Lajme
Krijohet Lidhja e Infermierëve Shqiptarë në Zvicër
Një grup infermierësh dhe profesionistësh shqiptarë të shëndetësisë në Zvicër kanë themeluar “Lidhjen e Infermierëve Shqiptarë në Zvicër”, me synimin për të bashkuar, fuqizuar dhe promovuar profesionistët shqiptarë të infermierisë në mbarë vendin.
Lidhja e Infermierëve Shqiptarë në Zvicër do të mundësojë shkëmbimin e përvojave, mbështetjen e ndërsjellë, edukimin e vazhdueshëm dhe bashkëpunimin ndërmjet profesionistëve të shëndetësisë. Po ashtu, ajo synon të kontribuojë në promovimin e shëndetit, informimin e komunitetit dhe forcimin e rolit të infermierisë në shoqëri.
Ideatorët e këtij projekti janë profesionistë shqiptarë të shëndetësisë, të cilët prej vitesh japin kontribut në sistemin shëndetësor zviceran dhe besojnë se bashkëpunimi, profesionalizmi dhe shkëmbimi i njohurive janë elemente kyçe për zhvillimin e mëtejshëm të profesionit.
Sipas tyre, takimi i radhës i Lidhjes së Infermierëve Shqiptarë në Zvicër pritet të mbahet në muajin shtator, ku do të shërbejnë për finalizimin e dokumenteve organizative, zgjerimin e anëtarësisë dhe përcaktimin e objektivave afatgjata..
«Përveç aktiviteteve profesionale, Lidhja parasheh organizimin e seminareve, trajnimeve, ligjëratave informuese dhe aktiviteteve të tjera që ndihmojnë në zhvillimin profesional të infermierëve dhe në rritjen e ndërgjegjësimit për çështje të rëndësishme shëndetësore.», ka thënë Fidan Hoti, inxhinier profesional i sistemeve të teknologjisë informative.
«Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet edhe mbështetjes së komunitetit shqiptar në Zvicër përmes informimit dhe orientimit në sistemin shëndetësor, si dhe promovimit të një kujdesi cilësor dhe të barabartë për të gjithë.», tha nga ana tjetër Xheneta Zuzaku, infermiere e diplomuar HF, CEO dhe bashkëthemeluese e Spitex Diversity në Zvicër.
“Motoja e propozuar e kësaj nisme, ‘Një rrjet, një profesion, një vizion’, mishëron frymën e bashkëpunimit dhe të përkushtimit që synon të promovojë organizata, duke u mbështetur në vlerat e humanizmit, profesionalizmit, respektit dhe solidaritetit”, deklaron infermierja Antigona Kicaj, njëra ndër pionieret e ofrimit të shërbimeve Spitex në gjuhën shqipe në Zvicër.
Grupi themelues ftojnë të gjithë infermierët dhe profesionistët shqiptarë të shëndetësisë në Zvicër që të bëhen pjesë e kësaj nisme dhe të kontribuojnë në krijimin e një platforme të përbashkët profesionale në shërbim të profesionit dhe komunitetit shqiptar.
Në vijim një portret i grupit themelues të Lidhjes Infermierëve Shqiptarë në Zvicër.

Vlora Zeka është infermiere e diplomuar HF me mbi 20 vite përvojë profesionale në sektorin shëndetësor. Ajo ofron mbështetje dhe kujdes profesional në Bülach dhe në rajonin e Zürcher Unterland.
Përvoja e saj përfshin kujdesin akut, rehabilitimin, psikiatrinë, Spitex-in për fëmijë, kujdesin gjatë periudhës së lehonisë (Wochenbett), si dhe fusha të tjera të kujdesit shëndetësor. Deri në fund të vitit 2023 ka punuar në organizata publike të Spitex-it, ku ka fituar përvojë të vlefshme profesionale që e ka orientuar drejt vetëpunësimit.
Përveç angazhimit në kujdesin shëndetësor, Vlora Zeka ligjëron kurse SRK dhe mbështet individët në edukimin dhe zhvillimin e kompetencave të tyre në fushën e shëndetësisë. Gjithashtu ofron Hijama (terapi me kupa) dhe akupresurë si metoda plotësuese për promovimin e shëndetit dhe mirëqenies.

Xheneta Zuzaku është infermiere e diplomuar HF, CEO dhe bashkëthemeluese e Spitex Diversity në Zvicër, si dhe eksperte e infermierisë, arsimit të të rriturve dhe menaxhimit në shëndetësi.
Me përvojë në kujdesin shëndetësor, edukimin profesional dhe udhëheqjen organizative, ajo angazhohet për promovimin e profesionalizmit, cilësisë dhe zhvillimit të vazhdueshëm në sektorin e shëndetësisë. Aktualisht ndjek studimet Executive MBA (EMBA), duke zgjeruar njohuritë e saj në lidership strategjik dhe menaxhim.
Ajo beson se kujdesi cilësor fillon me respektin, profesionalizmin dhe përkushtimin ndaj çdo individi. Përmes punës së saj, synon të kontribuojë në zhvillimin e profesionit të infermierisë, fuqizimin e profesionistëve të shëndetësisë dhe avancimin e komunitetit shqiptar në Zvicër.

Fidan Hoti është Inxhinier Profesional i Sistemeve të Teknologjisë Informative, me përvojë të gjatë në administrimin e sistemeve IT, infrastrukturën e rrjeteve dhe mbështetjen teknike. Karrierën e tij e ka filluar në Spitalin Universitar të Cyrihut (Universitätsspital Zürich), ku fitoi përvojën e parë profesionale në sektorin shëndetësor dhe teknologjik. Më pas ka punuar në institucione dhe kompani të ndryshme, duke ofruar mbështetje teknike për spitale, klinika dhe ordinanca mjekësore në gjithë Zvicrën.
Gjatë viteve ai ka zhvilluar ekspertizë në menaxhimin e sistemeve moderne, Microsoft 365, serverëve, virtualizimit dhe realizimin e projekteve të ndryshme teknologjike. Aktualisht ushtron detyrën e Inxhinierit Profesional të Sistemeve të Teknologjisë Informative, duke kontribuar në zhvillimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturave moderne IT.
Përveç angazhimit në sektorin e teknologjisë, ai është aktiv edhe në fushën e kujdesit shëndetësor si drejtor i Financave në Spitex «Permanence».

Yllka Zuzaku-Mustafa është infermiere e diplomuar, COO dhe bashkëthemeluese e Spitex Diversity.
Me përvojë shumëvjeçare në sektorin e shëndetësisë, ajo angazhohet për promovimin e cilësisë në kujdes, zhvillimin e profesionit të infermierisë dhe mbështetjen e pacientëve dhe familjarëve të tyre. Ajo ka ndjekur një sërë trajnimesh dhe specializimesh në geriatri, kujdes paliativ, menaxhim të plagëve, lidership dhe menaxhim në shëndetësi.
Krahas karrierës së saj profesionale, Yllka është prej gati katër dekadash një figurë aktive dhe e respektuar në jetën kulturore dhe shoqërore të diasporës shqiptare në Zvicër. Si Kryetare e Studio «Aktrimi», ajo promovon artin, kulturën dhe vlerat e bashkëjetesës, duke krijuar ura bashkëpunimi mes komuniteteve.

Antigona Kicaj, është infermiere, themeluese dhe CEO e Cura Care AG në Winterthur, si dhe një nga pionieret e shërbimeve Spitex në gjuhën shqipe në Zvicër.
Me përvojë në sektorin e kujdesit shëndetësor dhe menaxhimin e shërbimeve të kujdesit, ajo angazhohet për ofrimin e shërbimeve profesionale dhe cilësore sipas standardeve zvicerane.
Përveç veprimtarisë së saj profesionale, ajo është e angazhuar në iniciativa me karakter shoqëror dhe komunitar, duke kontribuar në mbështetjen dhe fuqizimin e komunitetit shqiptar në Zvicër. Antigona ka kontribuar vazhdimisht për vendlindjen e saj në Kosovë, duke ndihmuar spitale dhe persona në nevojë me donacione dhe pajisje mjekësore, ndërsa ka ruajtur gjithmonë lidhjen e fortë me rrënjët dhe komunitetin shqiptar.
E-Diaspora
-
Takim në Zyrën e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB për çështjen çame Delegacioni u prit nga znj. Claudia De La Fuente, Sekretare e Nënkomitetit për Parandalimin e Torturës... -
Nga Tirana në Vjenë e Londër, diaspora mobilizohet kundër ndërtimeve në Zvërnec -
Bernë
Ambasada e Kosovës në Bernë njofton mërgatën: Më 6 qershor 2026 hapen qendrat e votimit në Zvicër -
Gjermani
Leonit Jashari nënshkruan me VfL Wolfsburg, talenti shqiptar vazhdon ngjitjen drejt futbollit elitar -
Finlandë
Rina Januzi triumfon në Finlandë, fiton trofeun e festivalit prestigjioz “Can U Louhela Jam 2026”
Jeta në Zvicër
-
Sulmet ndaj bankomateve janë përgjysmuar në vitin 2025 Masat e marra për të luftuar shumëfishimin e sulmeve ndaj bankomateve në vitet e fundit kanë... -
Presidenti zviceran nuk është i befasuar nga lëvizja e fundit e tarifave të SHBA-së -
Ngrihen shqetësime mbi të drejtat e pasagjerëve ajrorë në Evropë, kjo është arsyeja -
Kantonet zvicerane përgatiten për miliona dollarë shpenzime për refugjatët ukrainas -
SHBA rekomandon tarifa shtesë prej 12.5% për importet nga Zvicra












