Lajme
Nga 10 prilli hyjnë në fuqi procedura të reja për udhëtimet drejt Europës
BE nis zbatimin e plotë të sistemit EES, i cili zëvendëson vulat në pasaportë me regjistrim digjital dhe të dhëna biometrike për shtetasit jashtë BE-së.
Udhëtimet drejt vendeve të Bashkimit Europian dhe zonës Shengen do të pësojnë ndryshime të rëndësishme duke nisur nga 10 prilli 2026, pasi BE do të vendosë plotësisht në funksion sistemin e ri të hyrje-daljeve (EES), transmeton albinfo.ch.
Ky sistem, i cili filloi të zbatohej gradualisht më 12 tetor të vitit të kaluar në 29 vende europiane, do të zëvendësojë vulat tradicionale në pasaportë me një sistem modern digjital, ku regjistrohen hyrjet, daljet dhe rastet e refuzimit në kufi për shtetasit që nuk janë pjesë e BE-së.
Në kuadër të EES, udhëtarëve do t’u merren të dhëna biometrike, përfshirë fotografia e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve, së bashku me të dhënat personale nga dokumenti i udhëtimit. Qëllimi i këtij sistemi është modernizimi i kontrollit kufitar, përmirësimi i menaxhimit të migracionit, si dhe forcimi i sigurisë në territorin europian.
Sipas Komisionit Europian, që nga nisja e zbatimit të sistemit janë refuzuar në kufi mbi 24 mijë persona, kryesisht për shkak të dokumenteve të skaduara, të falsifikuara ose pamundësisë për të justifikuar qëllimin e udhëtimit. Po ashtu, mbi 600 persona janë identifikuar si rrezik potencial për sigurinë.
EES do të zbatohet për të gjithë shtetasit jashtë BE-së dhe zonës Shengen që udhëtojnë për qëndrime afatshkurtra, deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore. Kjo përfshin edhe shtetasit britanikë dhe udhëtarët që nuk kanë nevojë për vizë, pavarësisht nëse udhëtojnë për turizëm apo biznes.
Megjithatë, Irlanda dhe Qiproja nuk do ta zbatojnë këtë sistem dhe do të vazhdojnë me procedurat manuale të kontrollit të pasaportave.
Nga ky sistem përjashtohen shtetasit e vendeve të BE-së dhe Shengenit, personat me leje qëndrimi ose viza afatgjata, si dhe familjarët e tyre që kanë kartë qëndrimi. Po ashtu, përjashtohen edhe disa kategori të veçanta, si personeli i transportit ndërkombëtar, forcat e armatosura dhe banorët lokalë me leje të posaçme kufitare.
Autoritetet paralajmërojnë se në muajt e parë të zbatimit të plotë, sistemi mund të shkaktojë vonesa të konsiderueshme në aeroporte, sidomos në oraret me fluks të lartë. Pritjet në disa raste mund të arrijnë deri në dy orë, ndërsa në disa aeroporte edhe më shumë, pasi të gjithë udhëtarët nga vendet e treta duhet të regjistrohen në sistem.
Për këtë arsye, udhëtarëve u rekomandohet të paraqiten në aeroport të paktën 1.5 deri në 2 orë më herët se zakonisht. Megjithatë, pritet që situata të përmirësohet me kalimin e kohës, pasi procedurat të bëhen më të shpejta dhe më efikase.
Sipas rregullave të reja, udhëtarët me pasaportë të zakonshme do të duhet të kryejnë regjistrimin pranë sporteleve, duke dhënë fotografinë dhe gjurmët e gishtërinjve. Të dhënat do të ruhen për tre vite, çka pritet të përshpejtojë kalimin në udhëtimet e ardhshme. Refuzimi për të dhënë të dhënat biometrike do të rezultojë automatikisht në refuzim hyrjeje.
Fëmijët nën 12 vjeç nuk janë të detyruar të japin gjurmë gishtash, por do të fotografohen.
Regjistrimi në EES bëhet në momentin e mbërritjes në kufi dhe nuk kërkohet paraprakisht. Megjithatë, pritet të ofrohet edhe mundësia e regjistrimit të pjesshëm përmes një aplikacioni zyrtar të BE-së, ku udhëtarët mund të ngarkojnë të dhënat dhe fotografinë deri në 72 orë para udhëtimit, për të lehtësuar procedurat në kufi. Ky aplikacion aktualisht është i disponueshëm vetëm në disa vende dhe pritet të zgjerohet gradualisht në të gjithë Bashkimin Europian.
Pavarësisht kësaj, kontrolli fizik në kufi do të mbetet i detyrueshëm për të gjithë udhëtarët./Albinfo.ch
E-Diaspora
-
Amerikë
Alban Dervishi, shqiptari që komandon anijen luftarake amerikane USS Pearl Harbor, vjen në Kosovë Oficeri i Marinës Amerikane me rrënjë shqiptare qëndron në Kosovë... -
Austri
Nuk e përballoi ndarjen: Shqiptarja, nënë e katër fëmijëve, vritet brutalisht në Austri -
Itali
Ambra Marku ngjitet në skenën e Sanremos, 12-vjeçarja përfaqëson Shqipërinë në “Ariston” -
Gjermani
“Reporting House” sjell në Mynih kujtesën e luftës në Kosovë -
Aeroporti i Prishtinës shënon rritje të fluturimeve dhe udhëtarëve
Jeta në Zvicër
-
Tregu organik në Zvicër arrin nivel rekord prej 4.3 miliardë frangash në 2025 Zvicra udhëheq botën në bujqësinë organike... -
Mendimet për vetëvrasje tek të rinjtë në Zvicër: Një krizë e heshtur -
Demokracia në Zvicër: Pse disa iniciativa nuk zbatohen plotësisht -
Si adoleshentët e rekrutuar përmes Snapchat vjedhin makina luksoze në Zvicër -
Stadler Rail tërheq ankesën kundër vendimit të SBB për të favorizuar Siemens













