Lajme
Mungojnë 6 orë biseda të Trumpit, komisioni hetimor në SHBA vazhdon hetimet për 6 janarin
Është e ditur tashmë se ish-Presidenti Trump pati biseda me disa ligjvënës republikanë më 6 janar.
Komisioni hetimor në SHBA për sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar ka identifikuar një boshllëk prej pothuajse tetë orësh në të dhënat zyrtare të telefonatave të ish-Presidentit Donald Trump, gjatë kohës që po ushtrohej dhuna dhe mbështetësit e tij kishin hyrë me forcë në selinë e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, tha një person në dijeni të procesit hetimor.
Boshllëku fillon pak para orës 11 paradite dhe shtrihet deri në orën 7 të darkës të datës 6 janar 2021, thotë personi, i cili nuk ishte i autorizuar të flasë publikisht për hetimet dhe bisedoi të enjten me agjencinë e lajmeve Associated Press, me kusht ruajtjen e anonimitetit.
Hetuesit e Dhomës së Përfaqësuesve po shqyrtojnë nëse ish-presidenti komunikoi gjatë asaj periudhe me mjete të tjera, përfshirë telefona personalë, telefona me një përdorim apo mjete të tjera, si p.sh. nëpërmjet telefonave të ndihmësve të tij.
Komisioni u ka dërguar fletëporosi kompanive celulare dhe po pret të marrë të dhënat e kërkuara. Komisioni po mbledh gjithashtu të dhëna nga Arkiva Kombëtare dhe nga burime të tjera, që mund të ofrojnë informacion të mëtejshëm.Por, mungesa e informacionit për telefonatat e ish-Presidentit Trump përbën një sfidë të vështirë për hetuesit, ndërsa ata po përpiqen të përpilojnë një regjistër gjithëpërfshirës për sulmin ndaj Kapitolit, duke u përqendruar në veçanti tek veprimet e ish-presidentit në Shtëpinë e Bardhë, ndërkohë që qindra nga mbështetësit e tij ushtruan dhunë ndaj policisë, hynë me forcë në Kapitol dhe ndërprenë certifikimin e fitores në zgjedhjet presidenciale të demokratit Joe Biden.
Kjo ngre gjithashtu pikëpyetje nëse ish-Presidenti Trump qëllimisht anashkaloi kanalet zyrtare për të shmangur lënien e gjurmëve. Gjatë orëve që mungojnë, Presidenti Trump mori pjesë në tubimin para Shtëpisë së Bardhë, mbajti atje një fjalim, dhe në vazhdim ndoqi nga larg hyrjen me dhunë të turmës në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara. Turma kaloi me forcë gardhin policor dhe bastisi godinën për disa orë, derisa u nxorën më në fund jashtë dhe godina u shpall e sigurt rreth orës 5:30 të pasdites.
Mbi 700 persona janë arrestuar tashmë për ushtrimin e dhunës.Boshllëku në të dhënat zyrtare është raportuar edhe më parë nga agjencia e lajmeve Associated Press. Totali i saktë i orëve që mungojnë në të dhënat zyrtare u raportua fillimisht nga gazeta “The Washington Post”.
Komisioni është përqendruar tek veprimet e ish-Presidentit Trump atë ditë pasi atij iu deshën orë të tëra për t’u dhënë mesazhin mbështetësve të tij që të ndalnin dhunën dhe të largoheshin nga Kapitoli. Komisioni është i interesuar edhe për organizimin dhe financimin e një tubimi atë mëngjes në Uashington, ku ish-Presidenti Trump i tha mbështetësve të tij “të luftojnë si dreqi”.
Ndër pikëpyetjet pa përgjigje është edhe se sa u koordinuan organizatorët e tubimit me zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë.Në shumë raste, komisionit ndoshta nuk do t’i nevojitet konfirmimi i drejtpërdrejtë nga Shtëpia e Bardhë për telefonatat e ish-Presidentit Trump. Ligjvënësit kanë marrë tashmë në pyetje mbi 500 dëshmitarë, ndër ta edhe disa persona nga rrethi i brendshëm i ish-Presidentit Trump, të cilët mund të plotësojnë boshllëkun në të dhënat zyrtare.
Puna e tyre pengohet megjithatë nga pretendimi i ish-presidentit se bisedat e tij personale mbrohen nga privilegji ekzekutiv, gjë që ka shtyrë shumë dëshmitarë të mos u përgjigjen disa prej pyetjeve. Në këtë kuadër, komisioni vendosi unanimisht të hënën të akuzojë ish-këshilltarët e ish-Presidentit Trump, Peter Navarro dhe Dan Scavino, për shpërfillje të Kongresit, pasi ata kanë refuzuar prej muajsh t’u përgjigjen fletëthirrjeve./voa
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Vjenë
Kosti Deti mahnit me performancën e tij në Ambasadën Italiane në Vjenë Një mbrëmje e veçantë muzike me Kosti Detin në Vjenë... -
Shefi i Ushtrisë Zvicerane, së bashku me Ylfete Fanaj, vizituan trupat në Kosovë -
Kryetari shqiptar i Morbachut bëhet viral në Gjermani -
Ambasada e Kosovës në Zvicër takim me mjekë të rinj kosovarë në Bernë -
Bazel
E vetme, me valixhen plot ëndrra, Fjolla ja doli
Jeta në Zvicër
-
Shumica e zviceranëve mbështesin bashkimin në traktatin për ndalimin e armëve bërthamore Rreth 70% e të anketuarve në një sondazh janë në favor të bashkimit të Zvicrës me... -
Taksa zvicerane për qentë: Si e trajton Zvicra qenin tuaj si një person -
Rregullat e reja zvicerane të drejtimit të automjeteve që duhet t’i dini në vitin 2026 -
Katër nga pesë zviceranë mbajnë syze ose lente kontakti -
Bazel
E vetme, me valixhen plot ëndrra, Fjolla ja doli











