Integrimi
Çfarë emrash u japim fëmijëve tanë?
Vështrim sociolinguistik për emrat vetjak të fëmijëve shqiptarë në Zvicër: Çfarë thonë emrat e fëmijëve tanë për identitetin dhe historinë e Kosovës?
Çdo popull i qytetëruar ka emrat vetjak me karakteristikat e tij. Është e njohur se numri më i madh i emrave të njerëzve të çdo gjuhe janë kryesisht emra të kuptueshëm, me domethënie të drejtpërdrejtë apo simbolik. Emrat që prindërit i pagëzojnë fëmijët e tyre në njëfarë mënyre tregojnë për të kaluarën apo rrëfejnë për të sotmen. Emri është shenjë e parë e njeriut, ai bëhet shenjë e ndërgjegjes shoqërore dhe historike të tij. Ai është një dëshmi e identitetit të tij si krijesë natyre dhe dëshmi e identitetit të tij si qenie historike.
Shpesh herë brezat e të gjallëve përmes emrave i kujtojnë të parët e tyre pavarësisht të jenë të njohur më pak a më shumë. Një rol i tillë historik kulturor i emrave te njerëzve të disa popujve me qytetërim të lartë, ta zëmë te zviceranët, është aq i theksuar saqë fëmijëve u ngarkohen pas emri i gjyshit, e i paraardhësve të tjerë në vijën e babait dhe në vijën e nënës. Në kushte të tilla shoqërore dhe kulturore emri i fëmijës bëhet si një pemë e trungut familjar apo biografi e familjes. Ashtu përmes emrave vetjak, si edhe përmes njohjes së gjuhës dhe historisë, popujt e tregojnë identitetin e tyre kulturor. Duke e treguar identitetin kulturor ata e tregojnë edhe identitetin kombëtar. Emri i zgjedhur lirisht është kusht që njeriu të jetë ai që është, që të përputhet plotësisht me veten e tij.
Si mësuese e letërsisë shqipe, që e njeh, vetvetiu, edhe historinë shoqërore dhe politike të popullit të vet jam përpjekur të analizoj në vija të përgjithshme praktikat e zgjedhjes së emrave të fëmijëve tanë për gjatë periudhës 1980 – 2013 duke mbledhur të dhëna përfaqësuese për nxënësit e lindur pas viteve 1980 – 81, 1990 – 91, 2000 – 2001, 2002 – 2003, 2004 – 2005. Të dhënat janë marrë nga regjistri, ditari i nxënësve të cilët u regjistruan,vijuan, e ndërprenë, e mbaruan dhe e vijojnë shkollën e mësimit plotësuese të gjuhës shqipe nga vitit 1993 në kantonin Jura – Zvicër. Struktura e nxënësve ka qenë: të lindur në atdhe që kishin ndërprerë shkollimin e atjeshëm apo të ardhur në një farë moshe këtu dhe nxënës të lindur në Zvicër. Për të analizuar kam marrë numrin e përgjithshëm të 500 nxënësve. Gjeografia prej nga rrjedhin nxënësit: të lindur në Kosovë 181, të lindur në Zvicër 278, në Maqedoni 21, në Kosovën Lindore 15, në Angli 1, në Libi 1, në Francë 3, në Belgjikë 1.
Për të lehtësuar lëndën, emrat janë ndarë në gjashtë kategori kryesore.
1.) Emra të vjetër shqiptarë vetëm 4.
2.) Emra me burim të fjalës shqipe 292.
3.) Emra me prejardhje ilire 33.
4.) Emra me burim nga vendbanimet dhe lumenjtë e Shqipërisë 23.
5.) Emra me prejardhje fetare por që shqipja i ka pranuar: myslimanë 38 dhe të krishterë 101.
6.) Emra të huaj 9.
Siç shihet të gjitha grupeve u paraprijnë katër emra të hershëm shqiptarë: Dulina, Bute, Mone, Nole.
Në grupin e dytë emrat e nxënësve bartin kuptime gjuhësore të sajuara mbi bazën e fjalëve shqipe, emra që kanë lidhje të kërkesave për liri dhe të drejta të tjera, të historisë dhe të kulturës, por nuk kanë munguar edhe emra të shpendëve, të bimëve, të shtazëve, të dukurive të ndryshme të natyrës apo edhe kuptime abstrakte. Ata padyshim, shfaqin dëshirat që fëmijët e tyre të shquhen me cilësi, virtyte, vlera të atyre krijesave, dukurive, kuptimeve me emrat e të cilave i kanë pagëzuar.
Kështu, për shembull, të kësaj natyre, kemi emrat e bukur: Ardita, Afrim, Afrime, Agim, Astrit, Afërdita, Blerim, Blerina, Besim, Burim, Besmir, Besian, Bora, Besarta, Besfort, Blerim, Bujar, Blerta, Besarta, Bardha, Bujare, Durim, Duresa, Dafina, Doruntina, Donjeta, Driton, Dreniza, Era, Ermal, Edona, Edon, Egzon, Egzona, Ermira, Fitore, Fitim, Floriana, Fëllanza, Festona, Flutur, Florije, Florim, Florian, Fatjon, Hana, Herolinda, Jehona, Jeta, Jetesa, Jetëlira, Kujtesa, Kreshnike, Kushtrim, Linda, Lumta, Luan, Lule, Lulie, Mërgim, Mimoza, Njomza, Rudina, Shpresa, Shpend, Shqiponjë, Shqipe, Shpëtim, Rrezarta, Peme, Petrit, Trim, Trojttona, Ylli, Yllvesa, Yllnora e të tjerë.
Përkushtimi i shqiptarëve ndaj truallit të vet, pesha e rëndë e dhunës së drejtpërdrejtë nga regjimi serb ua kishte larguar krejtësisht dëshirën për të
pasur emra turk, arab apo sllav. Dashuria ndaj shtetit amë bëhet më e qartë. Nxënësit e lindur gjatë dhe pas viteve (1980 -1981) mbajnë emra kryesisht vendbanimesh apo lumenjsh të Shqipërisë si: Arbana, Aulona, Albulena, Atika, Arta, Berat, Drilona, Drilon, Elbasan, Korab, Saranda, Shkodran, Sazan, Vjosa, Shkumbin, Erzen, Tropoja, Valbona, Vlora, etj. Ashtu që në Kosovë ishte një dukuri tepër domethënëse që emrat e fëmijëve janë përcaktuar nga problematika e qëndresës shqiptare ndaj regjimit pushtues. Kemi emrat: Edona, Kosovë, Republikë, (E dona Kosovën Republikë) Kosovare, Flamure, Durim, Durime, Shqipdon, Shqiprim, Flamur, Liridon, Liridona, Lirije, Lirifiton, Jetëlira etj.
Në grupin e katërt (nxënës të lindur pas 1990 – 1991) si shenjë e vazhdimësisë ilire prindërit u kanë vënë fëmijëve emra të fiseve ilire apo kuptime historike. Të pranueshëm dhe të dashur për shumë kënd, si: Ilirian, Teuta, Agron, Genc, Glauk, Bardhyl, Arbër, Arbënora, Arbenita, Ardiana, Ardian, Ariana, Arianit, Arben, Artan. Alban, Altin, Altina, Altesa, Ergon, Erion, Endrit, Etrit, Dardan, Dardane, Liburn, Labeate, Labinot, Taulant, Albana, Gentian, Gentiana etj.
Në grupin e pestë kam grupuar emrat fetarë, të mbështetur në ideologjinë fetare të besimit mysliman që u përhap aq shumë ndër ne nga sundimi pesë shekullor turk. Kem emra të nxënësve me origjinë arabe dhe turke si: Nuredin, Zekerja, Shermine, Jaser, Sadat, Adem, Medina etj. Por edhe emra nxënësish me burim nga besimi i krishterë: Sebastian, Nikollë, Olivera, Gjergj, Monika etj. Një rast i veçantë i një nxënësi është Gjergjelez, përbërje nga dy besimet apo nga legjenda Gjergj Elez Alia. Është e vërtetë jemi popull me tri fe, por përkushtimi ndaj atdheut ka zënë vend qendror në qytetërimin tonë.
Në grupin e gjashtë hynë emra të huaj: Alina, Kenza, Dilan, Leona, Leon, Leonis, Lorik, Omanita, Alisa, Vanesa, Xhesika, etj.
Emrat e njerëzve në kulturën tonë kanë shkuar për herë në një përpjekje midis ruajtjes dhe prurjeve të jashtme nga Perëndimi dhe Lindja që pastaj janë bërë pronë e gjuhës shqipe.
Po të krahasojmë kategorinë e viteve ’80-81 me atë të viteve 90 – 91 prindërit shqiptarë gjithnjë e më rrallë i emërtojnë fëmijët e tyre me emra fetar. Ndërsa fëmijët e lindur në Zvicër gjatë dhe pas viteve 2000 – 2001 që prindërit i përkasin brezit të dytë të mërgimit u janë kthyer përsëri emrave të besimit fetar të krishterë si: Rina (nga Katarina) Ema (Emanuela), Andi (Andria) Teo (Teodor), Klea, Klodi, Anda e tjerë. Ndërsa tek nxënësit e martesave të përziera (19) emri më i shpeshtë është emri Florian dhe Alban. Nga kontakti me prindër i pyes; ju keni emra me kuptim shqip ndërsa fëmija juaj jo. Më përgjigjen. “Më mirë emra të shkurtër që mund t`i shqiptojnë të gjithë”.
E-Diaspora
-
Gjuha shqipe forcon integrimin Në kontekstin e diasporës shqiptare në Zvicër dhe më gjerë, gjuha shqipe ka një rëndësi në...
-
Flisni shqip në Zvicër!
-
RTS: “Toka Brenda Meje” e Fisnik Maxville-it trajton traumën e Kosovës
-
Filmi “The Land within”, lufta në Kosovë, e vështruar nga një kënd tjetër
-
Robin Krasniqi fiton me pikë ndaj portugezit Jorge Silva
Jeta në Zvicër
-
Neuchâtel: Një algjerian 29-vjeçar u gjet pa shenja jete, në qeli La Chaux-de-Fonds, Neuchâtel: Trupi i tij i pajetë u gjet nga rojat e burgut rreth orës...
-
Kantonet zvicerane me plane për të punësuar më shumë mësues të huaj
-
Bernë: Merret vendimi për gruan e cila vrau kryetarin e bashkisë së Lauterbrunnen pasi e goditi 58 herë me thikë
-
Pse Zvicra subvencionon tarifat vetëm për disa studentë të huaj?
-
Prodhuesi zviceran i thikave të ushtrisë në përpjekje për të përmbushur kufizimet globale të tehut