Lajme
Turizmi botëror humbi mbi 2 trilionë dollarë nga pandemia
Pandemia e koronavirusit do t’i kushtojë sektorit të turizmit global 2 trilion dollarë të ardhura të humbura në vitin 2021, tha të hënën organi i turizmit i OKB, duke e quajtur rimëkëmbjen e sektorit “të brishtë” dhe “të ngadaltë”.
Parashikimi nga Organizata Botërore e Turizmit (OBT) me qendër në Madrid vjen pasi Europa po përballet me një rritje të infeksioneve dhe në kohën që një variant i ri COVID-19 me shumë mutacione, i quajtur Omicron, po përhapet në të gjithë globin.
Prurjet ndërkombëtare të turistëve këtë vit do të mbeten 70-75% më pak se 1.5 miliardë prurjet e regjistruara në 2019-ën përpara goditjes së pandemisë, një rënie kjo e ngjashme me atë të vitit 2020, sipas OBT, transmeton Voa përcjell Albinfo.ch.
Sektori global i turizmit humbi 2 trilion dollarë (1.78 trilion euro) të ardhura vitin e kaluar për shkak të pandemisë, sipas OBT, duke e bërë atë një nga sektorët më të goditur nga kriza shëndetësore.
Ndërsa ky organ i OKB-së i cili ka për detyrë promovimin e turizmit, nuk ka një vlerësim se si do të performojë sektori vitin e ardhshëm, perspektiva e tij afatmesme nuk është inkurajuese.
“Pavarësisht përmirësimeve të fundit, shifrat e pabarabarta të vaksinimit në mbarë botën dhe variantet e reja Covid-19,” si varianti Delta dhe Omicron, “mund të ndikojnë në rimëkëmbjen tashmë të ngadaltë dhe të brishtë”, thuhet në një deklaratë.
Futja e kufizimeve dhe izolimeve të reja për shkak të virusit në disa vende gjatë javëve të fundit tregon se “situata është shumë e paparashikueshme”, tha për AFP kreu i OBT, Zurab Pololikashvili.
“Kjo është një krizë historike në industrinë e turizmit, por përsëri turizmi e ka fuqinë të rikuperohet relativisht shpejt,” shtoi ai përpara fillimit të asamblesë së përgjithshme vjetore të OBT në Madrid të martën.
“Shpresoj shumë se viti 2022 do të jetë goxha më i mirë se 2021.”
Turizmi ndërkombëtar është goditur nga shpërthimi i sëmundjeve edhe në të kaluarën, por koronavirusi është i paprecedentë përsa i përket përhapjes së tij gjeografike.
Përveç kufizimeve të udhëtimeve të lidhura me virusin, ky sektor po përballet gjithashtu me shtrëngimin ekonomik të shkaktuar nga pandemia, me rritjen e çmimeve të karburanteve dhe me ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit, tha OBT.
Pololikashvili u kërkoi vendeve të harmonizojnë protokollet dhe kufizimet e tyre të lidhura me virusin, sepse turistët “janë të hutuar dhe nuk dinë si duhet të udhëtojnë”.
Prurjet e turistëve ndërkombëtarë “u shtuan” gjatë sezonit të verës në hemisferën veriore falë rritjes së besimit te udhëtimet, vaksinimit të shpejtë dhe lehtësimit të kufizimeve të hyrjes në shumë vende, tha OBT.
“Pavarësisht përmirësimit në tremujorin e tretë, ritmi i rimëkëmbjes mbetet i pabarabartë në të gjithë rajonet e botës për shkak të shkallëve të ndryshme të kufizimeve të lëvizjes, shifrave të vaksinimit dhe besimit të udhëtarëve”, shtoi organizata.
Prurjet në disa ishuj në Karaibe dhe Azinë Jugore, si dhe në disa destinacione në Europën Jugore, iu afruan ose në disa raste edhe i tejkaluan nivelet para pandemisë përgjatë tremujorit të tretë.
Megjithatë, vendet e tjera vështirë se patën ndonjë turist, veçanërisht në Azi dhe Paqësor, ku prurjet ranë 95% krahasuar me 2019-ën, pasi shumë destinacione mbetën të mbyllura për udhëtimet jo të rëndësishme.
Një total prej 46 destinacionesh – 21% e të gjitha destinacioneve në mbarë botën – aktualisht i kanë kufijtë e tyre plotësisht të mbyllur për turistët, sipas OBT.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Cyrih: Takim pune për zbatimin e Marrëveshjes së Bashkimit të shkollave shqipe LAPSH mbetet i përkushtuar që mësimi plotësues të jetë i unifikuar, i qëndrueshëm dhe në shërbim... -
KQZ: Afër 64.000 votues nga diaspora janë regjistruar për të votuar -
Vlashent Sata “Lufto me kenë i mirë, ma shumë ke me kenë i lirë” -
Nata e parë e Tri Net Film Fest, një fillim i mbarë i festivalit -
Itali
9-vjeçarja shqiptare fiton festivalin italian “Zecchino d’Oro” për herë të parë në 68 vjet
Jeta në Zvicër
-
Nga 8 dhjetori Aeroporti i Cyrihut lejon pjesërisht lëngjet në bagazhin e dorës Pasagjerët do të jenë në gjendje të mbajnë lëngje në bagazhet e tyre të dorës fillimisht... -
Zvicër: Kërkohet kontrollim më i mirë i letërnjoftimeve të të huajve -
Ndalimi i reklamave të duhanit në Zvicër për të mbrojtur të miturit do të fillojë në vitin 2027 -
Tregtia e energjisë elektrike diellore midis banorëve të së njëjtës komunë do të jetë e mundur nga viti 2026 -
Ndryshimet e transportit publik që priten në qytetet më të mëdha të Zvicrës në vitin 2026










