Kosova
Bujqësia në Kosovë, një potencial për t’u zhvilluar
Kur do të nisë një shpërndarje në shkallë të gjerë e specialiteteve kosovare, të afta të rivalizojnë me ato që vijnë nga Kroacia apo Maqedonia? Pyetja mbetet ende e hapur
A do t’i shohim ndonjë ditë dyqanet ushqimore në Zvicër apo Gjermani të ekspozojnë me krenari Produced in Kosovo? Kur do të nisë një shpërndarje në shkallë të gjerë e specialiteteve kosovare, të afta të rivalizojnë me ato që vijnë nga Kroacia apo Maqedonia? Pyetja mbetet ende e hapur, ndërsa disa do të përgjigjeshin me ironi: atë ditë kur vetë kosovarët do të njohin vlerën e prodhimit të tyre bujqësor dhe kur shteti më në fund do ta mbështesë këtë sektor po aq sa promovon degët e tjera të ekonomisë.
Suhareka, në jug të Kosovës, është një nga komunat kryesore bujqësore të vendit.
Edhe pse ekonomia kosovare po bëhet gjithnjë e më e njohur ndërkombëtarisht përmes sektorit të tretë që po zhvillohet me ritme të shpejta, themeli i saj historik dhe shoqëror mbetet thellësisht rural. Dhe bujqësia, ndonëse pak e mekanizuar, vazhdon të jetë një shtyllë ekonomike: në vitin 2022 ajo përfaqësonte 7.4 për qind të PBB-së dhe përfshinte 23 për qind të fuqisë punëtore. Sigurisht, madhësia mesatare e fermave, e vlerësuar nga FAO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi) ndërmjet 1.5 dhe 3.2 hektarë, pasqyron trashëgiminë e një modeli vetëfurnizues: gati 50 për qind e sipërfaqes së përgjithshme të tokës së punueshme, pak mbi 420 mijë hektarë (që përbëjnë rreth gjysmën e territorit të Kosovës), shfrytëzohet nga ferma që kanë më pak se 5 ha, dhe njëra në dy nuk i kalon 1 ha. Prania e përhapur e traktorëve të vegjël të kuq IMT, të vjetër por të pathyeshëm, të përsosur për këto sipërfaqe, është një dëshmi e qartë vizuale e kësaj.
Disa fermerë kanë arritur të investojnë në makineri bujqësore të përshtatura për sipërfaqe të mëdha, si këta dy traktorë në afërsi të Suharekës.
Megjithatë, brenda gjysmë shekulli, struktura bujqësore e vendit ka kaluar një zhvillim të jashtëzakonshëm, gjë që shihet nga projektet e shumta inovative që kanë marrë jetë, falë sipërmarrësve të vegjël të qëndrueshëm dhe punëtorë, të cilët besojnë në konceptet e tyre dhe arrijnë të bashkohen për të krijuar sinergji efektive si në tregun e brendshëm ashtu edhe në eksport. Disa shembuj të tillë do të paraqiten në pjesën e dytë të kësaj serie prej tre artikujsh kushtuar bujqësisë kosovare. Modele frymëzuese, që kanë ditur të shfrytëzojnë potencialin bujqësor të vendit, një vend ku në disa rajone pothuajse çdo familje zotëron ende tokë të punueshme, po aq sa kanë ditur të shkojnë përtej tij. Dhe mbi të gjitha, ndërmarrje që arrijnë të kapërcejnë pengesat e shumta strukturore, madje edhe shoqërore, që ngadalësojnë zhvillimin e tyre. Duke i analizuar këto të fundit, kuptohet edhe më mirë merita e fermerëve që i përkushtohen profesionit të tyre dhe e shndërrojnë atë në një histori suksesi.




Traktori i fortë IMT, një mbijetues i epokës jugosllave, i përshtatur në mënyrë të përkryer për sipërfaqet e vogla të shumicës së fermave në Kosovë.
Sigurisht, do të ishte e padrejtë të thuhej se shteti i Kosovës i lë bujqit të arrangohen vetë. Bujqësia mbështetet realisht, si përmes një sistemi pagesash direkte të ngjashëm me atë të Zvicrës dhe vendeve të Bashkimit Evropian, ashtu edhe përmes subvencioneve të dhëna nga Ministria e Bujqësisë ose, në nivel rajonal, nga departamentet përkatëse të komunave. Por në praktikë, kjo mbështetje funksionon vetëm pjesërisht.
Fusha mes Suharekës dhe Mushtishtit (jug i Kosovës).
Së pari, sepse sistemi i pagesave direkte lidhet me sipërfaqen e deklaruar dhe për këtë arsye është i cenueshëm ndaj abuzimeve: për shkak të një farë paqartësie të krijuar nga copëtimi i skajshëm i fermave, shumë pronarë përfitojnë ndihma pa kultivuar asgjë në copën e tokës që posedojnë. Ministria e Bujqësisë, e vetëdijshme për problemin, po përpiqet të ndryshojë kriteret e dhënies së subvencioneve, duke u bazuar më shumë në shifrat reale të prodhimit sesa në sipërfaqen e regjistruar në kadastër. Një punë e gjatë, që kërkon hapa të ngadaltë por të qëndrueshëm.
Së dyti, edhe pse Ministria e Bujqësisë ka një buxhet subvencionesh prej 30 deri në 35 milionë euro në vit, pra më të madhin ndër ministritë, kërkesat e kalojnë shumëfish këtë shumë. Shefi i projektit dhe bashkëthemelues i BIOKS, një ndërmarrje shërbimi e specializuar në mbështetjen e bizneseve që kërkojnë të sigurojnë kredi dhe subvencione nga qeveria apo investitorët e huaj, Naim Kicaj është personi ideal për ta ditur këtë, aq më tepër kur më shumë se një e treta e klientëve të tij janë bujq. “Nga tetë kërkesa që arrijnë në ministri, vetëm njëra merr financim, tregon ky banor i Suharekës, një prej rajoneve kryesore bujqësore të Kosovës. Dhe ndërprerja e financimeve të USAID të vendosur nga administrata amerikane nuk do ta përmirësojë situatën.”



Ashtu si shumë ferma të tjera në Kosovë, edhe kjo fermë në afërsi të Suharekës bazohet në diversifikim. Mes dhjetëra arrave të mbjella së fundmi, pula të rritura në natyrë kullosin lirshëm.
Sigurisht, kur një sipërmarrës bujqësor arrin të sigurojë financimin për një projekt të caktuar, mbështetja nuk është e vogël, pasi shuma maksimale mund të variojë nga 100 mijë deri në 400 mijë euro për një projekt të madh në një sektor të caktuar, për shembull përpunimin e produkteve të mishit ose perimeve.
Por duhet arritur të kalohet përmes pengesave të shumta juridike dhe administrative për të përfituar nga fondet qeveritare. “Ndryshe nga pagesat direkte, subvencionet shtetërore nuk jepen automatikisht në bazë të sipërfaqes së punuar ose prodhimit,” shpjegon Naim Kicaj. “Patjetër duhet të plotësohet një nga tre kushtet e mëposhtme: të mund të dëshmohet pronësia e parcelës, të mund të dëshmohet se parcela i ka përkitur njërit prej të parëve në vijë të drejtë familjare, ose të ekzistojë një kontratë qiraje e nënshkruar te noteri. Mirëpo privatizimi i kooperativave shtetërore, të cilat ishin sistemi mbizotërues para luftës, ka bërë që 75 për qind e tokave bujqësore të Kosovës të mbeten pa pronar ligjor.” Kështu, shumë fermerë nuk kanë as mundësinë të kërkojnë një subvencion. Të vetëdijshme për problemin, autoritetet kanë krijuar një procedurë të certifikimit të pronësisë që kërkon praninë e dëshmitarëve, por kjo, ndonëse duket e thjeshtë, mund të bëhet shumë e ndërlikuar, sidomos kur trashëgimtarët jetojnë jashtë vendit. “Ky është një pengesë madhore për investimet në sektorin bujqësor,” thekson specialisti.

Rritja e pulave në afërsi të Suharekës.
Pasiguria juridike lidhur me pronësinë e tokës ka sjellë edhe një efekt anësor të dëmshëm që vërehet prej disa vitesh: tkurrjen e sipërfaqeve bujqësore në favor të parcelave të destinuara për industrinë. “Ekziston një planifikim hapësinor që përcakton se cilat parcela janë në zonë të mbrojtur, por shpesh shohim ndërtime të objekteve industriale në ato toka që teorikisht duhet të mbeten për bujqësi”, shprehet një burim në Departamentin e Pronave dhe Kadastrës në Suharekë. Ndërtimi i zonave industriale që respektojnë planin hapësinor do ta evitonte këtë problem, dhe kjo është ajo që po synon të bëjë Komuna.
Me pak fjalë, nuk është e lehtë të zhvillosh një projekt bujqësor në një kontekst të tillë. Aq më tepër që infrastruktura rurale mbetet shumë e mangët; shumë rrugë fshati dhe rrugë shërbimi për bujqësi janë në gjendje të keqe, madje të pakalueshme, dhe kërkesat për ndërhyrje hasin në buxhetet e kufizuara të komunave. Sa i përket ujitjes, ajo mbetet e pasigurt. Disa fshatra në zonat rurale presin prej dekadash të lidhen me një rrjet furnizimi me ujë dhe mund të mbështeten vetëm te pusët e ndërtuara nga banorët me shpenzimet e tyre, edhe pse shkurtësia e sezonit bujqësor e zbut për momentin ndikimin e thatësirave verore.
Vreshta në afërsi të Suharekës.
Së fundi, faktorët shoqërorë po ashtu e ngadalësojnë zhvillimin e sektorit. Bujqësia shpesh perceptohet si një veprimtari me pak vlerë krahasuar me sektorin e patundshmërisë apo atë të shërbimeve. Gratë janë aktive në këtë fushë, madje ndonjëherë edhe në krye të fermave inovative, por ato duhet të luftojnë për t’u njohur plotësisht si sipërmarrëse të pavarura. Sa i përket sinergjive kolektive, të domosdoshme të paktën për të lehtësuar barrën financiare që blerja e makinerive të prodhimit ose përpunimit ia imponon familjeve bujqësore, ato fatkeqësisht pengohen nga një mosbesim i vjetër ndaj kooperativave bujqësore, të lidhura me epokën socialiste.
Mbarështimi i lopëve qumështore dhe shitja direkte e qumështit dhe djathit janë baza e fermës së Drita Kabashit në Sallagrazhdë, në Komunën e Suharekës.
Si pasojë, pavarësisht gjallërisë së disa iniciativave lokale (si ato që do t’i prezantojmë në pjesën tonë të ardhshme), vendi është larg vetë-mjaftueshmërisë ushqimore. Varësia nga importet, veçanërisht përmes zinxhirëve të supermarketeve si VIVA Fresh, SPAR apo CONAD, të cilët kanë dominuar ndjeshëm mbi tregjet e fshatrave dhe dyqanet e vogla ushqimore, në një vend ku popullsia po përqendrohet gjithnjë e më shumë në qytete paraqet një problem. Ajo ngre çështje të sigurisë ushqimore në afat të gjatë, por edhe të shëndetit publik, pasi lidhet me praninë e produkteve të përpunuara shpesh me cilësi të dobët dhe që vijnë nga sisteme agro-industriale shumë intensive të vendeve fqinje si Maqedonia e Veriut, Kroacia e të tjera. E megjithatë, Kosova i ka të gjitha mundësitë për të prodhuar mirë, për të ushqyer mir dhe për të eksportuar mirë.
Blaise Guignard
E-Diaspora
-
Viti i diasporës: Kush vendos për fatin e Kosovës? Tri palë zgjedhje e kthyen diskutimin në një arenë të hapur: pse diaspora duhet të votojë?... -
Magazina albinfo.ch sjell personalitetet shqiptare të Zvicrës për vitin 2025 -
Diaspora
Pse ka më pak aplikime nga diaspora për zgjedhjet e 28 dhjetorit? -
Mbi 77 mijë votues nga diaspora janë regjistruar për zgjedhjet e 28 dhjetorit -
LDK mban takim me mërgatën në Austri
Jeta në Zvicër
-
Zvogëlimi i tarifave amerikane do të shpëtojë firmat zvicerane Federata Zvicerane e Biznesit, economiesuisse, shpreh lehtësim pas uljes së tarifave amerikane për Zvicrën nga 39%... -
Aeroporti i Cyrihut pranë thyerjes së rekordeve para-Covid për numrin e pasagjerëve -
Dyqanet zvicerane shesin trotinetë elektrikë që mund të jenë të paligjshëm -
Gjeneva do ta nisë vitin 2026 pa buxhet -
Top 10 destinacionet për ski në Evropë, dy në Zvicër e një në Austri



















