Lajme
Një në tre automjete në Zvicër tejkalon shpejtësinë, ngrihet alarm për sigurinë rrugore
Autoritetet zvicerane të sigurisë rrugore shprehin shqetësim të madh për sjelljen e shoferëve në trafik. Sipas Këshillit Zviceran për Parandalimin e Aksidenteve (BPA), një në tre automjete në Zvicër qarkullon mbi kufirin e lejuar të shpejtësisë.
Në një raport të publikuar të martën, BPA thekson se, pavarësisht disa përmirësimeve në rrugë, situata e përgjithshme mbetet e papranueshme. Sipas analizës, problematika është përkeqësuar në rrugët me kufi shpejtësie 80 km/h, ku rreth një e treta e shoferëve vazhdojnë të tejkalojnë shpejtësinë e lejuar.
“Ne shohim se një e treta e shoferëve ende vozisin më shpejt se kufiri dhe kjo na shqetëson shumë,” deklaroi zëvendësdrejtoresha e BPA-së, Annick Rywalski, për radion “La Matinale”.
Ndërkohë, respektimi i kufijve në zonat 30 km/h ka shënuar përmirësim të dukshëm, duke u rritur nga 46% në vitin 2019 në 65% aktualisht. Në total, 27% e automjeteve të kontrolluara në vitin 2025 kanë rezultuar me tejkalim shpejtësie, krahasuar me 21% në vitin 2019.
BPA kundërshton rritjen e kufijve të shpejtësisë
Në këtë kontekst, BPA shpreh shqetësim për disa nisma politike që synojnë rritjen e kufijve të shpejtësisë në 100 km/h jashtë zonave të banuara dhe në 130 km/h në autostrada.
“Sa më e lartë shpejtësia, aq më të shpeshta dhe më të rënda bëhen aksidentet,” paralajmëron BPA, duke theksuar se një ndryshim i tillë mund të ketë pasoja serioze për sigurinë rrugore.
Sipas përfaqësuesve të institucionit, në autostrada në Zvicër humbin jetën mesatarisht rreth 17 persona në vit. Rritja e kufirit të shpejtësisë do të kishte ndikim të menjëhershëm negativ. “Nëse e rrisim kufirin me 10 km/h, numri i viktimave mund të dyfishohet,” thuhet në paralajmërim.
Aksidentet rrugore dhe faktorët kryesorë
Gjatë vitit të kaluar, aksidentet rrugore në Zvicër kanë shkaktuar 214 viktima dhe rreth 4,000 të plagosur rëndë. Zyra Federale e Rrugëve (FEDRO) synon ta ulë numrin e viktimave nën 100 në vit deri në vitin 2030.
BPA thekson gjithashtu se shpejtësia nuk është faktori i vetëm i rrezikut. Shpërqendrimi në timon, veçanërisht përdorimi i telefonit celular, mbetet shkaku kryesor i aksidenteve, i ndjekur nga shpejtësia dhe alkooli.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
KQZ lejon votimin me dokumente të skaduara në përfaqësitë diplomatike Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim që votuesve të regjistruar për votim në përfaqësitë... -
Edona B. Kelmendi promovon në Cyrih librin “Për ata që s’u kthyen” -
“Voice of My People” rikthen në ekran historinë e Islam Alijajt – një rrëfim mbi përfaqësimin, demokracinë dhe fuqinë e angazhimit qytetar -
Feride Rushiti prezanton në Berlin përvojën e Kosovës në mbështetjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës -
Diaspora
Ekonomia e Kosovës mbahet nga diaspora: 313 milionë euro remitanca në tre muaj
Jeta në Zvicër
-
Dogana zvicerane përditëson aplikacionin Quickzoll për deklarim më të saktë të TVSH-së Aplikacioni doganor zviceran Quickzoll është përditësuar, duke sjellë një ndryshim të rëndësishëm për përdoruesit që deklarojnë... -
Studim: Çfarë i streson më shumë zviceranët? -
Zvicra refuzon akuzat e SHBA-së për tolerim të punës së detyruar -
Tregu i veturave në Zvicër ngec, por interesimi për automjetet elektrike vazhdon të rritet -
Edhe policia kundër referendumi kundër emigracionit













