Lajme

Zvicra nuk ndjek shembullin gjerman: vazhdon shitja e alkoolit në stacionet hekurudhore

Hekurudhat Federale Zvicerane (SBB) nuk do të vendosin ndalim të përgjithshëm për konsumimin e alkoolit në stacione apo trena, ndryshe nga Gjermania, ku pritet të hyjë në fuqi një ndalim i plotë.

Kompania gjermane hekurudhore Deutsche Bahn ka vendosur të ndalojë konsumimin e birrës, verës dhe pijeve të tjera alkoolike në rreth 5.400 stacionet hekurudhore të vendit, duke filluar nga 15 tetori 2026. Sipas kompanisë, masa synon të rrisë sigurinë për udhëtarët dhe punonjësit.

Ndërkohë, në Zvicër nuk ka plane për një masë të tillë. Hekurudhat Federale Zvicerane kanë bërë të ditur se shitja e alkoolit në stacionet hekurudhore do të vazhdojë, ndërsa kufizimi aktual parashikon që shitja të mos lejohet pas orës 22:00.

Rregullat ekzistuese në stacionet zvicerane mbeten në fuqi. Personeli i sigurisë mund të ndërhyjë në rastet kur konsumimi i alkoolit shkakton sjellje shqetësuese, të rrezikshme ose cenon sigurinë e udhëtarëve dhe stafit.

Autoritetet zvicerane argumentojnë se qasja aktuale është e mjaftueshme për të garantuar rendin, pa pasur nevojë për një ndalim të përgjithshëm të alkoolit në transportin publik.