Të tjera
Gazeta gjermane: Për herë të parë autokrati Aleksandar Vuçiq nuk di ç’të bëjë, është mësuar t’i ketë të gjithë nën kontroll
Autori i artikullit, Andrej Ivanji, e hap tekstin në të përditshmen berlineze Tageszeitung me një citim të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, nga profili i tij në Instagram: “Edhe pse mendoni se jam si Asadi, që do të arratisem – nuk jam”.
Kjo deklaratë “dramatike”, sipas Ivanjit, është rezultat i protestave të studentëve. Studentët në Serbi kanë bllokuar mësimin në 33 fakultete në katër qytete universitare të Serbisë. “Numri i tyre është dyfishuar që nga java e kaluar, kur Vuçiçi i tallte dhe i akuzonte studentët se marrin para nga kriminelë vendas dhe të huaj, me qëllimin e vetëm për ta larguar atë nga pushteti”.
Gazeta berlineze shkruan se “autokracia pseudostabile e Serbisë, një vend kandidat për anëtarësim në BE, është tronditur befazi, sepse kanë ngritur zërin të rinjtë që më parë konsideroheshin apolitikë”.
Sipas artikullit, “për autokratin serb Aleksandar Vuçiç gjithçka ka shkuar mirë për 12 vjet. Ai ka shkelur hap pas hapi Kushtetutën dhe ligjet, ka vënë nën kontroll institucionet shtetërore dhe median, dhe ka tentuar t’i mbyllë gojën shoqërisë civile. Me lehtësi ka mposhtur opozitën e ndarë. Protestat sporadike, madje edhe ato masive, i ka neutralizuar me përdorim minimal të forcës. Vuçiq dukej i paprekshëm”.
Por, më 1 nëntor ndodhi shembja e çatisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit – ku humbën jetën 15 njerëz. “Pas shokut dhe trishtimit, pasoi zemërimi i shumë qytetarëve. Dy ministra dhanë dorëheqjen, ndërsa 13 persona u arrestuan. Por kjo nuk ishte e mjaftueshme. Motoja “Gjak në duart tuaja” po dëgjohet si thirrje për betejë në të gjithë vendin”.
“Vuçiq për herë të parë nuk di çfarë të bëjë”
Demonstratat në Beograd po zhvillohen me moton “15 minuta për 15 viktima”, gjatë të cilave u ndërpre qarkullimi. Gjatë njërës prej këtyre aksioneve, disa studentë të Fakultetit të Arteve Dramatike u rrahën nga persona të njohur si anëtarë të SNS, partisë qeverisëse. Si reagim, studentët bllokuan fakultetin e tyre dhe kërkuan arrestimin e sulmuesve. Më pas, bllokada u zgjerua në fakultete të tjera, duke sjellë edhe kërkesa të reja.
Situata ngjan me protestat studentore në Serbi të viteve 1996/1997, që çuan në rënien e Slobodan Millosheviçit, shkruan Ivanji. Ai thekson se mbi një mijë profesorë dhe shkencëtarë kanë nënshkruar një peticion në mbështetje të studentëve, të cilët po mbështeten gjithashtu nga shumë aktorë dhe punonjës të arsimit, ndërsa paralelisht edhe fermerët kanë organizuar protesta sociale.
“Për herë të parë, duket se Aleksandar Vuçiq nuk di çfarë të bëjë”, përfundon Andrej Ivanji në artikullin e tij për Tageszeitung
E-Diaspora
-
Vjenë
Trupat e pajetë nga tragjedia e Vjenës nisën sot për Kosovë Trupat e pajetë të tre kosovarëve që humbën jetën të martën në një kantier punimi në... -
Cyrih
Festa e Fitër Bajramit bashkoi besimtarët shqiptarë në Cyrih -
SHBA
Astronomja nga Kosova, Pranvera Hyseni, fiton çmim prestigjioz në SHBA -
Itali
Vdes shqiptari në Itali, dyshohet se u hodh vetë para trenit -
Remitencat drejt Kosovës arrijnë 1.4 miliardë euro në vitin 2025, Gjermania dhe Zvicra kryesojnë
Jeta në Zvicër
-
Cyrih
Festa e Fitër Bajramit bashkoi besimtarët shqiptarë në Cyrih Besimtarët shqiptarë festojnë Fitër Bajramin në Cyrih me mesazhe paqeje... -
Revolucioni diellor evropian nisi në Zvicër? -
Stacioni më i lartë kërkimor në Evropë ndodhet në Zvicër? -
Linja e re e trenit të natës Cyrih–Bruksel nis në shtator -
Rreziku nga erërat e forta në teleferikë: Çfarë tregoi aksidenti në Engelberg











