Shkurt.ch
Protestë e qetë kundër dhunës
Protesta e Vetëvendosjes e thirrur kundër dhunës policore kaloi e qetë dhe pa asnjë incident
Disa qindra protestues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë protestuar të martën në Prishtinë kundër dhunës policore që ngjau një ditë më parë. Protestuesit, ndryshe nga dita e djeshme, kanë qenë paqësore, sikurse edhe policia e Kosovës e cila përkundër gatishmërisë, ka mënjanuar gazin lotsjellës dhe shufrat e gomës.
Protestuesi, disa qindra, u mblodhën në mesditë në Sheshin “Nënë Tereza” për të kundërshtuar dhunën e Policisë së Kosovës ndaj protestuesve të Vetëvendosjes, gjatë protestës së djeshme. Gjatë gjithë kohës, protestuesit kanë kërkuar që të lirohen dhjetëra anëtarë të Vetëvendosjes të cilët janë paraburgosur, e në mesin e të cilëve ndodhet edhe nënkryetari i lëvizjes, Shpend Ahmeti.
Para protestuesve ka folur njëri nga përfaqësuesit e Vetëvendosjes, ish-gjenerali i UÇK-së tash deputet i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi. “Fjala që më së shumti i ngjall frikë kryeministrit është ajo “UÇK”, tha Selimi, duke i kërkuar kryeministrit Hashim Thaçi që t’i liroj të burgosurit, në mesin e tyre edhe Gani Krasniqin e Malishevës.
Ndërsa lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se me gjithë arrestimet dhe dhunën që kanë përjetuar një ditë më parë aktivistët dhe qytetarët protestues, e hëna ka qenë njëra nga betejat që ka fituar “Vetëvendosja” karshi qeverisë.
“E hëna e djeshme nuk do të duhej të ishte kurrsesi ditë e zakonshme pune pas asaj që ka ndodhur të premten e kaluar kur kryeministri Thaçi është takuar me kriminelin Daçiq. Edhe një muaj ne festojmë njëqindvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, dhe në vend se të bisedojmë me Tiranën për bashkim kombëtar, kryeministri bën pazare me Serbinë për Mitrovicën dhe veriun e Kosovës”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq para se të filloj protesta, kryeministri Thaçi në një konference të jashtëzakonshme për gazetarë, kërkoi nga qytetarët që të mos i përgjigjen Vetëvendosjes” për protesta. Ai ka thënë se është thellësisht i tronditur nga pamjet e protestës së të hënës, ku ka parë protestues, deputetë dhe policë të lënduar.
“Policia e Kosovës, djemtë dhe vajzat më të mira të këtij vendi, vëllezërit tanë, motrat tona, po bënin detyrën e tyre. Ata i obligon ligji që të ruajnë integritetin dhe dinjitetin e institucioneve të shtetit tonë. Policët e Kosovës dhe qytetarët nuk janë palë, ata janë një. Ne kemi luftuar për të pasur të drejtën për të protestuar lirshëm. Ne kemi dhënë shumë jetë për të thënë mendimin lirshëm. Por, liria dhe demokracia nuk nënkuptojnë anarkinë”, ka thënë Thaçi.
Ndryshe, 63 aktivistëve të arrestuar të Vetëvendosjes iu është shqiptuar masa e arrestit prej 48 orësh, ndërsa pas kësaj mase do të dalin para gjykatësit.
Të tjera nga Shkurt.ch
E-Diaspora
-
Gjermani/Suedi
Rinor Ajeti, doktori shqiptar i ORL që po spikat në kongreset më të mëdha shkencore në Evropë I vetmi shqiptar me punim shkencor në Kongresin e 97-të të Shoqatës Gjermane të Otorinolaringologjisë në... -
Amerikë
Gonxhe Halimi nga Gjilani diplomon si studentja më e dalluar në SHBA në Shkenca Kompjuterike -
Mira Murati dëshmon në gjyqin Musk-Altman: “Sam Altman krijonte kaos në OpenAI” -
Amerikë
Melisë Sejdiu dhe Rea Hadri pranohen në Universitetin e Pittsburghut -
Solistet nga Kosova shkëlqejnë në festivalin ndërkombëtar “Rising Stars”
Jeta në Zvicër
-
Ekspertët në Zvicër propozojnë masa të reja për lehtësimin e sistemit të burgjeve Autoritetet dhe ekspertët e sistemit penal në Zvicër po diskutojnë masa të reja për të ulur... -
Zvicra shkëlqen në Eurovision 2026: Veronica Fusaro sjell performancë të fuqishme me “Alice” -
Është ndarë nga jeta albanologu zviceran Prof. Dr. Basil Schader -
Zvicra synon finalen e Eurovisionit me Veronica Fusaro -
Kositja pas orës 22:00: Fermerët zviceranë përballen me burg












