E-Diaspora

18 shoqata në një manifestim për 28 Nëntorin

Vetëm pjesëmarrës të programit, kryesisht valltarë që janë ngjitur në skenë gjatë më shumë se tri orëve të programit kanë qenë rreth 360 veta, një pjesë e mirë e të cilëve fëmijë

Një festival i shoqërive që kultivojnë folklorin shqiptar në Zvicër. Edhe kështu mund te quhej mbrëmja e të shtunës, kur në një sallë të madhe në Amriswil të Kantonit Thurgau, rreth 18 shoqëri kulturore artistike nga pjesa gjermanishtfolëse e Zvicrës u ngjitën në skenë për nder të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Vetë pjesëmarrja e një numri kaq të madh të shoqërive në vetëm një mbrëmje ishte sfidë në vete e organizatorit, me këtë rast një këshilli të drejtuar ngaShukrije Ramadani, ushtruese detyre e drejtoreshës së Qendrës Kulturore të Kosovës me seli në Cyrih. Mbrëmja, ashtu si dhe disa aktivitete tjera që po zhvillohen gjatë kësaj fundjave në Zvicër, ka pasur edhe mbështetjen e Ministrisë së Diasporës të Republikës së Kosovës.

Në një ambient të hareshëm e festiv, në sallën e madhe “Pentorama”  të Amriswilit, për të ndjekur programin festiv dhe për të festuar ishin mbledhur më shumë se 1000 veta. Vetëm pjesëmarrës të programit, kryesisht valltarë që janë ngjitur në skenë gjatë më shumë se tri orëve të programit kanë qenë rreth 360 veta, një pjesë e mirë e të cilëve fëmijë.

Publikun e ka përshëndetur me një fjalë rasti ministri i diasporës, Ibrahim Makolli. Ai ka ngritur lart kontributin e diasporës në të gjitha zhvillimet në Kosovë dhe në trojet tjera shqiptare ndërsa ka shprehur nderimin për të gjithë ata që me sakrificën dhe punën e tyre kanë punuar për  Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai ka thënë se e gëzon prania e madhe të publikut dhe sidomos të të rinjve. Kjo është një garanci se kultura dhe tradita shqiptare do të jetojnë edhe më tej.

Edhe konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih, Sali Sefa, në emrin e ambasadorit të Kosovës në Zvicër dhe në emrin e konsullatës ka drejtuar urimet për Ditën e Flamurit dhe është shprehur i kënaqur me programin e përgatitur për këtë rast festiv.

I pranishëm në këtë tubim festiv ishte edhe Xhafer Gashi, kryetar i komunës së Kastriotit, ish luftëtar i dalluar i UÇK-së dhe ish mërgimtar i Zvicrës. Ai i ka përcjellë diasporës përshëndetjet e bashkëqytetarëve të komunës që drejton dhe i ka uruar Ditën e Flamurit . Në mesin e pjesëmarrësve në tubim ishte edhe ish zëvendëskomandanti i UÇK-së për Zonën e Karadakut, Shemsi Syla.

Siç thotë udhëheqësja e programit, Shukrije Ramadani për albinfo.ch, qëllimi i organizatorëve të programit festiv është arritur. “Edhe pse u kemi dhënë pak kohë, secila shoqëri duhej të përthekonte veprimtarinë e vetë bnrenda 10 minutave sa kishin në dispozicion. Kjo nuk ka qenë e lehtë kur kemi parasysh se janë shoqëri që kanë aktivitet të gjallë dhe të gjatë”. Sa i përket kontributit të ministrisë, znj. Ramadani sqaron se ajo ka mbuluar pagesën e sallës dhe të teknikës (zërimit etj.) si dhe ushqimin për të gjithë pjesëmarrësit, rreth 360 sish. Po ashtu pjesë e programit të mbuluar nga Ministria, shton ajo, është edhe mbrëmja letrare artistoke e mbajtur të premten në QKK dhe aktiviteti për themelimin e rrjetit të të rinjve dhe studentëve shqiptarë në Zvicër që mbahet sot (e dielë). “Më gëzon fakti se ky ishte sukses i diasporës sonë dhe jo i qendrës ose ministrisë”, përfundon Shukrije Ramadani, u.d. i drejtorit të QKK.

Ndërsa përgjegjësi artistik i programit brenda këshillit, mjeshtri i baletit dhe koreografi Rustem Selca thotë se synim i këshillit ka qenë përsfhirja e të gjitha shoqërive kulturore artistike në Zvicrën gjermane. “Çdo shoqate, pavarësisht nga përvoja, masiviteti apo edhe kualiteti i tyre u është dhënë rasti i barabartë për tu prezantuar”. I pyetur nëse këshilli ka bërë ndonjë përzgjedhje sipas cilësisë ose llojit të programit, Selca thotë se ky nuk ka qenë synimi. “Kemi dashur t`u japim rastin të gjitha shoqërive, edhe atyre që jan themeluar rishtas si “Atdheu” Bad ragaz, edhe “Plisat” apo edhe shoqatës mysafire “Iliria” të ardhur nga Munihu i Gjermanisë”. Ndërsa  për faktin se programi ka qenë kryesisht i përbërë nga vallet dhe folklori, Selca thotë se shumica e shoqatave edhe i kultivojnë pikërisht këto, prandaj programi është pasqyrim i punës së tyre. Megjithatë kemi pasur edhe pika aktrimi, recitimi dhe ndonjë këngë, përfundon ai.

Shoqëritë që kanë marrë pjesë në programin festiv kanë qenë: “Shota”, “Drita”, “Rinia”, Arbëresha”, “Plisat”, “Vatra”, “Dielli”, “Atdheu”, “Iliria”, “QSHKI”, “Kërçova”, “Dardania”, “Bashkimi”. Po ashtu grupi teatral ”Aktrimi” është prezantuar me disa skeqe, ndërsa udhëheqësi i grupit, aktori Ramadan Morina ka bërë moderimin e mbrëmjes. Këngëtari Afrim Aliu ka sjellë në skenë disa këngë patriotike dhe në fund është kujdesur edhe për argëtimin e publikut.  Tubimin e kanë përshëndetur edhe përfaqësues nga shoqatat e krijuesve shqiptarë të Gjermanisë dhe të Suedisë si dhe ata të shoqatës simotër në Zvicër.

Një freski në programin e gjatë e ka sjellë ish kandidatja për Mis Zvicra 2014, Saranda Maliqi. E zgjedhur muajin e kaluar në vendin e tretë në garën për më të bukurën e Zvicrës, Saranda e rritur në Zvicër, ka prezantuar veten me një nivel të lakmueshëm të shqipes dhe me një sharm të veçantë.

Fotot: Naser Limani