Kosova

U varros i riu nga Rahoveci që humbi jetën në një aksident trafiku në Austri

Në varrimin e tij ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi

Sot është përcjellë për në banesën e fundit, 19 vjeçarit Bylbyl Avdulla Mazreku nga fshati Retijë e Rahovecit. Ai ka humbur jetën pak ditë më parë si pasojë e një aksidenti në Eferding të Austrisë.

Në varrimin e tij ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

“Kjo është një humbje e rëndë për familjen, për bashkëvendësit dhe për të gjithë ata që e njohën. Duke bashkëndier dhimbjen, i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes Mazreku, miqve dhe të afërmve! Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij! I qoftë i lehtë dheu mbi varr!”, ka shkruar Latifi në Facebook.

Burime të albinfo.at, kishin raportuar nga emergjenca e qarkut të Eferdingut se viktima është B.M., teksa bëhet e ditur se është me prejardhje nga fshati Reti, Komuna e Rahovecit.

Sipas raportimeve nga mediat austriake, aksidenti ka ndodhur pasi tashmë viktima, ishte përplasur me një kamion që drejtohej nga një 63-vjeçar, shtetas i Serbisë.