Kosova
Kosovë: KQZ në pritje të datës së zgjedhjeve lokale, shpjegon dallimet nga ato parlamentare
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka nisur parapërgatitjet për zgjedhjet lokale, datën e të cilave po e presin ta vendos presidentja, Vjosa Osmani.
Osmani pritet ta vendos datën e zgjedhjeve lokale gjatë muajit qershor, pas konsultimeve me subjektet politike, megjithatë ajo që dihet është se në bazë të ligjit, zgjedhjet lokale do të mbahen në muajin tetor të këtij viti.
Zgjedhjet do të bëhen për zgjedhjen e 38 kryetarëve të komunave dhe kuvendeve komunale. Ato do të jenë të tetat për kuvende komunale dhe të gjashtat për kryetarë të komunave.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka thënë se ky institucion është në proces parapërgatitor, që përfshin identifikimin e nevojave, planifikimin e buxhetit për zgjedhjet dhe shqyrtimin e rregulloreve zgjedhore.
“Aktualisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në proces parapërgatitor, që përfshin identifikimin e nevojave, planifikimin buxhetor dhe shqyrtimin apo vlerësimin e akteve nënligjore. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme vetëm pasi të shpallet data e zgjedhjeve, KQZ mund të fillojë me përgatitjet e përgjithshme për organizimin e procesit zgjedhor, respektivisht zbatimin e planit të aktiviteteve zgjedhore, të cilat ndërlidhen kryesisht me votuesit dhe subjektet politike”, ka thënë Elezi për KP.
Ai shpjegoi se pasi Ligji për Zgjedhjet Lokale nuk i është nënshtruar reformës zgjedhore siç ka ndodhur me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, shumë çështje që janë të përcaktuara në këtë ligj, mbesin të njëjta, si në zgjedhjet e kaluara locale, transmeton albinfo.ch.
“Siç e dini, ligji për zgjedhjet lokale nuk i është nënshtruar procesit të reformës zgjedhore ashtu siç ka ndodhur me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, prandaj disa çështje që janë të përcaktuara në këtë ligj mbesin të njëjta si në zgjedhjet e kaluara. Por, ka edhe çështje që kanë qenë të rregulluara me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe që vlejnë edhe në zgjedhjet lokale”, ka shtuar ai.
Elezi sqaroi edhe votimin jashtë vendit, që sipas tij, në zgjedhjet lokale të radhës do të organizohet vetëm përmes postës, pasi ligji nuk parasheh votimin në përfaqësi diplomatike.
“Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara për Kuvendin e Kosovës, në zgjedhjet lokale, votimi jashtë vendit do të realizohet vetëm përmes postës, pasi në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme specifikohet se votimi në përfaqësi diplomatike nuk aplikohet në këtë lloj zgjedhjesh”, ka potencuar Elezi.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka theksuar se edhe në këtë proces zgjedhor do të organizohen Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat do të jenë të vendosura në secilën komunë.
Mënyra e votimit dhe zgjedhjes së kryetarit të komunës do të jetë e njëjtë si në zgjedhjet e mëhershme, secili kryetar i komunës zgjidhet drejtpërdrejt nga votuesit e komunës, ku janë të regjistruar.
Në fletëvotim, votuesi duhet të votojë vetëm njërin nga kandidatët për kryetar të komunës. Kandidati zgjidhet kryetar i komunës nëse fiton 50%, +1 votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë pas katër javësh organizohet raundi i dytë mes dy kandidatëve të cilët kanë fituar më së shumti vota të vlefshme.
Historia e zgjedhjeve lokale në Kosovën e pasluftës ka filluar në tetorin e vitin 2000, kur për herë të parë ishin organizuar zgjedhjet për kuvendet komunale. Që nga ajo kohë dhe deri në vitin 2021, janë organizuar 7 procese të tilla.
E-Diaspora
-
Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër uron Fitër Bajramin Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ) njofton të gjithë besimtarët dhe besimtaret që jetojnë dhe veprojnë... -
Vjenë
Tragjedia në Vjenë: Mes viktimave edhe një punëtor nga Novi Pazari -
Kompania e ndërtimit fshin gjurmët pas vdekjes së tre kosovarëve -
Leipzig
Letërsia e Kosovës prezantohet në Panairin e Leipzigut -
Hapet dega e shtatë e shkollës shqipe në Lesvos
Jeta në Zvicër
-
Çfarë është një “ekstrakt i regjistrave kriminale” dhe për çfarë nevojitet në Zvicër? Nëse keni jetuar në Zvicër për njëfarë kohe, ka shumë mundësi që t’ju jetë kërkuar të... -
Për cilat poste politike zvicerane mund të kandidojnë shtetasit e huaj të natyralizuar? -
Pothuajse 96% e përfitimeve të vonuara të papunësisë janë paguar -
Aeroportet zvicerane shënojnë numër rekord udhëtarësh -
Autoritetet zvicerane presin financa më të dobëta për shkak të pagesave shtesë të pensioneve












