Shqipëria

Të kërkosh azil në Shqipëri, ku popullsia po largohet gjithnjë e më shumë

Kur ai u arratis nga Siria me familjen e tij, Saidi nuk e kishte imagjinuar asnjëherë ndalimin në Shqipëri. Por lodhja ishte më e madhe se sa këmbëngulja e tij: Ai kërkoi azil në këtë vend të vogël dhe të varfër të Ballkanit, shkruan "France Soir"

Në këtë vend, i cili edhe vetë i nënshtrohet një emigrimi masiv, ku papunësia prek një në tre të rinj, autoritetet shqiptare janë të brengosur për peshën ekonomike të kësaj popullsie dhe kërkojnë ndihmën e Bashkimit Europian.

“Unë nuk mund ta vazhdoja rrugën. Nuk e kam më formën e moshë së një 25-vjeçari”, pohon Said Dabash, 45-vjeçar, punëtor ndërtimi nga Aleppo, i cili vëzhgon katër vajzat e tij duke lozur së bashku në qendrën e strehimit Babrru, në periferi të Tiranës, struktura e vetme, e përhershme e këtij vendi prej 3 milion banorësh, informon Albinfo.ch.

I arratisur nga Siria në mars të vitit 2017, familja e tij është vendosur atje që nga fillimi i verës, me djalin më të ri, një foshnje prej disa muajsh.

Sipas Pablo Zapata, përfaqësues i Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) në Tiranë, fenomeni është duke përjetuar një rritje të konsiderueshme, numri i parashtresave të kërkesave për azil ka qenë 307 në vitin 2017, për të kaluar në 3000, nga janari deri në Gusht 2018, duke përfshirë këtu dy të tretat e emigrantëve nga Lindja e Mesme”.

Midis tyre Ritag Al Rifai, një siriane e lodhur 26-vjeçare. Duke arritur në gusht, ajo nuk arriti të shkonte në Mal të Zi me burrin e saj palestinez Osama al Sadiq, 28-vjeçar. Shtatzanë në muajin e gjashtë, ajo jeton në qendër të Babrru. “Në realitet, nuk mendojmë të ikim”, thotë Osama, transmeton Albinfo.ch.

Sipas qeverisë shqiptare, “nuk ka më shumë se 500 raste reale” të azilkërkuesve. “Shumë prej tyre tërheqin ose pezullojnë kërkesën e tyre për azil për të vazhduar udhëtimin”, pas një pushimi të vogël, thotë Erida Skendaj, drejtore ekzekutive e degës shqiptare të Komitetit të Helsinkit, një OJQ për të drejtat e njeriut. Një burim i policisë europiane në Tiranë përshkruan “një shpërdorim të së drejtës për azil, i cili është bërë një nga mënyrat e emigracionit të paligjshëm”, informon më tej Albinfo.ch.

“Shqipëria nuk ka kapacitet për të marrë azilkërkues dhe t’u ofrojë atyre ushqim, punësim, shëndetësi dhe kujdes social, apo edhe ndihmë juridike falas”, thotë Erida Skendaj.

Zyrtarët në qendrën e strehimit Babrru, shpjegojnë se buxheti i tyre prej 300,000 eurosh nuk plotëson rritjen e fortë të nevojave.

Sot, autoritetet kanë frikë se numri i njerëzve të bllokuar në territorin e tyre do të ngritet, veçanërisht me përforcimin e mbikëqyrjen së kufirit, të autoriteteve malazeze. Për çdo muaj, që nga janari i këtij viti, rreth 800 emigrantë janë pranuar nga policia shqiptare, të cilët vijnë nga Greqia dhe shkojnë në drejtim të Malit të Zi dhe Kosovës, pastaj Kroacisë dhe Bosnjës, njofton Albinfo.ch.

“Shqipëria ka kërkuar ndihmën e BE-së për të rritur kapacitetin e saj teknik dhe logjistik, për të kontrolluar më mirë kufijtë, pasi migrimi në vitin 2018 tregoi rritje të fortë”, tha zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda. Në fillim të tetorit është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, e cila siguron ndihmën e Agjencisë Europiane Frontex.

Që nga fillimi i krizës së migrimit në vitin 2015, Shqipëria, fillimisht e izoluar nga itinerari i Ballkanit, sipas autoriteteve, nga BE ka pranuar vetëm një përkrahje nga ekspertë në trajnimin e policisë.

Vendi, i cili në vitin 2019 shpreson të fillojë negociatat për anëtarësim në BE, nuk vendosjen kampeve për refugjatë në territorin e tij, me fonde europiane, duke përfshirë edhe idenë e mbështetur nga Austria, informon Albinfo.ch. Kryeministri Edi Rama u fye nga kjo ide, duke vënë në dukje se migrantët nuk ishin “mbeturinë toksike”.”Ne kemi arritur deri tani të përballojmë vetëm rrjedhën e migracionit, por nëse situata përkeqësohet, do të jetë e vështirë t`ia dalim pa ndihmën e vendeve të BE-së”, paralajmëron Rovena Voda.

Në vitin 2015 dhe 2016, qindra mijëra njerëz kaluan nëpër itinerarin ballkanik, në rrugën drejt BE-së derisa në mars 2016, kjo rrugë u mbyll. Por qindra njerëz vazhdojnë të përpiqen të kalojnë kufijtë ilegalisht, në kushte shpesh të tmerrshme.