Kosova
Hagë: Refuzohet ankesa e Thaçit për shkelje të të drejtave të tij në rastin kundër administrimit të drejtësisë
Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ka refuzuar ankesën e Hashim Thaçit lidhur me pretendimet për shkelje të të drejtave të tij themelore gjatë procedurave në rastin kundër administrimit të drejtësisë.
Përmes avokatëve Sophie Menegon dhe Luka Mishetiq, Thaçi e kishte dorëzuar ankesën më 29 dhjetor 2025, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në ankesën e tij, Thaçi pretendon se caktimi i gjyqtarit që autorizoi masat e veçanta hetimore, edhe si gjyqtar i procedurës paraprake, nuk ishte në përputhje me ligjin.
Përveç kësaj, në ankesë është thënë se janë shkelur të drejtat e Thaçit për respektimin e jetës private dhe familjare për shkak të masave të veçanta hetimore që janë autorizuar nga gjyqtarët në fjalë, transmeton albinfo.ch.
“Parashtruesi po ashtu u ankua se masat e posaçme hetimore dhe masat e tjera të autorizuara ndaj tij nuk ishin marrë “në përputhje me ligjin”, meqë gjyqtari i vetëm në dosjen hetimore dhe gjyqtarja e procedurës paraprake në Çështjen 12 ishin caktuar në kundërshtim me nenin 33 të Ligjit. Sipas Parashtruesit, kjo përbënte shkelje të të drejtës së tij për respektimin e jetës private dhe familjare sipas nenit 36 të Kushtetutës dhe nenit 8 të Konventës”, thuhet në vendim.
Kushtetuesja i ka shpallur të papranueshme ankesat e parashtruara nga Hashim Thaçi, duke vlerësuar se ato janë të parakohshme dhe të pambështetura. Aty thuhet se sipas Kushtetutës dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara, individët mund t’i drejtohen asaj vetëm kur paraqitet qartazi pamja e një shkeljeje kushtetuese dhe pasi të jenë shteruar mjetet juridike efektive.
Gjithashtu, DhSK hodhi poshtë pretendimet për shkelje të së drejtës për respektimin e jetës private dhe familjare, duke vlerësuar se ato ishin të formuluara në mënyrë të përgjithshme dhe pa specifikuar vendime apo masa konkrete që do të përbënin shkelje të nenit 36 të Kushtetutës dhe nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Po ashtu, Dhoma konstaton se ankesa e Parashtruesit lidhur me shkeljen e të drejtës së tij për respektimin e jetës private dhe familjare sipas nenit 36 të Kushtetutës dhe nenit 8 të Konventës, për shkak të masave të autorizuara ndaj tij, është e pambështetur dhe nuk zbulon pamjen e një shkeljeje të të drejtave kushtetuese të Parashtruesit. Prandaj, edhe kjo pjesë e Referimit duhet të shpallet e papranueshme në përputhje me Rregullën 14 (f) të Rregullave të DhSK-së”, thuhet në vendim.
Ndryshe, fillimi i gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smkajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, është caktuar më 27 shkurt 2026.
Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.
Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.
Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.
Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.
Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
E-Diaspora
-
Evropa rrit kërkesën për profesionistë shqiptarë, Gjermania mbetet destinacioni kryesor Talentet po i merr Europa, qindra të rinj të kualifikuar largohen drejt BE-së... -
Bern
Nxënësit e Shkollës Shqipe në Ostermundigen nisin përgatitjet për Ditën e Pavarësisë së Kosovës -
Studentja shqiptare në Harvard, Julia Karabolli, kryen praktikë në Kuvendin e Shqipërisë -
Lea Ypi do të mbajë leksionin inaugural në Kolegjin e Francës -
Çfarë i duhet Cyrihut për të qenë një qytet gjithëpërfshirës?
Jeta në Zvicër
-
18 vjeçari ngjitet mbi tren, vdes nga goditja elektrike 18-vjeçari iu ishte afruar shumë komponentëve elektrikë të trenit dhe për pasojë pësoi një goditje elektrike... -
Çfarë dihet për përkatësinë kombëtare të banorëve të huaj të Cyrihut në vitin 2026 -
Rënia e udhëtimeve të zviceranëve drejt SHBA-së pritet të vazhdojë -
Tesla del nga dhjetë makinat më të shitura elektrike në Zvicër -
Rritje e re e shkallës së papunësisë në janar, ka arritur në 3.2%













