Kriza në Ukrainë
Rusia kërcënon me armë bërthamore nëse Ukrainës i lejohen sulmet thellë brenda territorit rus
Zyrtarët rusë kanë thënë se nëse Perëndimi i lejon Kievit të përdorë armët perëndimore për të sulmuar thellë në territorin rus, kjo do të rezultonte me përshkallëzim të madh të luftës në Ukrainë, që mund të përfshijë edhe përdorimin e armëve bërthamore.
Ish-presidenti Dmitry Medvedev, që tani është kryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, ka paralajmëruar më 14 shtator se Kievi do të kthehet “në një pikë të shkrirë gri ” nëse zbuten kufizimet kundër përdorimit të armëve perëndimore nga Ukraina.
Kievi vazhdimisht ka thënë se i duhet të kryejë sulme me rreze të gjatë veprimi brenda territorit rus, në mënyrë që të mbrojë veten kundër forcave pushtuese ruse.
Ideja së fundi ka marrë vrull, teksa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka shtyrë përpara atë. Disa udhëheqës evropianë po e shqyrtojnë mundësinë që t’i japin Ukrainës aftësi për të sulmuar nga larg, ndërkaq Britania raportohet se është afër të marrë vendimin që t’i lejojë Ukrainës të përdorë raketat e saj Storm Shadow, për të kryer sulme në territorin rus.
Më 13 shtator, presidenti amerikan, Joe Biden, dhe kryeministri britanik, Keir Starmer, pritej të diskutonin për këtë çështje gjatë takimit të tyre në Uashington.
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë nuk e përmendi këtë çështje pas përfundimit të takimit.
Duke iu referuar këtij takimi, Medvedev shkroi më 14 shtator se “imbecilët anglosaksonë nuk duan ta pranojnë se “durimi” i Rusisë ka fund, teksa ekspertët kanë sugjeruar se Rusia mund të përdorë armë bërthamore kundër Ukrainës, nëse Moskës i humb durimi.
“Çfarë mendojnë udhëheqësit perëndimorë dhe institucionet e tyre, duke luajtur në luftë, se cili do të jetë reagimi i shtetit tonë ndaj sulmeve të mundshme raketore ‘thellë brenda territorit të Rusisë?’”, shkroi Medevedev, i cili shpesh ka kërcënuar Kievin dhe Perëndimin, që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 2022.
Medvedev tha se një konflikt bërthamor “është një gjë shumë e keqe me një rezultat shumë të vështirë”, duke pretenduar se kjo është arsyeja pse Rusia nuk ka vendosur të përdorë deri në këtë pikë armë bërthamore “jostrategjike apo strategjike”. Megjithatë, ai tha se nëse do të vijë deri te përdorimi i armëve bërthamore, në vendin ku ndodhet Kievi do të krijohej “një pikë gjigante gri”.
Retorikë e tillë nga Moska është intensifikuar teksa Zelensky po vazhdon lobimin që shteti i tij të mund të përdorë armët që i ka marrë nga Perëndimi për të sulmuar thellë brenda territorit të Rusisë.
Më 12 shtator, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se çdo ndryshim në politikë që do të lejonte që armët perëndimore të përdoren ndaj territorit rus do të nënkuptonte se aleanca e NATO-s është “në luftë” me Rusinë.
Në qershor, Putini po ashtu kishte kërcënuar se do të dërgonte armë me rreze të gjatë veprimi – siç tha ai për një përgjigje “asimetrike” – në zona të ndryshme të botës, në mënyrë që të mund të sulmoheshin shtetet që e furnizojnë me armë Ukrainën.
Rusia po ashtu ka thënë se po ndryshon doktrinën e saj sa i përket përdorimit të armëve bërthamore. Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, tha më 1 shtator se kjo lëvizje “lidhet me kursin e përshkallëzuar të armiqve tanë perëndimorë”.
Më 14 shtator Ryabkov pretendoi se vendimi për t’i lejuar Ukrainës të kryejë sulme me rreze të gjatë ndaj Rusisë veçse është marrë nga Perëndimi dhe se Moska “është gati për gjithçka” dhe se “do të përgjigjet me gjithë forcën”.
Po të shtunën, zëvendëskryetari i Dumës shtetërore, Andrei Kolesnik, sugjeroi se Rusia duhet të shpërthejë armë bërthamore në territorin e saj, sa për t’ia kujtuar Perëndimin se çfarë kërcënimi paraqet arsenali bërthamor i Rusisë.
Shefi i stafit të Zelenskyt, Andriy Yermak, u është kundërpërgjigjur deklaratave nga zyrtarët në Moskë. Ai tha se këto reagime “janë dëshmi se regjimi i Putinit ka frikë se terrori i tij është drejt fundit”.
“Duhen vendime të forta. Terrori mund të ndalet duke shkatërruar ndërtesat ushtarake nga kryhen sulmet”, shkroi ai në Telegram.
Ai tha se dhënia e lejes për armët me rreze të gjatë veprimi “vetëm do ta përshpejtonte zgjidhjen” dhe nuk do të lejonte që “terrori rus të përhapet në shtete të tjera të botës”. / Radio Evropa e Lirë
Të tjera nga Kriza në Ukrainë
E-Diaspora
-
Yll Gashi vazhdon aventurën me Bayern Munichun, rinovon kontratën deri në vitin 2028 Talenti me prejardhje nga Kosova fiton besimin e klubit bavarez dhe pritet të jetë pjesë e... -
“Helvetia Gold”: Modeli shqiptar i suksesit në zemër të Cyrihut -
Amerikë
Desarta Rapushaj përfundon me sukses programin prestigjioz Fulbright në “Michigan State University” -
Zvicër
Fillojeta Makshana shpallet më e mira në gjuhën gjermane në komunën e Payernit të Zvicrës -
MPJD u bën thirrje qytetarëve të shmangin kalimin përmes Serbisë
Jeta në Zvicër
-
Zvicër
Dita Botërore e Çokollatës: Pesë fakte që e bëjnë çokollatën zvicerane të veçantë Zvicra mbetet konsumuesja më e madhe e çokollatës për frymë në botë dhe vendi ku lindi... -
“Helvetia Gold”: Modeli shqiptar i suksesit në zemër të Cyrihut -
Zvicër
Ardon Jashari dhe Ruben Vargas: Jemi gati të luftojmë për çerekfinalen -
Zvicër
Fillojeta Makshana shpallet më e mira në gjuhën gjermane në komunën e Payernit të Zvicrës -
Granit Xhaka, lideri i kompletuar që frymëzon Zvicrën












