Lajme
Nata e parë e Tri Net Film Fest, një fillim i mbarë i festivalit
Tri Net Film Fest nis edicionin 2025. Salla e Neues Kino mirëpriti mbrëmë natën e parë të festivalit, që do të vazhdojë me dy netë të tjera programi
“Tri Net Film Fest”, i organizuar nga Studio e Aktrimit në Zvicër, hapi mbrëmë zyrtarisht edicionin e tij të ri, të katërt, duke përmbyllur me sukses natën e parë të festivalit që do të zgjasë tri netë. Evenimenti u zhvillua në Neues Kino, Freienstein, në një atmosferë të përzgjedhur, ku afërsia mes publikut dhe artit krijoi një prezencë të fortë kulturore.
Albinfo.ch është sponsor medial i aktivitetit.
Ceremonia u nderua nga përfaqësues diplomatikë të rajonit: Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bernë, Rexhep Demiri; Zëvendësambasadorja e Republikës së Kosovës në Bernë, znj. Shukrije Ramadani; Sekretari i Parë i Ambasadës së Shqipërisë, Valon Gashi si dhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha. Prania e tyre i dha ngjarjes një dimension institucional dhe ndërkulturor që pasqyron rëndësinë e festivalit në diasporë.

Programi u moderua nga aktorja Arjola Demiri, ndërsa përzgjedhja e filmave, nën kurimin e kineastit Ben Apolloni, solli një qasje të balancuar dhe profesionale. Lidhja Shqiptare në Botë, me në krye z. Nazmi Jakurti, ndau tri mirënjohje për Arjola Demirin, Yllka Zuzaku Mustafën – përfaqësuese e Studios së Aktrimit – dhe Ben Apollonin regjisor dhe seleksionues i programit të festivalii, duke vlerësuar kontributin e tyre në skenën kulturore.
Filmat e shfaqur në natën e parë
“Një histori e pa rrëfyer” – Sara Hoxhaj
Trajton mënyrën se si një realitet jetësor i periudhës komuniste shqiptare rikthehet sot në formë artistike, duke vënë përballë dy epoka politike dhe dy këndvështrime krijuese. Në qendër të tij qëndron pyetja se çfarë fiton dhe çfarë humbet e vërteta historike kur rrëfehet në një kohë që nuk i përket më, ndërsa rikujton absurditetin e një sistemi ku për një kanaçe Coca Cola mund të humbisje lirinë. Filmi prek gjithashtu klimën e vëzhgimit të vazhdueshëm dhe spiunimit 24 orësh, një realitet ku frika ishte aq e ngjeshur sa njerëzit duket sikur “nuk merrnin dot frymë”.
“Emri im është Sonila” – Suela Bako
Filmi ndjek Sonin, e cila, pasi i vidhet portofoli në autobus, përpiqet të gjejë hajdutët, por përballet më shumë me ngurtësinë e burokracisë policore sesa me krimin vetë. Me një qasje të mprehtë dhe realiste, filmi – i përzgjedhur dhe i vlerësuar në shumë festivale ndërkombëtare – shpalos absurditetin e një sistemi ku viktima shpesh humbet energjinë duke kaluar pengesat institucionale, jo duke kërkuar drejtësi.
“Në sytë e Xhelos” – Besa Tusha
Filmi i shkurtër na shpie në Shkupin e vjetër përmes vështrimit të Xhelos, një zejtar i mirëfilltë i Çarshisë, i cili rrëfen histori që ndërlidhin të shkuarën e qytetit me krizën ekonomike, politike dhe sociale që ai ka përjetuar ndër vite. Filmi ngre pyetje mbi mënyrën se si ndërtesat e reja dhe transformimet urbane mund të fshijnë gjurmë të rëndësishme historike, duke ndikuar mbi jetën e njerëzve dhe mënyrën se si ata e shohin të ardhmen e Shkupit. Po ashtu, diskutimi prek pabarazitë rajonale në proceset e rindërtimit, duke sugjeruar se ndryshimi nuk vjen njësoj për të gjithë.
“Mbijetesa dhe Shkolla” – Ilir Kabashi
Dokumentari sjell fatin e njerëzve që përballen me kohë të liga, varfëri, frikë dhe një realitet të përditshëm që shpesh vinte në pikëpyetje vetë jetën. I zhvilluar gjatë luftës në Kosovë, filmi ndjek historinë e një shkolle të improvizuar prej najloni në Malet e Berishës, ku rreth 200 nxënës gjenin një oaz paqeje dhe qëndrueshmërie në mes të pasigurisë. Ai është vlerësuar me çmime prestigjioze ndërkombëtare – ndër to edhe Çmimin e Kritikës në Festivalin “World Film Carnival”, Singapor – një dëshmi e forcës së rrëfimit të tij dokumentar.
“Atje ku qershitë janë gjithmonë të kuqe” – Shqipe Bebe Krasniqi
Dokumentar që eksploron përmes rrëfimit personal dhe materialeve arkivore mënyrën se si kujtesa, vendlindja dhe përjetimet familjare ndërthuren me historinë e një komuniteti. Filmi ndalet te migrimi, trauma e bartur dhe lidhja emocionale me hapësirat e humbura, duke dokumentuar se si brezat e rinj e ruajnë dhe e rikrijojnë rrëfimin e origjinës së tyre.
Filmat do të vlerësohen nga publiku por edhe nga juria profesionale e përbërë nga: Isuf Sherifi, poet, përkthyes dhe aktivist kulturor, Sabri Pajaziti, regjisor, skenarist dhe menaxher kulture dhe Burim Haliti, regjisor, skenarist dhe ligjërues
Pas shfaqjeve, të ftuarve iu ofrua një apero, e cila krijoi mundësi për rrjetëzim mes artistëve, profesionistëve të kulturës, diplomacisë dhe artdashësve.
Programi i natës së dytë – Sonte (5 dhjetor 2025, ora 19:30)
“Sharing” – Granit Dragaj; “Në kërkim” – Alban Goranci; “Bleifrei 95” – Tina Muffler & Emma Hütt; “Astra la vista” – Johannes Bachmann”
Programi i plotë dhe rezervimet online:
https://www.albinfo.ch/ky-eshte-programi-zyrtar-i-festivalit-tri-net-film-fest/
Rezervime të drejtpërdrejta: www.neueskino.ch
Biletat mund të blihen edhe në vendngjarje.
E-Diaspora
-
Vlashent Sata “Lufto me kenë i mirë, ma shumë ke me kenë i lirë” Vlashent Sata, një identitet artistik që harmonizon rrënjët me estetikën bashkëkohore. Intervistë me artistin që ndërthur... -
Itali
9-vjeçarja shqiptare fiton festivalin italian “Zecchino d’Oro” për herë të parë në 68 vjet -
Gjermani
Ekspozitë në Braunschweig, identiteti dhe arti kosovar në skenën gjermane -
Familja Munishi dhe vizioni i Nikolas: Një histori suksesi në Wil -
“Një ditë tjetër” e Mira Kazhanit në Cyrih: Promovimi që u shndërrua në një përqafim kolektiv
Jeta në Zvicër
-
SBB do të rinovojë trenat me dy kate për më shumë komoditet Investim 90 milionësh i SBB-së për trenat me dy kate... -
Fundjava sjell mot pranveror në Zvicër -
Çmimet e pronave në Zvicër vazhdojnë të rriten -
Familja Munishi dhe vizioni i Nikolas: Një histori suksesi në Wil -
Shtëpitë e të moshuarve në kantonin Aargau po arrijnë kapacitetin maksimal.

















