Integrimi
Ndërmjet Washingtonit, Strasburgut dhe Zvicrës: LUGINAS po ndërton një model inovativ të organizimit për diasporën
Intervistë e albinfo.ch me kryesinë e Lidhjes së Shoqatave të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në Zvicër (LUGINAS)
Në një kohë kur diaspora shqiptare po kërkon forma më të organizuara dhe funksionale për përfaqësim dhe zhvillim, LUGINAS po shfaqet si një model inovativ i koordinimit të komunitetit shqiptar në Zvicër. Me një qasje më të strukturuar, profesionale dhe me synime afatgjata, kjo Lidhje po tenton të fuqizojë rolin e diasporës, si në Zvicër ashtu edhe në vendlindje.
Për zhvillimet e fundit dhe planet në vijim, albinfo.ch bisedoi me Tefik Selmanin (kryetar), Ardijan Asllanin (sekretar) dhe Fadil Selmanin (arkëtar).
albinfo.ch: Si lindi ideja për themelimin e LUGINAS?

Tefik Selmani:
Lindi nga nevoja për koordinim më të mirë të shoqatave të Luginës në Zvicër. Me angazhimin dhe mbështetjen maksimale të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bernë, u rrit interesimi për shqiptarët e Luginës në Zvicër. Fillimisht, Ambasada identifikoi 26 shoqata të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, dhe pastaj filloi kontaktimi dhe takimi i tyre. Më 30 tetor 2021 në Zyrih u themelua Lidhja e Shoqatave të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në Zvicër (LUGINAS).
Bashkimi u bë për të koordinuar veprimtaritë e tyre dhe për të promovuar ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare në Zvicër, si dhe për të mbajtur lidhje më të fortë me origjinën. Themeli i Lidhjes pasoi nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit më 29 maj 2021 në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Bernë, me praninë dhe mbështetjen e plotë të stafit të Ambasadës.
Ardijan Asllani:
Kishte shumë aktivitete të shkëlqyera që shoqatat zhvillonin individualisht, por mungonte një platformë e përbashkët bashkëpunimi. A nuk ishte pikërisht kjo nevojë, që të flasim me një zë të vetëm për të gjithë shqiptarët e Luginës në Zvicër, ajo që nismën e bëri të domosdoshme? Ky koordinim u bë realitet dhe u garantua që secila shoqatë të ruante rolin dhe kontributin e vet brenda bashkimit.
albinfo.ch: Ku qëndron sot LUGINAS si organizatë?
Tefik Selmani:
Sot LUGINAS po ndërtohet mbi punën e mëparshme dhe angazhimin maksimal të Kryesisë aktuale dhe vizionit të qartë për zhvillimin e saj në dhjetë vitet e ardhshme (2025–2035). Shoqata unifikuese e krijuar ka një model funksionimi sipas sistemit zviceran, ku kryesia udhëhiqet me rotacion: çdo vit roli i kryesisë kalon nga Presheva te Bujanoci dhe më pas te Medvegja, duke u dhënë mundësi secilës komunë të udhëheqë dhe të kontribuojë drejtpërdrejt në drejtimin e Luginas.
Këtë vit, për herë të tretë që nga themelimi, kryesia udhëhiqet nga Bujanoci, dhe vitin e ardhshëm roli do t’i kalojë Medvegjes, duke garantuar drejtësi dhe përfaqësim të barabartë për të gjitha shoqatat.

Fadil Selmani:
Synimi është të krijojmë stabilitet dhe vazhdimësi në organizim, duke identifikuar dhe mbledhur rreth Lidhjes, sa më shumë të rinj nga Lugina e Preshevës që jetojnë në Zvicër.
albinfo.ch: Me çfarë sfidash u përballët në fillim?
Ardijan Asllani:
Në fillim, sfida më e madhe ishte të harmonizonim mënyrat e ndryshme të funksionimit të shoqatave. Secila kishte mënyrën e vet të organizimit dhe aktiviteteve, dhe duhej një platformë që t’i bashkonte të gjitha nën një vizion të përbashkët.
Tefik Selmani:
Për ta bërë këtë realitet, rishikuam statutin, krijuam struktura më funksionale dhe prioritet kishin projektet qe do te jene vazhdimesi e kryesise pasuese. Kjo na lejoi të vendosim bazat për një koordinim të efektshëm dhe punë konkrete, duke i dhënë secilës shoqatë mundësinë të kontribuojë drejt bashkimit dhe zhvillimit të LUGINAS.
albinfo.ch: Si e vlerësoni situatën aktuale në Luginën e Preshevës?
Tefik Selmani:
Situata mbetet sfiduese, sidomos për shkak të ekonomisë së dobët, të largimit të të rinjve dhe mosnjohjes së diplomave, gjë që ndikon në zhvillimin e komunitetit dhe ruajtjen e lidhjes me vendlindjen.

Ardijan Asllani:
Një problem shtesë është pasivizimi i adresave, i cili prek të drejtat themelore të banorëve dhe krijon vështirësi në aksesin ndaj shërbimeve.
albinfo.ch: Çfarë domethënie kanë zhvillimet e fundit në sensibilizimin e çështjes së Luginës së Preshevës në nivel ndërkombëtar?
Tefik Selmani:
Prezantimi i rezolutës në Kongresin Amerikan përfaqëson një hap të rëndësishëm për njohjen e sfidave të Luginës së Preshevës. Me këtë rast, shprehim një falënderim të veçantë për shtetin amerikan për mbështetjen dhe vëmendjen e treguar ndaj kësaj çështjeje.
Ardijan Asllani:
Rasti në Strasburg e vendos çështjen në fokus të institucioneve evropiane, duke rritur ndërgjegjësimin dhe mbështetjen për komunitetin.
Fadil Selmani:
Të gjitha këto zhvillime tregojnë një rritje të dukshme të vëmendjes ndërkombëtare ndaj Luginës dhe çështjeve të saj.
albinfo.ch: Si është ndërtuar strategjia e organizatës tuaj?
Ardijan Asllani:
Strategjia funksionon në bazë të anketave për secilën shoqatë të Luginës për të identifikuar nevojat reale dhe pritshmëritë e komunitetit tonë.
Tefik Selmani:
Më pas organizuam punëtori me ekspertë dhe organizata profesionale, për të analizuar të gjeturat dhe njëkohësisht për të hartuar plane konkrete dhe të qëndrueshme zhvillimi.
(Projektet)
Po, dhe pikërisht nga kjo qasje kemi arritur të kalojmë nga analiza në veprim konkret. Përmes anketës kemi identifikuar pritshmëritë reale të shoqatave dhe kemi strukturuar projektet tona si për Zvicër ashtu edhe për vendlindje.
Workshopi me profesionistët e Luginës ka qenë një hap kyç, ku kemi marrë rekomandime konkrete për organizim, strukturim dhe financim, duke krijuar një vizion të qartë për periudhën 2025–2030.
Në aspektin e aktiviteteve, Lugina Day është një platformë bashkuese dhe njëkohësisht një mekanizëm fundraising për mbështetjen e projekteve tona.
Në këtë drejtim, vlen të theksohet kontributi i jashtëzakonshëm dhe shembullor i shoqatës “Asociacioni Qytetar Bujanoci”, e cila ka mbështetur financiarisht projektet konkrete me një shumë që tejkalon disa herë buxhetin e zakonshëm, duke dhënë një sinjal të fortë për rëndësinë e angazhimit dhe përgjegjësisë komunitare. Në të njëjtin frymë solidariteti dhe përkushtimi, këtij angazhimi i është bashkangjitur edhe shoqata “Agimi”, duke kontribuar po ashtu financiarisht dhe duke forcuar edhe më tej këtë model bashkëpunimi dhe mbështetjeje brenda komunitetit.
Gjithashtu kemi inicuar mbështetje për ISEAL – Instituti Zviceran për Studime Shqiptare, si një projekt me rëndësi akademike dhe kombëtare.
Një drejtim shumë i rëndësishëm është ndërtimi i një sistemi digjital dhe platforme interaktive për komunitetin, që mundëson informim në kohë reale, përfshirje në vendimmarrje dhe lidhje më të fortë ndërmjet projekteve në Zvicër dhe në vendlindje.
Në këtë linjë hyn edhe brandimi i Luginës, me synimin për të krijuar një identitet të qartë dhe të unifikuar në diasporë.
Një ndër projektet më strategjike është qendra kulturore në Zvicër, e cila po zhvillohet në bashkëpunim me ekspertë dhe institucione akademike dhe synon të krijojë një hapësirë të qëndrueshme për kulturë, edukim dhe integrim.
Ndërsa projekti më madhor është ALTAK — platforma globale që për herë të parë mbledh të gjitha eventet shqiptare në botë në një vend të vetëm, duke krijuar një kalendar global për shqiptarët.
albinfo.ch: Sa janë të përfshirë të rinjtë dhe gratë?
Ardijan Asllani:
Roli i tyre është thelbësor dhe po rritet vazhdimisht. Ajo që është shumë e rëndësishme të theksohet është se pas më shumë se gjysmë shekulli ekzistence të shoqatës “Agimi”, për herë të parë kemi përfaqësim të një gruaje në kryesi. Ky është një hap shumë domethënës dhe një sinjal i qartë që komuniteti ynë po ecën drejt një përfshirjeje më të barabartë dhe moderne.
Tefik Selmani:
Përveç pjesëmarrjes në aktivitete, po rritet edhe përfshirja e tyre në strukturat drejtuese të LUGINAS, duke i dhënë zë dhe ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrje.
albinfo.ch: Cili është mesazhi juaj për komunitetin, sidomos atyre që janë me origjinë nga Lugina e Preshevës?
Tefik Selmani:
Mesazhi ynë është se vetëm përmes organizimit, bashkëpunimit dhe unifikimit mund të ndërtojmë një të ardhme më të fortë dhe të qëndrueshme. Ky model që po ndërtojmë mund të shërbejë si shembull edhe për komunitetet e tjera shqiptare kudo në botë.
E-Diaspora
-
Bernë
Filmi “La Beauté de l’Âne” shfaqet në Bernë në kuadër të javës së Frankofonisë Mbrëmje filmi në Bernë: Kujtesë dhe rrëfim me “La Beauté de l’Âne”... -
Gjermani
I jepet sot lamtumira e fundit 17-vjeçarit nga Kosova që vdiq pas aksidentit në Gjermani -
Londër
Kushtet e pasigurta të punës, shkaku kryesor i vdekjes së 19-vjeçarit shqiptar në Angli -
Erdhi për pushime në Kosovë, mërgimtari vritet nga e dashura -
Gjermani
Gjermani: Ndërron jetë 3-vjeçari nga Kosova pas rënies në lum
Jeta në Zvicër
-
Zvicra paralajmëron për rreziqet e biçikletave elektrike dhe skuterëve elektrikë BFU rekomandon që përdoruesit të parashikojnë situatat në rrugë dhe të përshtatin shpejtësinë sipas kushteve... -
Si t’i kapërceni pengesat me të cilat përballet çdo njeri gjatë integrimit në Zvicër -
Bazel: Qytetarët votojnë në qershor për katër çështje kantonale -
Tre zviceranë humbën jetën nga një ortek në Kanada -
Rrëshqitje dheu në Weggis, evakuohet një shtëpi banimi











