Lajme
Kush e solli lahutën para OKB-së në Gjenevë
Ai në zemër të Gjenevës solli veshjet kombëtare të Rugovës, çiftelinë e sharkinë, solli motivet burimore të valleve të Rugovës
Brahim Gjaferaj nga Rugova është një ndër të rinjtë e Kosovës që është larguar nga atdheu para tridhjetë viteve, por jo vetëm.
Ai në zemër të Gjenevës solli veshjet kombëtare të Rugovës, çiftelinë e sharkinë, solli motivet burimore të valleve të Rugovës.
Braha, siç e quajmë ne miqtë e tij, nuk e kishte harruar as lahutën e bjeshkëve krenare të Rugovës.
Gjithmonë Braha ishte i pranishëm aty ku kërkohej prezantimi i kulturës shqiptare.
Ai kultivoi për dekada e me shumë pasion trashëgiminë kulturore mu ashtu siq e kishte marrë nga të parët e tij.
Me Brahen njihemi prej më shumë se dy dekada. Ishte ndër të rinjtë më të përkushtuar në aktivitetet kulturore përderisa unë punoja si animatore sociokulturore në Universitetin popullor shqiptar e më pas në qendrën rinore Rinia Kontakt.
Gjithmonë i gatshëm në përkrahje të promovimit të vlerave kulturore shqiptare, Braha punonte punë të rënda si shumë mërgimtarë por, në mbrëmje dhe vikendeve, ai ishte ndër të parët që respektonte orarin e aktiviteteve, njeri motivues dhe me një diciplinë të rrallë. Madje nuk kursente as të ardhurat e tij financiare që i fitonte me shumë djersë kur kishim të realizonim projekte kulturore edhe jashtë kantonit të Gjenevës.
Një dashuri e madhe e përshkruante karakterin e tij djaloshar për etnomuzikologjinë shqiptare. Gjithmonë ishte këmbëngulës dhe mbronte me xhelozi melosin kombëtar.
Në vallet dhe meloditë e tij rugovase nuk lejonte ndërhyrje e modifikime. Idhnak në kuptimin pozitiv, Braha mbronte me shpirt trashëgiminë kulturore të vendlindjes së tij.
Ai e kishte shumë të qartë se Lahuta ishte simbol i kulturës shqiptare edhe kur disa të tjerë e cilësonin Brahën e Lahutën e tij « bjeshkatar të prapambetur »!
Braha gjithnjë ishte aty ku e kërkonte vendi për prezantimin e kulturës shqiptare ndonëse nuk i jepnin hapësirën që ai meritonte.
Braha e dinte mirë se Lahuta nuk ishte vetëm një vegël muzikore por ajo është kujtesë kolektive, epikë, identitet dhe frymëmarrje historike shqiptare.
Atyre që nuk e njihnin Lahutën, Braha ua sqaronte me një definicion teknikisht të thjesht: « Lahuta është një instrument kordofon me një tel të vetëm, i cili luhet me një hark të vogël (si tek violina).
Zakonisht është prej druri arre, thane apo panje, e zbukuruar me motive tradicionale, shpesh me kokën e një zogu, kalorësi apo kaprolli. Në vendlindjen time pothuajse të gjithë e kishim këtë vegël brenda kullave tona si pjesë e pandashme e thesarit malësor dhe ajo nuk guxohej të prekej pa leje».
Artisti i bjeshkëve të Rugovës në Gjenevë edhe më të rinjëve të lindur në mërgatë ua sqaronte me krenari se si « Lahuta ka qenë instrumenti shoqërues i këngeve epike që përdorej në këngët e kreshnikëve, në trimëritë dhe betejat historike, në këngët tek legjendat e maleve, kur u këndohej veprave të heronjve. »
Edhe në Gjenevë Braha ëndërronte, sa herë merrte Lahutën, në sytë e tij shfaqeshin bjeshkët e Rugovës. Ndonëse i ri në moshë, ai hynte e këndonte në petkun e lahutarit, që zakonisht ishte një burrë i moshuar që mbante gjallë historinë e brezave përmes këngës me një zë të lartë e të qëndrueshëm, ritëm të ngadaltë, intonacion të ngjashëm me recitimin epik.
Sot kur po flasim për Lahutën e cila po përjeton një rilindje si pjesë e traditës epike të këngëve kreshnike në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, Lahuta po përdoret edhe nga artistë bashkëkohorë, shfaqet në skenë dhe ekspozita, studiohet si pjesë e etnomuzikologjisë dhe ajo vazhdon të jetë një nga simbolet më të forta të identitetit shqiptar.
Duke e njohur mirë rolin e lahutës, që ishte simbol i burrërisë, nderit, besës, qëndresës,
dhe kujtesës së popullit, këtë vit Brahim Gjaferaj, në Ditën ndërkombëtare të të zhdukurve me dhunë më 30 gusht, e në përkujtim të të gjithë atyre që u kidnapuan e janë zhdukur me dhunë edhe gjatë luftës në Kosovë, në mënyrën më dinjitoze të mundshme, ai para Organizatës së Kombeve të Bashkuara ( OKB-së) në Gjenevë, ka hapur, me Lahutën e tij manifestimin përkujtimor « Përderisa i kujtojmë, ata jetojnë « . Manifestim ky që ishte nderuar nga autoritetet gjenevase, komunitete të shumta që jetojnë në këtë kanton dhe me një pjesëmarrje të zëshme nga Republika e Kosovës të përfaqësuar nga Komisioni qeveritar për të zhdukurit me dhunë dhe Zyra për krime të rënda të luftës.
Para se të shkruhet historia, Brahimi thotë se lahuta përcjellë zërin e saj të shenjtë, duke e treguar historinë tonë aty ku jemi.
Le të vazhdojë të çmohen artistët e popullit dhe pasuria jonë kulturore kombëtare.
E-Diaspora
-
Diaspora
Pse ka më pak aplikime nga diaspora për zgjedhjet e 28 dhjetorit? Analiza e fenomenit të kthimit në Kosovë gjatë fundvitit... -
Mbi 77 mijë votues nga diaspora janë regjistruar për zgjedhjet e 28 dhjetorit -
LDK mban takim me mërgatën në Austri -
Shqiptarja debuton në ekranin e madh me filmin britanik kriminal “A Gangster’s Life” -
Ceremonia e Çmimeve AWL 2025 mbyll me sukses edicionin e gjashtë në Prishtinë
Jeta në Zvicër
-
Fjalët më të përfolura në Zvicër gjatë vitit 2025 «Frauen-Nati» është zgjedhur fjala zvicerane e vitit 2025 nga Zürcher Hochschule für Angewandte Wissenschaften (ZHAW). Në... -
Deputetët miratojnë tituj të rinj profesionalë për arsimin e lartë profesional -
Qytetarët me shtetësi të dyfishtë franko-zvicerane nuk do të mund t’i shmangen më shërbimit ushtarak në Zvicër -
Valë e re shkurtime punësimi në Zvicër -
Lugano po bëhet qendra zvicerane e bitcoin-it











