Kultura
“Shqiptari” pritet me qilim të kuq në Zvicër
Veç filmit "Der Albaner" ishte edhe një “magnet” tjetër që i kishte sjellë të rinjtë në sallën e kinemasë. Ai quhej: Xherdan Shaqiri
Është dhënë mbrëmë në Wil, parapremiera për Zvicër, e filmit “Der Albaner” (Shqiptari), me regjinë e Johanes Naber. Ky film i produksionit gjerman por me përmbajtje shqiptare, ka korrur deri më tash një sukses të konsiderueshëm në festivalet gjermane dhe ndërkombëtare të filmit.
Një uverturë vërtetë glamuroze i ka paraprirë shfaqjes së filmit, në foajenë e kinemasë “Cinewil” të qytetit Wil. Organizatorët, shtëpia e distribuimit të filmit artpixfilm, e udhëhequr nga Dardan Gashi dhe stafi i kinemasë Cinewil, nën udhëheqjen e zëvendësdrejtoreshës, shqiptares Lurde Dodes, kishin marrë seriozisht detyrën për të organizuar një mbrëmje parapremiere të nivelit zviceran.
Premiera për Zvicër, e filmit “Der Albaner” është shfaqur njëkohësisht në dy salla të kinemasë, në njërën prej tyre për gazetarët dhe për publikun me ftesa, dhe të dy sallat kanë qenë përplot.
Gjithë hapësira para hyrjes në ndërtesën ku është e vendosur kinemaja ishte e mbushur me vizitorë filmdashës dhe kureshtarë tjerë, kryesisht shqiptarë po edhe miq të tyre zviceranë. Ndërsa në vetë hyrjen dhe hapësirat e ndërmjetme të thuash nuk kishte vend për “të hedhur gjilpërën”.
E vërteta, nuk ishin që të gjithë këtu vetëm për të shikuar filmin. Ishte edhe një “magnet” tjetër që i kishte sjellë aty, në veçanti të rinjtë. Paralajmërimi se në këtë kino do të vinte idhulli i të rinjve shqiptarë e zviceranë, ylli i ri i futbollit, Xherdan Shaqiri, kishte bërë po kështu punën e vet. Kështu, me të hyrë Shaqiri në ambientet e kinemasë, gjithçka u drejtua nga ai, duke ia marrë në një mënyrë shkëlqimin edhe parapremierës së filmit. Madje, me modestinë dhe butësinë e tij, “xhuxhi magjik” u bë shumë lehtë “pre” e adhuruesve të tij të shumtë, që dëshironin me çdo kusht një fotografi ose një autograf nga idhulli i tyre.
Megjithatë, organizatorët ishin kujdesur edhe për elementet tjera të spektaklit. Duke filluar nga pllakatet në hyrje dhe në korridore, nga tepihu i kuq, veshja solemne e mikpritës(e)ve e deri te të ftuarit tjerë në këtë festë të vogël të filmit. I pranishëm ishte edhe regjisori nga Gjermania, Johanes Naber, i cili ishte në dispozicion për t`iu përgjigjur gazetarëve dhe kureshtarëve tjerë.
Nga Prishtina kishte ardhur aktori i njohur Luan Jaha, i cili luan njërin ndër rolet e rëndësishme në filmin e promovuar. Konsulli i Republikës së Shqipërisë, Kastriot Noli bashkë me konsullin e nderit po ashtu të Shqipërisë, Edwin Rüegg, pastaj kryetari i shoqatës “Zvicër –Shqipëri, Rolf Altherr, këshilltari i ministrit të diasporës, Ahmet Asani etj. ishin disa nga personalitetet që morën pjesë në parapremierë.
Vetë filmi, përbënte një përjetim të veçantë artistik. Me fotografinë mjeshtërore me plane të gjera, nga Alpet Shqiptare dhe me muzikën e zgjedhur që përkonte shumë me dramaticitetin e fabulës, filmi që në kontaktin e parë pushtonte shikuesin. Po kështu loja e aktorëve, dialogët, gjuha e shkathtë ishin elemente të forta të filmit. Ndërkaq për temën, se sa është tipike ajo për Shqipërinë e sotme, njeriut që e njeh realitetin shqiptar dhe që sheh këtë film, edhe mund t`i lindin dilema. Është fjala për shikimin me një dozë ekzotike që regjisori u bën zakoneve të prapambetura në Shqipërinë e veriut. Nuk mund të jemi aq të sigurt se në Shqipërinë e sotme është kaq përfaqësuese pagesa, si kushtëzim nga familja për të marrë nusen, çfarë na paraqitet në film!
Këtë dilemë e biseduam edhe me disa nga shikuesit, zviceranë e shqiptarë të filmit. Kryetari i Shoqatës Zvicër-Shqipëri, Rolf Altherr thotë se filmi i ka pëlqyer shumë, nga çdo aspekt. I pyetur rreth disa arkaizmave që shihen në film, (si pagesa për nusen etj.) ai thotë: “druaj se një fenomen i tillë është real në Shqipërinë e veriut”. Ndërkohë, i pyetur nga albinfo.ch, vetë regjisori Johanes Naber pranon se kjo mund të jetë “një mangësi” e filmit, e shkaktuar edhe nga pamundësia për të përfshirë edhe imazhin e Shqipërisë së sotme, moderne në këtë film
Ndërkaq, konsulli i nderit, Edwin Rüeg mjaftohet me lavdërimin e filmit si tërësi, duke e quajtur atë një kontribut të mirë për njohjen e shqiptarëve dhe të Shqipërisë nga Zvicra dhe bota.
E-Diaspora
-
3eni.com, aty ku Arben “Beni” Myftari bashkon artin, teknologjinë dhe shpirtin Arben Myftari pas dekadash karrierë në agjenci të ndryshme ndërkombëtare ka krijuar studion e tij për... -
Lirohet nga spitali familja kosovare e aksidentuar në Austri -
Një badhkatdhetar që po shkonte në Kosovë u arrestua në Serbi e më pas u lirua -
Mërgimtarët në Kosovë për festa, këto janë pikat më të ngarkuara kufitare -
Bazel - Zvicer
Thesar Abdullahu dhe Morgan Hetemi drejt studimeve doktorale në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Ndërprerje udhëtimi që priten kur fluturoni nga Zvicra këtë sezon festash Udhëtimi midis Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri nuk është aspak një përvojë relaksuese. Për çfarë duhet... -
Safety Home GmbH me ofertë festive për sigurimin e pronave në Kosovë -
Kanë rrahur politikanin e SVP-së: Arrestohen tre veta – njëri prej tyre, kosovar -
Një vit kontrastesh për bujqësinë zvicerane -
Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjes në Zvicër












