Lajme

KQZ vendos të rinumërohen edhe shumë vendvotime për kuvendet komunale

Rreth 500 vendvotime, për të cilat u vendos të hënën që të rinumërohen, nuk do të jenë të fundit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar rekomandimin e PZAP-it për rinumërimin edhe të disa kutive që u takojnë Zgjedhjeve për Kuvende Komunale.

Kështu ka vendosur Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili ka miratuar ankesat e një numri të caktuar të kandidatëve për Kuvende të ndryshme Komunale.
“KQZ më datën 9 dhe 10 nëntor ka pranuar disa vendime të tjera nga PZAP. Në bazë të këtyre vendimeve kërkohet nga KQZ që të bëhet rinumërimi i votave të kandidatëve në një numër të caktuar të vendvotimeve. Numri i vendvotimeve të rregullta që do të rinumërohen është rreth 155 vendvotime të rregullta që u takojnë komunave të ndryshme, PZAP ka vendosur edhe për rinumërimin e 10 kutive të votave me postë. Rekomandohet që të bëhet rinumërim i plotë i këtyre”, tha Burim Ahmetaj, kryeshef Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së.

Ai më tej tregoi edhe numrin e përgjithshëm të vendvotimeve që do të rinumërohen sipas vendimit të PZAP-it, duke përshirë këtu ato të ditës së hënë dhe ato për të cilat u vendos sot.

“Më datën 8 janë 437 vendvotime të rregullta, përfshirë edhe votat me kusht dhe postë, 467 kuti të votimit që duhet të rinumërohen sipas vendimeve të ardhura më datë 8. Me datën 9 kanë ardhur 138 vendime për rinumërim të vendvotimeve të rregullta të komunave të ndryshme dhe 11 kuti të votimit të votave me postë. Më datën 10 nëntor janë gjithsej 14 vendvotime që në total bëjnë 589 vendvotime të rregullta, duke përfshirë edhe 23 kuti të votave me postë dhe 18 kuti të votave me kusht, gjithsej 630 kuti, duke përkthyer në përqindje 23,78% e kutive që duhet të rinumërohen sipas vendimit të PZAP-it”, tha Burim Ahmetaj.

Njoftimi lidhur me këto vendime të PZAP-it u bë në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku u vendos që rinumërimi i këtyre vendvotimeve të bëhet plotësisht.
“Me 10 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, aprovohet miratimi i Sekretariatit për rinumërimin e vendvotimeve sipas vendimeve të PZAP-it dhe te potencojmë që ky është rinumërim i tërësishëm”, theksoi Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Këto vendvotime u takojnë komunave të ndryshme të Kosovës: Drenas, Viti, Istog, Shtime, Vushtrri, Klinë, Prishtinë, Pejë, Lipjan, Prizren, Gjilan, Malishevë, Deçan, Skënderaj, Kaçanik dhe Fushë Kosovë.