Kosova

MPJD njofton për stabilizimin e situatës në pikën kufitare Bajakovo

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar se situata në pikën kufitare Bajakovo, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, është stabilizuar pas pritjeve dhe kolonave të gjata të raportuara gjatë ditës.

Sipas MPJD-së, aktualisht qarkullimi në këtë pikë kufitare po zhvillohet pa vonesa të mëdha. Ngadalësimi i përkohshëm i kalimit kufitar ishte shkaktuar kryesisht nga zbatimi i Sistemit EES (Entry/Exit System), i cili ka sjellë procedura shtesë gjatë kontrolleve kufitare.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Kroaci ka qenë gjatë gjithë ditës në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet kompetente kufitare për të monitoruar situatën dhe për të marrë informacione të përditësuara lidhur me gjendjen në terren.

Në kuadër të mbështetjes për qytetarët dhe bashkatdhetarët që ndodheshin në pritje, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, së bashku me stafin e Ambasadës, ka vizituar pikën kufitare Bajakovo, ku është takuar me bashkatdhetarët që ishin në pritje.

MPJD ka bërë të ditur se përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Kosovës do të vazhdojnë angazhimin për t’u ofruar qytetarëve mbështetje dhe informacione të nevojshme, veçanërisht gjatë sezonit veror, kur fluksi i udhëtarëve është më i lartë.