E-Diaspora
Dashuria për futbollin bashkon mërgimtarët në turneun “Rogana”
Tashmë 14 vjet me radhë roganasit organizojnë turne të këtilla, kryesisht me forcat e veta, por herë-herë ata ndihmohen edhe nga Komuna e Kamenicës
Shumë të rinj futbolldashës, derisa luajnë në turnetë futbollistike nëpër fusha të asfaltuara, mendjen e kanë në karrierën e sportistëve shqiptarë, në skuadrat e Botërorit 2014 që po mbahet në Brazil.
Zakonisht turneu futbollistik në Roganë fillon më 2 korrik për nder të shpalljes së Deklaratës kushtetuese për shtetin e Kosovës, por sivjet filloi me një vonesë të arsyeshme për shkak të Kampionatit botëror që po mbahet në Brazil. Korriku është përzgjedhur po ashtu edhe për faktin se në këtë kohë shumë mërgimtarë vijnë për pushime në vendlindje dhe se ata edhe janë mishëruar me këtë ngjarje sportive, në fshatin e kampionit të shumëfishtë kosovar, Klubit të Atletikës „Rogana“.
Ka disa ditë që organizatorët e këtij turneu futbollistik, Hetem Geci e Ardian Kryeziu marrin telefonata të shumta nga bashkatdhetarët që jetojnë e punojnë në mërgatë, por që shumë prej tyre, sidomos të rinj, akordojnë pushimet e tyre verore pikërisht në këtë kohë të turneut në Roganë. Tashmë 14 vjet me radhë roganasit organizojnë turne të këtilla, kryesisht me forcat e veta, por hera-herës ata ndihmohen edhe nga Komuna e Kamenicës (Dardanës), përkatësisht nga Departamenti për Kulturë, Rini e Sport. Ky Departament sivjet ndihmoi me disa topa dhe në përgatitjen teknike të fushës së sportit, për ç`gjë roganasit, dhe jo vetëm ata, i janë mirënjohës këtij institucioni komunal.
Duke pasur parasysh peshën e këtij turneu, sidomos për mërgatën e këtij fshati dhe fshatrave përreth, bashkatdhetari nga Rogana, Afrim Kryeziu, pronar i klubit „Viktoria Dancing“ në Birmensdorf të Kantonit të Cyrihut, kishte marrë përsipër sponzorimin e dy ekipeve me fanella, pastaj 100 € për topa si dhe 8 fanella për stafin organizativ. „Vullneti i këtyre të rinjve për organizimin e këtij turneu futbollistik më ka shtyrë që të mos hamendem fare për një ndihmë modeste. Ç`është e vërteta, pothuajse çdo vit unë akordoj pushimin për të qenë pjesë e shikuesve të kësaj ngjarjeje sportive në fshatin tim, në Roganë“, thotë mërgimtari Afrim Kryeziu.
Për dallim nga vitet e mëparshme, sivjet hapja e turneut u bë me një lojë të dy ekipeve femra që luajnë në kuadër të KF „Drita“ nga Gjilani me trajner Afrim Mehmetin. Ato reflektuan një lojë atraktive, duke dëshmuar futboll cilësor dhe perspektivë të këtij sporti për femrat e Kosovës.
Nëntëmbëdhjetëvjeçarja, Egzona Shabani, e cila sapo ka përfunduar shkollën e mesme në Kamenicë, thotë se në këtë klub luan qysh nga themelimi i tij para dy vitesh, kurse tashmë është hera e dytë që ajo me shoqet e veta nisin një turne të këtillë sportiv.
Florentina Kallaba (22), një futbolliste tjetër e këtij klubi shpreson se së shpejti do të organizohen edhe turne futbolli për femrat, e pse jo pikërisht një turne i tillë ta ketë nismën në fshatin Roganë të Kamenicës.
Në turneun e sivjetshëm marrin pjesë 30 ekipe, të cilat për pjesëmarrje paguajnë nga 100 €. Të gjitha ndeshjet zhvillohen në fushën e sportit të shkollës fillore „Metush Krasniqi“ në Roganë e cila mundëson edhe një shikueshmëri prej deri në 4000 vetë, sa edhe arrin zakonisht numri i shikuesve, sidomos gjatë ndeshjeve gjysmëfinale dhe finale.
Kësaj radhe të gjitha ndeshjet do të referohen nga referët: Leotrim Geci dhe Arben Fera.
Mungesën e kreut të institucioneve komunale e zbuti, paksa, drejtoresha e Departamentit për Kulturë, Rini dhe Sport, zonja Venera Dërmaku – Rexha. Ajo për Albinfo.ch u shpreh: Ndjej kënaqësi për këtë aktivitet sportiv, i cili mbledh shumë të rinj në këtë fushë, jo vetëm si pjesë e lojës, por edhe si shikues. Kjo i frymëzon të rinjtë për një kulturë sportive, por, të paktën për pak kohë ata edhe i largon nga stresi i përballjes së tyre me papunësinë që është dukshëm e theksuar në komunën tonë. Një turne të ngjashëm ne e organizojmë edhe në Kamenicë, në kuadër të 18 Qershorit – Ditës së çlirimit të Kamenicës (Dardanës)
Loja e parë e këtij turneu u zhvillua ndërmjet ekipeve: Flamurtari (Hodonoc) dhe Kitka (Hogosht) e cila përfundoi me rezultat 0:3.
Golashënuesi i dyfishtë për Hogoshtin ishte Rion Latifaj i cili jeton në Gjermani, por që së bashku me prindër ka ardhur për pushime në Kosovë. Rioni është vetëm 17 vjeç, mirëpo futbollin tashmë e ka profesion. Ai luan në një klub sportiv në Gjermani, përkatësisht në SC Verl – Gütersloch. „Atë që nuk mund ta përjetoj në Gjermani e realizoj këtu, duke luajtur me bashkëvendës të mi hogoshtas. Kjo më jep kënaqësi të veçantë“. Babai i Rionit, Mustafa, po ashtu dikur ka qenë lojtar i KF „Kitka“ të Hogoshtit, ndërsa në vitet 1993/`94 ka luajtur edhe për KF „Prishtina“. „Vazhdimisht kam dëgjuar për këtë turne futbolli në Roganë, kështu që sivjet vendosa edhe unë të jem pjesë e shikusve të këtij turneu cilësor“, thotë adhuruesi i futbollit Mustafë Latifaj.
Në shkallët e shikuesve kishte shumë të rinj dhe të reja, por kishte edhe shikues të moshuar. Njëri ndër ta ishte edhe 75-vjeçari, pensionist nga Zvicra, Ramadan Kryeziu. Ai jeton në një ambient familjar, të gjithë dashamirë të futbollit. Bile nipi i tij, Hekuran Kryeziu, i cili tashmë ka 21 vjet, luan për Lucernin, por që aktualisht klubi i tij e ka shitur, për një vit lojë, në Klubin Futbollistik të Vaduzit, në Lichtenshtajn. „Ndonëse jam pensionist, kohën e verës dëshiroj ta kaloj në Roganë, për më tepër kur gjatë muajit korrik këtu mbretëron një atmosferë e gjallë sportive“, thotë xha Ramadani, derisa me bisht të syrit e përcjell lojën në zhvillim.
Ndryshe në këtë turne, përveç ekipeve nga Komuna e Kamenicës, marrin pjesë edhe ekipe nga Prishtina, Gjilani, Dobërçani etj. si dhe disa lojtarë nga Kosova Lindore janë përfshirë në disa ekipe të këtushme, thotë organizatori Hetem Geci.
Pothuajse një muaj rresht për çdo ditë luhen nga 3 ndeshje në ditë, derisa ndeshja finale parashihet të luhet pas festës së Bajramit.
Xhevdet Kallaba
Të tjera nga E-Diaspora
E-Diaspora
-
Diaspora
Doktorantët e Diasporës 2025, një vit i arritjeve shkencore Doktorantët e Diasporës po lënë gjurmë suksesi në universitetet më prestigjioze të botës me punime shkencore... -
Konsullata e Kosovës në Cyrih: Informohuni për mënyrën dhe procedurat e votimit -
Miratohet unanimisht Marrëveshja për Tregti të Lirë të Kosovës me EFTA -
Mustafa kritikon presidenten Osmanin për takimet me diasporën gjatë fushatës -
Slloveni
Ganimet Shala, asambleistja e parë shqiptare në Parlamentin e Lubjanës
Jeta në Zvicër
-
2,500 nënshkrime për rikthimin e TGV Lyria Lozanë–Paris Peticioni synon rikthimin e lidhjes hekurudhore shtesë Lozanë–Paris... -
Banorët e Cyrihut do të përfitojnë nga ulja e taksave -
Diaspora
Doktorantët e Diasporës 2025, një vit i arritjeve shkencore -
A është ky stacioni policor më i bukur në botë? -
Swisscom do të heqë plotësisht teknologjinë 3G deri në fund të vitit 2025












