Lajme

Diaspora është zot shtëpie

Nuk ka rëndësi data e prodhimit të një klipi që po qarkullon si murtajë nëpër rrjetet tona sociale. E rëndësishme është pështjellimi dhe ndotja që ai shkakton sa herë që rishfaqet. Pamë një fragment bisede që më shumë se “humor”, ngjante me një seancë vjelljeje kolektive ndaj diasporës sonë.

 

Në njërën anë, kishim një të ftuar me mendësi shpellari, një gëdhe të pagdhendur që me një gjuhë të trashë, guxonte të nxirrte nga goja teori absurde. Sipas këtij injoranti, bashkëkombasit tanë “tuten në Zvicër e kur vijnë në Kosovë i bëjnë të gjitha të zezat”. Përballë këtij mishërimi të trashësisë, kishim një moderator i cili qeshte në mënyrë demonstrative pas çdo fyerjeje e banaliteti të mysafirit të tij.

Provokim i ulët për klikime të pista

Këta sharlatanë të ekranit nuk po bënin satirë. Ata po provokonin qëllimisht instinktet më të ulëta. Duke akuzuar diasporën për “të zeza”, ata tentojnë të mbulojnë dështimin e tyre kulturor. Ajo që ky “Krye Kau” dhe moderatori i tij e quajnë frikë në Zvicër, është në fakt qytetërim dhe respekt për ligjin – vlerë që nuk mund të kuptohet nga dikush që botën e sheh vetëm përmes fundit të gotës.

Ku përfundon liria e shprehjes?

Këta individë mbrohen pas petkut të “lirisë së fjalës”. Por, parimi universal është i qartë: Liria ime përfundon aty ku fillon cenimi i dinjitetit të tjetrit. Kur fjala nuk përdoret për të ndërtuar debat, por për të nxitur urrejtje kolektive ndaj zemrës ekonomike dhe sociale të kombit, ajo pushon së qeni “liri” dhe shndërrohet në mjet agresioni.

Në aspektin ligjor, ky ligjërim prek drejtpërdrejt Nenin 141 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Nxitja e përçarjes dhe intolerancës është vepër penale.

Siç thoshte i madhi Umberto Eco: “Rrjetet sociale u kanë dhënë të drejtën e fjalës legjioneve të idiotëve, të cilët më parë flisnin vetëm në bar pas një gote verë, pa i bërë dëm shoqërisë… sot kanë të njëjtën të drejtë fjale si një fitues i çmimit Nobel.”

Delegjitimimi si agjendë

Ky distancim kulturor i orkestruar nuk është i rastësishëm. Në prag të proceseve elektorale, synohet delegjitimimi i diasporës për t’ia zbehur peshën në vendimmarrje. Është detyrë e organeve të drejtësisë të mos lejojnë që integriteti i atyre që sakrifikuan gjithçka për këtë trung kombëtar të nëpërkëmbet nga dy persona që ushqehen me arrogancë e injorancë.

Diaspora nuk është një mysafire në Kosovë; ajo është zot shtëpie. Dhe kjo shtëpi nuk mund të ofendohet nga ata që mendojnë se autoriteti i tyre buron nga zhurma e studios dhe jo nga dinjiteti njerëzor.

Dr. Bashkim Iseni

Themelues i albinfo.ch