Kosova

Nga shtatori 2021 mund të aplikoni për Kartonin e Gjelbërt

Fillimisht, numri i madh i veturave të paregjistruara është vetëm një nga problemet që Kosova duhet të zgjidhë para se të bëhet aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Byrosë Evropiane që siguron Kartonin e Gjelbër, thotë Sami Mazreku ushtrues i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Byrosë Kosovare të Sigurimit.

Në zvogëlimin e tyre, Mazreku thotë se në muajin nëntor ka filluar të zbatohet një rregullore për zbatimin e sistemit Bonus-Malus. Në bazë të kësaj rregulloreje, një shkallë më e lartë e tarifës do të aplikohet për drejtuesit e automjeteve që vonohen të sigurojnë veturën.

Duhet theksuar se numri i veturave të paregjistruara në Kosovë për vite vazhdon të jetë një sfidë e madhe për institucionet. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, numri i veturave të paregjistruara në territorin e Kosovës është rreth 150 mijë.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Kosovës në janar të vitit të ardhshëm do të fillojnë bisedat e nevojshme për ta bërë Kosovën pjesë të Kartonit të Gjelbër.

Ai ka thënë se do të bashkëpunojnë me institucionet relevante që të ulin numrin e veturave të paregjistruara.

Kartoni i Gjelbër vërteton se një automjet përfiton në mënyrë të mjaftueshme nga mbulimi i përgjegjësisë nga sigurimi. Kështu, kur makina përfshihet në një aksident në territorin e një shteti ku vlen sistemi i Kartonit të Gjelbër, sigurimi mbulon koston (e lëndimit, dëmtimit, etj).

Aplikimi vetëm pas datës 4 shtator, 2021

Megjithatë, Kosova këtë proces mund ta nisë vetëm brenda institucioneve duke bërë zgjidhjen e problemeve të brendshme, por jo të bëjë aplikim, pasi që me marrëveshjen e nënshkruar në Uashington më 4 shtator, Kosova ka rënë dakord që të vendosë moratorium njëvjeçar mbi kërkesën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova duhet të plotësojë disa kushtet të brendshme para se të mendojë që të aplikojë në organizatat e ndryshme ndërkombëtare, siç edhe për Kartonin e Gjelbër.

 

Njëra prej problemeve që duhet zgjidhur për t’u bërë pjesë e Kartonit të Gjelbër Mazreku thotë se është zvogëlimi i numrit të lartë të automjeteve të paregjistruara.

“Lista e automjeteve të paregjistruara që janë akumuluar ndër vite duhet të pastrohen. Ato lista që janë dy vjet e më shumë të largohen me ndonjë vendim apo udhëzim nga sistemi dhe pjesa e mbetur dy vjet e këndej, përmes formave tjera të obligohen ose të udhëzohen të vazhdojnë regjistrimin e veturave ose të çregjistrohen”, thotë Mazreku.

Kartoni i Gjelbër s’blihet në Kosovë

Ndërkohë, qytetarët të cilët dëshirojnë të udhëtojnë në vende të ndryshme të Evropës, Kartoni i Gjelbër e sigurojnë në disa kompani transporti në Kosovë. Kjo mund të sigurohet në agjenci që janë të publikuara në rrjete sociale. Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar me një person në një nga numrat e telefonit të publikuar në rrjetet sociale dhe ka treguar se në Kosovë mund të blihet Kartoni i Gjelbër që është i vlefshëm për të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian, përveç Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ai thotë se ky dokument është sigurim nga shteti i Bullgarisë. Për një muaj, ky dokument kushton 85 euro kurse për tre muaj 110 euro, me të cilin personat e interesuar mund të pajisen brenda ditës.

Por, Mazreku pohon se askush nuk ka të drejtë ta shesë Karton të Gjelbër në territorin e Kosovës. Ai thotë se sigurimi nga shteti i Bullgarisë është i vlefshëm vetëm nëse blihet në Bullgari, kurse askush nuk ka të drejtë ligjore që këtë dokument ta shesë në Kosovë. Ai thotë se nuk ka njohuri se në çfarë forme mund të blihet ky dokument.

Edhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës vitin e kaluar ka thënë se shitja e Kartonit të Gjelbër është e paligjshme.

“BQK-ja në rrjetet sociale ka vërejtur se disa persona, të paautorizuar dhe të palicencuar që ushtrojnë veprimtari ndërmjetësuese në sigurime në mënyrë të paligjshme, duke u angazhuar në shitjen e Kartonit të Gjelbër. Për më tepër, asnjë kompani sigurimi, e pajisur me licencë nga BQK-ja dhe asnjë person fizik apo juridik i jashtëm, nuk ka të drejtë të shesë një produkt të tillë në Kosovë, derisa Byroja Kosovare e Sigurimit të bëhet anëtare e Këshillit të Byrove, apo pa lejen e Këshillit të Byrove dhe BQK-së”, ka thënë BQK-ja.

Kurse, deri tek anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Byrove të Evropës, të gjitha veturat me tabela të huaja, të cilat hyjnë në territorin e Kosovës, sipas ligjeve në fuqi, duhet të paguajnë një shumë për tarifat e sigurimeve kufitare, varësisht nga lloji i automjetit dhe koha e qëndrimit në Kosovë.

Personat që hyjnë në Kosovë me auto-vetura duhet të paguajnë 15 euro për qëndrimin prej 15 ditësh. Ndërkaq, qëndrimi për një muaj kap vlerën e sigurimit prej 20 euro.

Ndërkaq nga muaji gusht i këtij viti, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për mbulimin e sigurimit kufitar për qytetarët e Kosovës që jetojnë dhe punojnë në shtete të ndryshme të Evropës dhe të huajt që hyjnë në territorin e Kosovës.