Kriza në Ukrainë

Ukrainë: Të paktën 11 të vrarë nga sulmet ruse

Të paktën 11 persona janë vrarë si pasojë e një vale sulmesh ruse në Ukrainë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka njoftuar se sulmet shkaktuan edhe zjarr në një monument të rëndësishëm fetar në Kiev.

Katër persona humbën jetën nga sulmet në kryeqytetin ukrainas, ndërsa pesë punonjës të ekipeve të shpëtimit u vranë teksa po përpiqeshin të shuanin një zjarr të shkaktuar nga një sulm në qytetin verilindor të Kharkivit.

Katedralja e Fjetjes së Hyjlindëses (Dormition Cathedral), e ndërtuar në shekullin XI, pësoi dëme të konsiderueshme në atë që presidenti ukrainas e cilësoi si “një nga krimet më të mëdha ruse kundër kulturës së krishterë sot”. 

Ndërkohë, një sulm me dron ukrainas në qytetin rus të Tulës vrau tre persona dhe plagosi tre të tjerë, përfshirë një fëmijë njëvjeçar, sipas autoriteteve lokale.