Kosova
Kosova reziston përballë presionit të SHBA-së për heqjen e taksës
Taksa prej 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina u vendos nga institucionet e Kosovës me 21 nëntor të vitit të kaluar
Paralajmërimet amerikane nuk e kanë shtyrë ende Qeverinë e Kosovës që të ndryshojë qëndrim sa i përket heqjes apo pezullimit të taksës doganore prej 100 për qind për produktet me orgjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Pavarësisht se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili është edhe lider i Partisë Demokratike të Kosovës, si subjekti më i madh në koalicionin qeverisës, u shprehën të gatshëm për pezullimin e tarifës për 120 ditë, kryeministri Ramush Haradinaj këmbëngul në njohjen e Kosovës si shtet nga Serbia, si kusht për pezullimin e tarifës.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka thënë javë më parë përmes një deklarate se veprimet që minojnë dialogun, përbëjnë qëndrim kundër interesave të SHBA-së, raporton Radio Evropa e Lirë.
“Shtetet e Bashkuara insistojnë se veprimet që minojnë dialogun, pengesat nga anash dhe refuzimi për të pezulluar tarifat – të gjitha këto shkojnë kundër interesave të SHBA-së”, ishte thënë në deklaratë, përcjell albinfo.ch.
Vendimi i Qeverisë për mbajtje në fuqi të taksës edhe nga analistëve politikë në Kosovë po shihet si veprim kundër interesave amerikane.
Analisti politik, Ilir Ibrahimi, thotë se institucionet e Kosovës kanë pranuar kërkesa të qarta nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa i takon pezullimit të taksës.
Sipas tij, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është interes strategjik amerikan dhe se çdo hap kundër dialogut është veprim kundër interesave strategjike të Amerikës.
Ibrahimi thotë se Qeveria e Kosovës duhet ta pranojë rekomandimin amerikan, duke pezulluar për afat të pacaktuar taksën, për t’i dhënë kështu një shans dialogut në Bruksel.
Sipas Ibrahimit, Kosova nuk guxon të ndërmarrë edhe më tej hapa të cilat do t’i cenonin marrëdhëniet e shtetit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, porse edhe nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë ai beson se pasojat do të jenë me tepër individuale sesa ndaj shtetit të Kosovës.
Në prishjen raporteve mes Kosovës dhe SHBA-së nuk beson as profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, i cili pret që institucionet e Kosovës të jenë në gjendje të gjejnë një zgjidhje të shpejtë për heqjen e taksës.
Profesori Hoti thotë se Kosova duhet të reflektojë në raport me kërkesën amerikane, duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme në mënyrë që t’i hapet rrugë dialogut në Bruksel, gjë për të cilën, sipas tij, SHBA-ja është duke kërkuar vazhdimisht nga Kosova.
Ditë më parë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ka marrë porosi të qartë në Uashington se pa pezullimin e tarifës doganore ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, nuk mund të vazhdojë dialogu në Bruksel.
Presidenti Thaçi tha se është krijuar përshtypja se me vendosjen e taksës, Kosova është bërë pengesë për procesin e dialogut, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Ai tha se është në dorën e Qeverisë që ta pezullojë këtë masë.
Taksa prej 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina u vendos nga institucionet e Kosovës m. 21 nëntor të vitit të kaluar.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Rusi
Ramë Lahaj performon në Rusi, promovon kulturën dhe këngën shqipe Tenori Ramë Lahaj ngjitet në skenë në Rusi me repertor shqip... -
Gjermani
Dy qytete në Gjermani drejt hapjes së shkollave shqipe -
Kosova/Diaspora
Kur tregu i banesave i shërben diasporës, jo qytetarit të Kosovës -
Të rinjtë nga Berlini njihen me trashëgiminë shqiptare në Fondacionin “Tradita Popullore” -
Zvicër
Zvicerani përplas për vdekje kosovarin 83-vjeçar, dënohet vetëm me para
Jeta në Zvicër
-
Presidenti Parmelin u përgjigjet kritikave nga Italia "Kemi një ndarje pushtetesh" – Parmelin u përgjigjet kritikave nga Italia në lidhje me zjarrin në... -
Skiatori 71 vjeçar vdes jashtë pistës në Zermatt, Valis -
Papunësia afatgjatë në Zvicër në rritje prej një viti -
Reperi EAZ publikon këngë në mbështetje të Përparim Avdilit -
Nestlé e dinte për formulën e infektuar për foshnje që nga nëntori












