Maqedonia

Maqedoni: Kërcënime me bomba në disa shkolla të Kumanovës

Disa shkolla fillore dhe të mesme në Kumanovë kanë marrë pasditen e sotme mesazhe me kërcënime për bomba përmes postës elektronike. Pas alarmit, policia ka ndërhyrë menjëherë në të gjitha institucionet e përfshira, ndërsa nxënësit dhe stafi janë evakuuar për arsye sigurie.

Burime nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) kanë konfirmuar për Alsat se po zhvillohen kontrolle në terren dhe se pas verifikimeve do të jepet një deklaratë zyrtare, raporton alsat përcjell albinfo.ch.

“Sot (28.10.2025), rreth orës 18:00, në SPB Shkup dhe SPB Kumanovë është raportuar se disa shkolla fillore kanë marrë mesazhe elektronike për pajisje shpërthyese të vendosura nëpër ndërtesat e tyre. Aktualisht janë duke u zhvilluar kontrollet nga njësitë policore,” thuhet në njoftimin e MPB-së.

Autoritetet po punojnë për identifikimin e burimit të kërcënimeve, ndërsa fëmijët janë të sigurt dhe procesi mësimor është ndërprerë përkohësisht deri në konfirmimin e gjendjes së qetë.