Po xhironin film aksion, ndërhyn policia speciale!

Duke menduar se të rinjtë “e kanë përnjëmend”, policia ka reaguar shpejtë, duke mobilizuar edhe forcat e saj speciale

Një grup tinejxherësh nga Cyrihu, të cilët kishin vendosur të xhironin një “film aksion”, po e inskenonin një sulm të armatosur në një ndërtesë të qytetit. Disa prej tyre kishin në duar revole të rrejshme dhe ishin të maskuar, në funksion të roleve që i kishin caktuar në filmin e tyre amator.

Por, duke menduar se të rinjtë “e kanë përnjëmend”, policia ka reaguar shpejtë, duke mobilizuar edhe forcat e saj speciale.

Për “rrezikun” në ndërtesë, policinë e kishin njoftuar edhe shumë persona që ndodheshin në afërsi. Ata, madje, nga frika ishin ngujuar në vendet ku kishin qëlluar.

Katër 15 vjeçarët e kapur në vendin e ngjarjes janë arrestuar përkohësisht dhe ndaj tyre do të ngrihet procedurë penale.

Përdorimi i armëve surogate siç janë të ashtuquajturat Soft-AirGuns është i ndaluar me ligj.