Kosova
Nga mesnata ndryshojnë rregullat e hyrje-daljeve në BE edhe për kosovarët
Aeroportet e Europës përgatiten për vonesa; BE nis të dielën kontrollet me gjurmë gishtash
Nga mesnata e së shtunës, më saktësisht me nisjen e datës 12 tetor, do të nisë zbatimi gradual i rregullave të reja për hyrje dhe dalje në territorin e vendeve të Bashkimit Evropian për shtetasit e vendeve të treta të cilat gëzojnë mundësinë e lëvizjes pa viza. Vendet e BE-së në kufijtë e jashtëm të bllokut dhe të vendeve të tjera të zonës Schengen do të nisin gradualisht përdorimin e sistemit të ri të hyrjeve dhe daljeve (Entry-Exit System – EES). Këto rregulla do të zbatohen edhe ndaj shtetasve të Kosovës, të cilët mund të udhëtojnë në BE pa viza.
Këto rregulla, sipas sqarimeve nga BE-ja, nuk do ta kufizojnë liberalizimin e vizave, por vetëm do të ndihmojnë në kontrollin më të mirë të hyrje-daljeve dhe, si rrjedhojë, në rritjen e sigurisë për vendet e BE-së.
Nga e diela, 12 tetor, në vendkalimet kufitare do të nisë marrja e gjurmëve të katër gishtërinjve të dorës së djathtë dhe fotografimi digjital, ndërsa këto të dhëna do të regjistrohen në sistemin e ri të të dhënave. E tërë procedura do të bëhet vetëm herën e parë kur të hyjnë shtetasit e vendeve të treta në BE, ndërsa pastaj do të bëhet vetëm krahasimi i fotografisë në pasaportë me fotografinë në sistem.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian për çështje të brendshme, Markus Lamert, ka thënë se në gjashtë muajt e parë sistemi i ri do të përdoret vetëm në mënyrë të kufizuar, ndërsa pas një periudhe gjashtëmujore, më saktësisht më 10 prill të vitit 2026, do të hyjë në tërësi në fuqi.
“Gjashtë muaj është periudha e tranzicionit. Në fund të kësaj periudhe gjashtëmujore, sistemi i hyrje-daljeve do të vendoset plotësisht në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe vulosja e pasaportave do të zëvendësohet me regjistrim elektronik në sistem”, ka thënë ky zëdhënës i Bashkimit Evropian.
Masat e reja pritet të rezultojnë në pritje më të gjata në vendkalimet kufitare për shkak të procedurave të reja, megjithë deklarimet nga zyrtarët e BE-së se nuk presin që kjo të ndikojë në mënyrë dramatike.
BE-ja beson se me masat e reja do të kontrollojë më mirë se kush hyn në territorin e saj dhe do ta ketë më të lehtë për të zbuluar dhe sanksionuar ata që nuk i respektojnë rregullat e liberalizimit të vizave, sidomos ato për kufizimin e qëndrimit në territorin e BE-së.
Liberalizimi i vizave mundëson vetëm udhëtime për vizita në BE, me qëndrim të kufizuar deri në 90 ditë, ndërsa gjatë një viti maksimum 180 ditë. Ata që do t’i shkelin këto rregulla, e të cilët do të zbulohen më lehtë me sistemin e ri, do të mund të kenë pasoja, përfshirë edhe ndalimin e hyrjes në territorin e Bashkimit Evropian. /Albimfo.ch
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Gjykata gjermane refuzon kërkesën e shqiptarit: dokumentet ishin false Ai paraqiti si dëshmi të një kursi integrimi, testin "Të jetosh në Gjermani" dhe një test... -
Rriten pritjet në Dheu i Bardhë, mërgimtarët presin deri në 50 minuta për të hyrë në Kosovë -
127 fluturime direkte në një javë mes Prishtinës dhe Gjermanisë -
Mërgimtarët vazhdojnë të vijnë në Kosovë, pa pritje të gjata në kufij -
Londër
Me plisa në kokë dhe me ushqime tradicionale, kadetët e FSK-së prezantojnë Kosovën në Britani
Jeta në Zvicër
-
Personi fatlum fiton një milion franga në Swiss Lotto Numrat fitues ishin 8, 22, 24, 25, 31 dhe 33, siç u njoftua nga Swisslos. Numri... -
Një litër naftë kushton 2.14 franga: çmimi më i shtrenjë në dy vitet e fundit -
Shkatërrimi i rrobave është i ndaluar në BE, çfarë vlen për Zvicrën? -
UBS konfirmon parashikimet e saj të rritjes për Zvicrën -
Uji i pijshëm nuk është ende në rrezik, por bujqësia zvicerane nën presion
















