Lajme
A mund t’i vësh fëmijës tënd në Zvicër çdo emër që dëshiron?
Një debat i madh shpërtheu në Gjermani pasi një maternitet njoftoi lindjen e një foshnje me emrin Yahya Sinwar, emri i ish-liderit të Hamasit në Gaza. Por cilat janë rregullat për emrat e fëmijëve në Zvicër?
Javën e kaluar, materniteti i Spitalit Universitar të Lajpcigut publikoi në Instagram lajmin për ardhjen në jetë të një të porsalinduri me emrin Yahya Sinwar, i njëjti me atë të ish-liderit të Hamasit, i vrarë në vjeshtën e vitit të kaluar nga ushtria izraelite. Ky person konsiderohet si një nga organizatorët kryesorë të masakrës së 7 tetorit 2023 në Izrael. Lajmi, i përhapur nga mediat gjermane dhe më pas ndërkombëtare, ngjalli polemika të mëdha dhe ngriti pyetje mbi ligjshmërinë e një emri të tillë.
Cilat janë rregullat në Zvicër?
Në Zvicër nuk ekziston një listë zyrtare e emrave të ndaluar. Neni 37c, paragrafi 3, i Rregullores së Gjendjes Civile thotë:
“Nëpunësi i gjendjes civile refuzon emrat që dëmtojnë qartë interesat e fëmijës.”
Çdo rast shqyrtohet individualisht nga zyra përkatëse e gjendjes civile, e cila mund të refuzojë një emër. Megjithatë, prindërit kanë të drejtë ta kundërshtojnë vendimin në gjykatë.
Para se të refuzojë një emër, zyra e gjendjes civile zakonisht bisedon me prindërit për të gjetur një zgjidhje. Shpesh, emri problematik pranohet si emër i dytë. “Për shembull, kemi pranuar njëherë emrin Hurricane si emër të dytë,” thotë Madlen Brunner, shefe e Zyrës së Gjendjes Civile të qytetit të Lucernit, transmeton albinfo.ch.
Rastet e refuzimit janë të rralla
Në kantonin e Bernës, refuzimet ndodhin vetëm në disa raste të izoluara çdo vit. Që nga 1 janari 2024 është refuzuar vetëm një emër. Edhe në Lucern raste të tilla janë shumë të rralla. Një rast i njohur nga fillimi i viteve ’90 lidhej me një çift që donte të quante fëmijën “Schmucki”, mbiemri i vajzërisë së nënës. Gjykata Federale e refuzoi kërkesën.
Në kantonin Basel-Stadt vihet re një rritje e lehtë e kërkesave për emra të pazakontë, por rastet problematike mbeten të rralla.
Arsyet kryesore për refuzim
Shpesh, problemi lind kur emri përkon me një markë të njohur tregtare. Në këto raste, zyra e gjendjes civile diskuton me prindërit, por nëse ka arsye kulturore (p.sh., emri është i zakonshëm në një rajon tjetër të botës), mund të pranohet.
Në Bernë, emrat qartësisht femërorë nuk pranohen për djem dhe anasjelltas. Po ashtu, kombinime që përmbajnë numra ose simbole speciale, si “M1l@”, refuzohen.
Një arsye tjetër është përdorimi i mbiemrit të njërit prind si emër i parë, pasi ligji zviceran nuk lejon që fëmija të ketë dy mbiemra. Edhe emri Junior, i zakonshëm në Brazil, shpesh shkakton diskutime.
Megjithatë, autoritetet theksojnë se sot janë shumë më fleksibël për emrat krahasuar me disa dekada më parë.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Ardian Gjini i drejtohet diasporës: Mos e votoni Albin Kurtin Kandidati për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u bën thirrje bashkatdhetarëve në diasporë që... -
Hamburg
Kosova prezantohet me kulturë, film dhe muzikë në Hamburg -
Kanada
Imelda Prifti përfaqëson artin shqiptar në Kanada në ekspozitën “Women’s Voices” -
Zyra e BE-së në Kosovë shpall Shqipe Neziri Velën “Europiania e Vitit 2026” -
Budapest
Esra Zhubi doktoron me sukses në Universitetin prestigjioz Semmelweis në Budapest
Jeta në Zvicër
-
Përse ishte pezulluar procedura penale ndaj Klinikës së Zemrës në Cyrih Sipas një raporti të ri në media, përpjekjet e mëparshme për të filluar procedura penale kundër... -
Sukses i madh për Riola Xhemailin: Kampione e Holandës me PSV Eindhoven -
Burgdorf: Vdes një person i goditur nga treni, policia arreston disa të dyshuar -
Zvicër: Kostoja e strehimit, një barrë e rëndë për klasën e mesme -
Iniciativa 10 Milionëshe në “pat pozicion”











