Lajme

Zvicra mban një nga normat më të ulëta të papunësisë së të rinjve në Evropë

Sistemi dual i arsimit profesional si çelës i suksesit ekonomik dhe integrimit në tregun e punës

Zvicra vazhdon të renditet ndër vendet me normën më të ulët të papunësisë së të rinjve në Evropë, një rezultat i lidhur ngushtë me modelin e saj të avancuar të arsimit profesional dhe lidhjen e fortë me tregun e punës, transmeton albinfo.ch.

Në Zvicra, rreth dy të tretat e të rinjve zgjedhin arsimin profesional menjëherë pas përfundimit të shkollës së detyrueshme. Shumica prej tyre ndjekin sistemin dual të arsimit, i cili kombinon mësimin teorik në shkolla profesionale me punën praktike në kompani gjatë javës.

Ky model u mundëson të rinjve të fitojnë përvojë reale pune që në fillim të karrierës së tyre. Nga fusha të ndryshme si teknologjia e informacionit, kujdesi shëndetësor, tregtia apo sektorët teknikë, kursantët angazhohen drejtpërdrejt në vendet e punës dhe shpesh marrin edhe pagë gjatë trajnimit të tyre.

Një nga faktorët kryesorë të suksesit të këtij sistemi është lidhja e ngushtë mes institucioneve arsimore dhe punëdhënësve. Programet e trajnimit janë të dizajnuara sipas nevojave reale të tregut të punës, gjë që e bën më të lehtë dhe më të shpejtë kalimin e të rinjve nga shkolla në punësim.

Përveç kësaj, sistemi zviceran mbetet fleksibël, duke u lejuar të rinjve të vazhdojnë më tej studimet e larta ose të ndryshojnë drejtim karriere në faza të mëvonshme të jetës profesionale.

Shembull i qartë i këtij modeli është edhe presidenti aktual i Zvicra, Guy Parmelin, i cili vetë ka nisur rrugëtimin e tij profesional përmes formimit në arsimin profesional, duke reflektuar rëndësinë që ky sistem ka në shoqërinë zvicerane./Albinfo.ch