Tematike

Amiri ka djegur vetë shansin për të mbetur në Zvicër

Kështu thotë eksperti i të drejtës së të huajve, njeriu që ka mbrojtur të drejtën e qëndrimit të shumë prej tyre, dr. Max Spescha

Amir B., kosovari i njohur si “ngasësi më i krisur i makinës” ka humbur shansin e fundit për të mbetur në Zvicër. Kështu thonë tashmë jo vetëm komentuesit e mllefosur në forumet e internetit dhe as vetëm eksponentët e SVP-UDC-së. Por, këtë mendim e ndan edhe eksperti i njohur i të drejtës së të huajve në Zvicër, njeriu që ka mbrojtur të drejtën e qëndrimit të shumë prej tyre këtu, dr. Marc Spescha.

Përkundër faktit se Amiri është i lindur në Zvicër dhe këtu janë lindur edhe fëmijët e tij, ai, me veprimet e tij ka vënë në lojë shansin për të vazhduar qëndrimin në vendin e lindjes. “Madje, ai do të përmbushte kushtet për dëbim edhe sikur të mos kishte fituar në referendum iniciativa për dëbimin e të huajve kriminelë”, thotë Spescha për gazetën “Tages Anzeiger”.

Të kujtojmë se ai në vitin 2004 qe bërë i njohur me paraqitjet e tij në televizion, ku krekosej për ngasjen e shpejtë të veturës. Kështu ai qe bërë një figurë për shpotitje, me të cilën një pjesë e opinionit zviceran identifikonte të rinjtë shqiptarë dhe të Ballkanit. Pasi që i ishte marrë patent shoferi, Amiri ishte kapur edhe disa herë tjera me makina të tjera duke tejkaluar shpejtësinë. Ndërsa së fundi ai është kapur dhe është duke u përgjegjur para gjyqit për pjesëmarrje nüë një plaçkitje.

“Amir B. ka prapa vetes një `karrierë deliktesh`. Ai duhej ta kishte të ditur se ky proces do të ishte shansi i tij i fundit për të bërë një kthesë. Megjithatë Amiri në gjykatë duket se nuk u tregua aspak i penduar. E në fakt ai do të ishte dashur t`i bindte gjyqtarët se ndërkohë te ai ka ndodhur një ndryshim me themel i personalitetit dhe se, së këndejmi, prognoza për të ardhmen është pozitive.

Të ofrosh dëshmi të tilla është gjithsesi e vështirë, por Amir B. gjatë procesit gjyqësor madje ka përforcuar edhe më shumë përshtypjen për të kundërtën. Prandaj, ai, sipas të gjitha gjasave do të dëbohet”, ka thënë dr. Spescha.

Gazetari ka pyetur ekspertin se si do të ndikojë në familjen e tij ky vendim, kur dihet se si Amiri vetë ashtu edhe fëmijët e tij janë të lindur në Schlieren, Zvicër. Lidhur me këtë, Spescha ka thënë se, për shkak të peshës së veprimeve të tij dhe para së gjithash për shkak të përsëritjes së delikteve, rrethanat familjare nuk do të kenë ndikim në vendimin e autoriteteve të migracionit për t`ia tërhequr Amirit lejen e qëndrimit të përhershëm dhe për ta dëbuar atë nga Zvicra.

“Kjo gjë është sigurisht tragjike për fëmijët e tij. Mirëpo familja duhet të vendosë nëse do të shkojë së bashku me Amirin në vendin e tij të prejardhjes apo që gruaja t`i rrisë fëmijët vetë, në Zvicër. Në saje të veprave të përsëritura penale që ka kryer ai, edhe qëndrimi i Gjykatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut vështirë se do t`ia shtonte atij shanset për të mbetur në Zvicër”.