Kosova
KFOR-i refuzoi kërkesën e FSK-së për dërgimin e trupave në veri
Kosova fajëson Serbinë se qëndron pas shpërthimit në veri, akuzë që Serbia e mohon
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës, pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit në Komunën e Zubin Potokut, në veri, më 29 nëntor, kishin kërkuar autorizim nga komandanti i KFOR-it për dërgimin e mundshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në zonën e prekur.
“Komandanti i KFOR-it nuk ka dhënë një autorizim të tillë, bazuar në vlerësimin e tij të sigurisë dhe veprimet që tashmë janë ndërmarrë nga KFOR-i”, tha KFOR në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, transmeton albinfo.ch.
Kosova e bëri këtë kërkesë në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013, të nënshkruar mes institucioneve të Kosovës dhe NATO-s, sipas së cilës, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, e siguroi NATO-n se FSK-ja nuk do të shkojë në veri pa pëlqimin paraprak të KFOR-it.
FSK-ja u pa në veri, por a i lejohet të shkojë?
“Siç është komunikuar në deklaratën tonë të djeshme, KFOR ka vendosur njësite për të siguruar zonën e dëmtuar të kanalit të ujit në Zubin Potok. KFOR gjithashtu ka ofruar ndihmë shtesë për institucionet në Kosovë, duke përfshirë mbështetje logjistike dhe për asgjësimin e mjeteve shpërthyese”, tha KFOR në përgjigjen e tij.
Misioni shtoi se komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt me të gjithë partnerët e tij kryesorë dhe se po e mban situatën nën vëzhgim.
Kosova fajëson Serbinë se qëndron pas shpërthimit në veri, akuzë që Serbia e mohon.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielën në mbrëmje gjatë një konference për shtyp nuk iu përgjigj pyetjes nëse ai i kishte kërkuar KFOR-it leje për ta dërguar FSK-në në veri, por tha se “ne jemi të kufizuar në veri, duke qenë se ushtria jonë, bazuar në marrëveshjen e vitit 2013, nuk mund të shkojë në veri”.
“Prandaj, situata atje nuk është e njëjtë si në pjesët e tjera të vendit tonë”.
Kurti shtoi se, edhe pse nuk i pëlqen zotimi i dhënë për mosdërgimin e FSK-së në veri, ai do ta respektojë atë.
“A do të ishte më mirë dhe më e sigurt të ishte ushtria e Kosovës? Po, do të ishte. Mirëpo, nuk është atje, dhe ne e respektojmë atë zotim që ka dhënë Thaçi”, ka thënë Kurti.
Shpërthimi ndaj kanalit në fshatin Varragë të Zubin Potokut nuk shkaktoi viktima, por e krijoi një çarje të madhe në murin anësor të tij, duke shkaktuar rrjedhe të ujit jashtë kanalit, duke bërë që disa pjesë të vendit të përballeshin me reduktime uji.
Nga hidro-sistemi Ibër-Lepenci, në Gazivodë (Zubin Potok), furnizohet me ujë i gjithë veriu i Kosovës, rajonet e Mitrovicës si dhe Prishtina me rrethinë, përfshirë edhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
E-Diaspora
-
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hap 23 kuti postare për votuesit e diasporës Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka vënë në funksion 23 kuti postare në shtete të... -
Ministrja shqiptare paralajmëron iniciativa për të drejtat e diasporës në Greqi -
Udha e Lorik Canës: Sporti, Kultura dhe Kombi -
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato
Jeta në Zvicër
-
Pse Zvicra duhet të përqendrohet më shumë te kursimi i energjisë? Kushtetuta e Zvicrës parashikon që energjia të përdoret me kursim dhe në mënyrë të arsyeshme. Fondacioni... -
Temu, Shein, AliExpress: A duhet Zvicra të taksojë paketat kineze si BE-ja? -
Këshilli Kombëtar i Zvicrës miraton 1 milion franga për luftën kundër dhunës me bazë gjinore -
Asnjë kaos nga ndryshimi më i madh i orareve të transportit publik në Cyrih -
Studim alarmues: Deri në 90% e akullnajave mund të zhduken deri në vitin 2100











