme
Për festat e Pashkëve, shtohet siguria në Kosovë e Shqipëri
Në Shqipëri e Kosovë, Policia ka përforcuar shërbimin me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë me rastin e Festës së Pashkës. Rritja e sigurisë vjen pas dyshimeve për “akte terroriste”
Autoritet e rendit në Shqipëri e Kosovë kanë shtuar masat e sigurisë, nga frika e mundshme e sulmeve terroriste në prag të festë së Pashkëve. Këtij shqetësimi i janë shtuar edhe selitë diplomatike amerikane në Tiranë e Prishtinë, të cilat kanë kërkuar nga shtetasit amerikanë në këtë vende, që t’i rrallojnë lëvizjet nëpër qytete.
Në Shqipëri, Policia e Shtetit ka njoftuar se ka përforcuar shërbimin me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë me rastin e Festës së Pashkës. Po ashtu, njoftohet edhe për një plan të veçantë të marrjes së masave në kuadër të rritjes së prezencës së forcave policore në territor, duke parandaluar ndonjë rast kriminal.
Po ashtu Policia njofton se do të shtohet siguria në pikat kufitare si dhe në aeroport, duke shtuar edhe disa sportele në pikat hyrëse.
Ndërkaq në Kosovë, njësitet policore janë detyruar ta ndërpresin pushimin dhe të dalin në punë. Përveç kësaj, derisa ata punonin nga tetë orë, nga dita e enjte do të punojnë nga 12 orë. Këtë e konfirmoi toger Bajram Krasniqi nga Zyra për informim e Policisë së Kosovës, por ai tha se kjo masë nuk është asgjë e pazakontë, pasi që ka ndodh edhe më herët, duke mos dhënë detaje tjera nëse ka të bëjë me ndonjë ngjarje specifike.
I njëjti mobilizim ka ndodhur edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, edhe pse Curr Gjocaj, Drejtor i Përgjithshëm i kësaj qendre, thotë se “kjo masë nuk është asgjë e pazakontë”.
“QKUK dhe çdo Institucion Shëndetësor Publik Spitalor në varësi të SHSKUK-së, kemi obligim mbulimin e Shërbimeve Emergjente dhe urgjente 24 orë pa ndërprerje. Nuk ka diçka të pazakontë pos që kemi kërkuar që Shërbimet e kujdestarive të mbulohen sa më mirë, dhe kemi ushtruar mbikëqyrje të vazhdueshme gjatë këtyre ditëve në mënyrë që shërbimi shëndetësor dhe trajtimet e pacientëve të shtruar të jenë sa më ë mira për qytetarë dhe sidomos në ditët e vikendit dhe ato festive”, ka thënë Gjocaj.
Në ndërkohë, dje gjatë ditës, është takuar Këshilli i Sigurisë, për të cilën u tha se ka qenë një mbledhje e zakonshme.
Disa orë pasi në objektin e Qeverisë së Kosovës të mblidhej Këshilli i Sigurisë, ku u tha se ishte një mbledhje e zakonshme, Ambasada Amerikanë lëshoi një lajmërim për rrezik, raporton Express.
“Terroristët në rajon më parë kanë pasur caqe objektet e ndjeshme, përfshirë kishat dhe objektet e kulteve tjera, qendrat e këmbësorëve, arenat sportive, sallat e koncerteve dhe tubimet publike. Rishikoni planet tuaja të sigurisë: rrini të vetëdijshëm për vendndodhjen tuaj, përfshirë edhe ngjarjet lokale dhe shikoni televizionet për përditësim të lajmeve”, sugjeroi ambasada amerikane.
Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, i ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë që ndodhen në Shqipëri, që të bëjnë kujdes gjatë festës së Pashkëve.
Në komunikatën e ambasadës së SHBA-së, thuhet se terroristët në rajon, kanë kërkuar edhe më herët që të sulmojnë kisha apo vende festash, ndaj qytetarët amerikanë duhet të rishikojnë planet personale të sigurisë.
“Mbani nivel të lartë vigjilence dhe ndërmerrni hapat e duhura për të rritur sigurinë tuaj, gjatë festës së Pashkëve”, thuhet në apelin e ambasadës amerikane, për qytetarët e saj.
E-Diaspora
-
Austri
Mërgata shqiptare në Austri nderon viktimat e nazizmit në Mauthausen Në 81-vjetorin e çlirimit të kampit të përqendrimit, komuniteti shqiptar dhe Ambasada e Kosovës bënë homazhe... -
Gjermani/Suedi
Rinor Ajeti, doktori shqiptar i ORL që po spikat në kongreset më të mëdha shkencore në Evropë -
Amerikë
Gonxhe Halimi nga Gjilani diplomon si studentja më e dalluar në SHBA në Shkenca Kompjuterike -
Mira Murati dëshmon në gjyqin Musk-Altman: “Sam Altman krijonte kaos në OpenAI” -
Amerikë
Melisë Sejdiu dhe Rea Hadri pranohen në Universitetin e Pittsburghut
Jeta në Zvicër
-
Ekspertët në Zvicër propozojnë masa të reja për lehtësimin e sistemit të burgjeve Autoritetet dhe ekspertët e sistemit penal në Zvicër po diskutojnë masa të reja për të ulur... -
Zvicra shkëlqen në Eurovision 2026: Veronica Fusaro sjell performancë të fuqishme me “Alice” -
Është ndarë nga jeta albanologu zviceran Prof. Dr. Basil Schader -
Zvicra synon finalen e Eurovisionit me Veronica Fusaro -
Kositja pas orës 22:00: Fermerët zviceranë përballen me burg














