Lajme
Musk: Amerika do të japë më shumë viza pune!
Miliarderi Elon Musk, drejtues i kompanive Tesla dhe SpaceX, u zotua të mbrojë me vendosmëri programin e vizave H-1B për punonjësit e huaj të teknologjisë të premten vonë. Kjo pason mosmarrëveshjet në rritje mes një pjese të mbështetësve të Presidentit të zgjedhur Donald Trump dhe udhëheqësve të kompanive të teknologjisë, të cilët e mbështetën atë në muajt e fundit të fushatës presidenciale.
Në një postim në platformën e mediave sociale X, Musk tha: “Arsyeja pse jam në Amerikë së bashku me kaq shumë njerëz me rëndësi kritike që ndërtuan kompanitë SpaceX, Tesla dhe qindra kompani të tjera që e bënë Amerikën të fortë, është programi i vizave H1B”.
“Unë do të luftoj për këtë çështje, të cilën ju nuk mund ta kuptoni,” shtoi ai.
Musk, një shtetas amerikan që ka lindur në Afrikën e Jugut, ka pasur një vizë H-1B dhe kompania e tij e makinave elektrike Tesla ka punësuar 724 vetë përmes programit të këtyre vizave këtë vit. Vizat H-1B janë zakonisht për periudha trevjeçare, megjithëse ata që janë të pajisur me këtë lloj vize mund ta zgjasin atë apo të aplikojnë për të marrë statusin e banorit të përhershëm.
Mesazhi i sipërmarrësit Elon Musk iu drejtua mbështetësve të zotit Trump dhe kundërshtarëve të emigracionit, të cilët kanë shtuar thirrjet për ndërprerjen e programit të vizave H-1B mes një debati të nxehtë mbi emigracionin dhe dhënien e vizave të punës për njerëz të kualifikuar.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump deri më tani nuk ka bërë komente për këtë çështje. Ekipi i tranzicionit i zotit Trump nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi postimet e sipërmarrësit Musk në X dhe debatin për vizat H-1B.
Në të kaluarën, zoti Trump ka shprehur gatishmërinë për të ofruar më shumë viza pune për punonjësit e kualifikuar. Ai ka premtuar gjithashtu se do të dëbojë të gjithë emigrantët që ndodhen ilegalisht në Shtetet e Bashkuara, do të vendosë tarifa për të ndihmuar në krijimin e më shumë vendeve të punës për qytetarët amerikanë dhe për të kufizuar ashpër imigracionin.
Çështja nxjerr në pah rolin e udhëheqësve të industrisë së teknologjisë si Elon Musk në tranzicionin presidencial. Ata kanë këshilluar zotin Trump lidhur me postet kyçe në kabinetin qeveritar dhe politikat dhe tani po tërheqin vëmendjen bazës së mbështetësve të tij.
Industria amerikane e teknologjisë mbështetet në programin e vizave H-1B për të marrë në punë të huaj të kualifikuar për të ndihmuar në drejtimin e kompanive të saj, një forcë punëtore që kritikët thonë se ul pagat për qytetarët amerikanë.
Debati nisi në fillim të kësaj jave nga aktivistë të së djathtës ekstreme, të cilët kritikuan emërimin nga zoti Trump të ish sipërmarrësit indiano-amerikan Sriram Krishnan në postin e këshilltarit për inteligjencën artificiale, duke thënë se ai do të kishte ndikim në politikat e imigracionit të administratës Trump.
Të premten, Steve Bannon, një mbështëtës i kahershëm i zotit Trump, kritikoi “oligarkët e mëdhenj të teknologjisë” për mbështetjen e programit H-1B dhe e konsideroi imigracionin si një kërcënim për qytetërimin perëndimor.
Në përgjigje të këtyre komenteve, Elon Musk dhe shumë miliarderë të tjerë të industrisë së teknologjisë u përfshinë në debat duke theksuar dallimin mes imigrimit të ligjshëm dhe atij të paligjshëm.
Elon Musk ka shpenzuar më shumë se 250 milionë dollarë për të ndihmuar fushatën e zotit Trump. Ai ka postuar rregullisht këtë javë për mungesën e talentëve vendas për të plotësuar të gjitha pozicionet e nevojshme brenda kompanive amerikane të teknologjisë. /VOA
E-Diaspora
-
Një ditë e bukur plot gëzim dhe kujtime të paharrueshme ...një shëtitje me karakter shkollor të nxënësve të disa shkollave shqipe dëshmoi edhe njëherë se organizimet... -
Ilirët sjellin shpirtin shqiptar në Festën e Ngjyrave në Aigle -
Dy motrat shqiptare që humbën jetën në aksident ishin nga Zvicra – flet babai i tyre -
Kthehet nga Gjermania, mërgimtari përballet me vjedhje në shtëpinë e tij -
Manifestim kulturor shqiptar në Bavari, nderohet figura e komandantit Bekim Berisha – “Abeja”
Jeta në Zvicër
-
Rekord i ri i nxehtësisë në Gjenevë Një temperaturë prej 36 gradë Celsius u regjistrua në Gjenevë-Cointrin duke shënuar 23 qershorin më të... -
Zyrtarja e migracionit lirohet nga akuza: “Shkeljet nuk ishin të natyrës penale” -
Firma Kantonale e IT-së shpërblen me 14.000 franga mbajtjen e punonjësve -
Zvicër: Integrimi i inteligjencës artificiale në biznese po rezulton më i ndërlikuar sesa pritej -
Ku qiramarrësit kursejnë pjesën më të madhe të pagave të tyre











