Sport

Altin Lala i thotë lamtumirë futbollit

Futbollisti nga Shqipëria, kishte filluar të luante për Hannover 96 në vitin 1998. Një lëndim e ka shtyrë të braktisë futbollin

Ndonëse në një moshë “të shtyrë” (36 vjeç) futbollisti karizmatik shqiptar Altin Lala nuk e ka përfunduar karrierën për shkak të moshës. Një lëndim i rëndë gjuri e ka detyruar futbollistin profesionist të bundesligës gjermane t`i japë fund karrierës së tij.

Pas 14 vitesh të kaluara në Hannover 96, verën që shkoi, Lala pati kaluar në FC Bayern, në rolin e kapitenit të rezervistëve.

“E falënderoj Altin Lalën dhe më vjen shumë keq që atë nuk e kemi më në dispozicion. Unë e kam njohur atë si njeri dhe sportist madhështor. Ne, nga FC Bayern i dëshirojmë atij shërim të shpejtë dhe të gjitha të mirat për të ardhmen”, ka shkruar trajneri Mehmet Scholl në faqen e internetit të klubit.

Futbollisti 36 vjeçar nga Shqipëria, kishte filluar të luante për Hannover 96 në vitin 1998, ndërsa 3 vite më vonë, në sezonin 2001-2002 skuadra e tij u ngrit në bundesligën e parë.

Në kategorinë më të lartë të futbollit gjerman Lala ka luajtur 181 ndeshje dhe ka shënuar vetëm 1 gol. Ndërsa në ekipin e rezervistëve të bayernit që bën gara në Ligën regjionale të Bavarisë nga fillimi i sezonit ai ka luajtur 3 ndeshje.