Lajme
Festë e shkronjave shqipe në Vjenë
Në qendër të Vjenës artdashësit shqiptarë në Austri patën rastin të përjetojnë një mbrëmje të veçante artistike në të cilën, pos tjerash, u fol edhe për jetën, njerëzoren dhe mesazhet që përçon arti
Autor: Anton Marku
Në shënim të ditës së alfabetit të gjuhës shqipe dhe në prag të festës së flamurit kombëtar lidhja e shkrimtarëve dhe krijuesve shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ organizoi një aktivitet kulturor festiv në të cilin morën pjesë shkrimtari dhe përkthyesi i njohur nga Shkodra, Primo Shllaku dhe poetja nga Prishtina, Vlora Ademi. Në këtë manifestim morën pjesë edhe dy diplomate nga ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo ngjarje artistike u përcoll edhe me tinguj të muzikës qytetare dhe lexime nga krijuesit tanë në diasporë.
Në qendër të Vjenës artdashësit shqiptarë në Austri patën rastin të përjetojnë një mbrëmje të veçante artistike në të cilën, pos tjerash, u fol edhe për jetën, njerëzoren dhe mesazhet që përçon arti. Të pranishmit fillimisht i përshëndeti Anton Marku, kryetar i lidhjes së shkrimtarëve dhe krijuesve shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’, i cili ndër të tjera theksoi se ky format i orëve letrare tashmë është etabluar në Austri dhe se publiku po përfshihet gjithnjë e më tepër në debatet që kanë të bëjnë me të sotmen dhe të ardhmen e identitetit tonë kombëtar.
Mbrëmja ishte e ndarë në tri pjesë. Në pjesën e parë u zhvillua një bashkëbisedim me profesor Primo Shllakun, njërin ndër emrat me të spikatur të letërsisë moderne shqipe. Përpos si poet dhe romansier ai njihet edhe për përkthimet e tij, kryesisht nga gjuha frënge në atë shqipe, por jo vetëm, të Hygoit, Balzakut, Kafkës, etj. Ai ka botuar disa libra me poezi, tregime dhe romane. Temat të cilat u elaboruan gjatë kësaj bisede kishin të bëjnë me artin e shkrimit pas rënies së diktaturës komuniste, bashkëjetesën mes dialekteve e gjuhës shqipe, teatrit si mjet komunikimi me masat, etj.
Në pjesën e dytë studentja Gabriela Mujaj zhvilloi një bisedë me poeten Vlora Ademi, diplomate kulturore dhe autore e përmbledhjes me poezi ‘‘Katërdhjetë e pak’’ si dhe themeluese dhe udhëheqëse e dy festivaleve të poezisë në Kosovë, tashmë me renome edhe ndërkombëtare, ‘‘Republika’’ në Prishtinë dhe ‘‘ResPoetika’’ në Prizren. Në fund të kësaj pjese u lexuan edhe disa poezi të përzgjedhura nga vëllimi i lartpërmendur. Publiku pati rastin që të parashtrojë pyetje dhe bëj sugjerime dhe komente.
Në pjesën e tretë para publikut dolën autore dhe autorë shqiptarë me banim në Austri, Violeta Allmuça. Gjergj Jozef Kola, Angjelina Marku dhe Zaim Toska. Me prezencën e tyre këtë aktivitet e nderuan dhe Anila Ajvazi, konsulle e Shqipërisë në Vjenë dhe Marigona Vrajolli, sekretare e dytë në ambasadën e Kosovës në Austri.
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ shfrytëzoi rastin që të përgëzojë anëtaret e saj për sukseset e kohëve të fundit, në radhë të parë Gjergj Jozef Kolen për përzgjedhjen si laureat i qytetit të Vjenës dhe mbështetjen e dy projekteve të tij në fushën e dramës në gjuhën gjermane si dhe Gabriela Mujaj për botimin e librit të saj të parë ‘‘I dashuni jem zdrukthëtar’’ nën përkujdesjen e shtëpisë botuese ‘‘Onufri’’ nga Tirana, libër ky që u promovua disa ditë me parë në kuadër të panairit të letërsisë në kryeqytetin e shtetit shqiptar. Po ashtu u mirëprit edhe anëtarësimi në shoqatë i poetes nga qyteti i Grac-it Fitnete Krasniqi, autore e dy librave. Organizatorët ndanë edhe mirënjohje për donatorët dhe përkrahësit e përhershëm, afaristët Samed Vinca dhe Mair Istrefi.
Kësaj mbrëmje artistike i dhanë një sharm edhe më kombëtar pikat muzikore të interpretuara me mjeshtri nga Vlora Melchard në piano dhe Ersela Nekaj në violinë.
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ është themeluar në vitin 2011. Ajo është adresë e parë e krijuesve shqiptarë në Austri dhe pikë referimi për sa i përket letërsisë shqipe në këtë shtet. Duke u imponuar me një qasje serioze dhe kualitet në organizimin e më shumë se 70 orëve letrare dhe promovimeve të librave, ajo ka komunikuar në mënyrë shumë të frytshme me institucionet në nivel kombëtar, si Ministritë e Kulturës, të Arsimit dhe Diasporës, me Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës në Vjenë, me shoqatat dhe individët e ndryshëm, etj. Ajo po ashtu ka bashkëpunim shume domethënës edhe me organizatat austriake, sidomos me PEN Klubin e Austrisë dhe Lidhjen e Shkrimtarëve të Austrisë.
E-Diaspora
-
Stockholm
Grupi i valleve “Tradita” sonte përfaqëson kulturën shqiptare në Stockholm “Tradita” ngjitet në skenën e Stockholm-it me valle shqiptare... -
Suedi
Suedi promovohet libri “Shqipëria, Orienti i Europës” i Sven Aurén -
Winterthur
Ansambli “Trojet” prezantohet sonte me valle shqiptare në festivalin ndërkulturor në Winterthur -
Berlin
Festivali i Filmit Shqiptar po prezantohet në Berlin me 20 filma -
Kroaci
Mbrëmje e veçantë artistike në Zagreb për diasporën shqiptare
Jeta në Zvicër
-
Zvicër
Zvicër: Hapet ekspozita e artistes shqiptare Dorina Ukgjini Zvicër: Hapet ekspozita “Kunst in Spreitenbach”, prezantohet edhe artistja shqiptare Dorina Ukgjini... -
Rritet numri i punëtorëve ndërkufitarë në Zvicra, arrin në 413 mijë -
Përse ishte pezulluar procedura penale ndaj Klinikës së Zemrës në Cyrih -
Sukses i madh për Riola Xhemailin: Kampione e Holandës me PSV Eindhoven -
Burgdorf: Vdes një person i goditur nga treni, policia arreston disa të dyshuar




















