Kosova

Dr. Hekuran Bytyçi, një mjek nga Kosova, me pozitë udhëheqëse në Lugano

Krahas punës klinike, Dr. Bytyçi është i angazhuar edhe në kërkim shkencor dhe publikime ndërkombëtare, duke e parë mjekësinë si një proces të vazhdueshëm zhvillimi dhe bashkëpunimi global

Nga bankat e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë deri te qendrat universitare më prestigjioze të Zvicrës, Dr. Hekuran Bytyçi vazhdon të shënojë suksese në karrierën e tij, duke fituar doktoratën dhe duke marrë një rol të rëndësishëm drejtues në Lugano.

Dr. Hekuran Bytyçi përfaqëson një prej atyre rrugëtimeve profesionale që ndërtohen hap pas hapi, mes sakrificës, disiplinës dhe një përkushtimi të pandërprerë ndaj mjekësisë. Së fundmi, ai ka marrë titullin akademik Dr. med. nga Universiteti i Luganos dhe pritet të marrë pozitën udhëheqëse Capoclinica në Lugano, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e tij në kardiologji. Ky vlerësim prestigjioz akademik erdhi si rezultat i viteve të punës, kërkimit shkencor dhe përkushtimit të vazhdueshëm në fushën e mjekësisë, duke shënuar një moment të rëndësishëm jo vetëm në karrierën e tij profesionale, por edhe në angazhimin e tij për avancimin e dijes dhe praktikës mjekësore.

 

Rrugëtimi i tij profesional u zhvillua gradualisht nga mjekësia interne drejt kardiologjisë, një fushë që ai e përshkruan si dinamike, kërkuese dhe vendimtare në shumë raste për jetën e pacientit. Përvoja në qendrat e kardiologjisë në Lugano dhe më pas në Universitetin e Bernës i dha mundësinë të formohet në një ambient ku ndërthuren praktika klinike, kërkimi shkencor dhe teknologjia më bashkëkohore në mjekësi.

Përtej punës klinike, Dr. Bytyçi është i angazhuar edhe në kërkim shkencor dhe publikime ndërkombëtare, duke e parë mjekësinë si një proces të vazhdueshëm zhvillimi dhe bashkëpunimi global. Në të njëjtën kohë, ai është aktiv në rrjete sociale, ku ndan këshilla mjekësore në tri gjuhë, me fokus të veçantë në parandalimin dhe edukimin shëndetësor, veçanërisht në fushën e sëmundjeve kardiovaskulare.

Albinfo.ch: Dr. Bytyçi, fillimisht na tregoni pak për vendlindjen tuaj në Kosovë dhe fëmijërinë tuaj. Ku keni lindur dhe si e kujtoni periudhën e shkollimit të hershëm?

Dr. Bytyçi: Kam lindur në Suharekë, ku kam kaluar vitet më të bukura të fëmijërisë dhe kam kryer shkollimin fillor. Ajo periudhë mbetet shumë e veçantë për mua, një kohë e thjeshtë, por me vlera të mëdha njerëzore. Ishte koha para luftës në Kosovë, kur familja, solidariteti dhe respekti për dijen kishin një peshë të jashtëzakonshme në jetën tonë të përditshme.

Më vonë vazhdova shkollimin e mesëm në Prizren, qytet që ndikoi shumë në formimin tim personal dhe akademik. Pikërisht aty filloi të marrë formë më seriozisht interesimi im për mjekësinë dhe dëshira për t’iu përkushtuar një profesioni që lidhet drejtpërdrejt me jetën dhe shëndetin e njerëzve.

Albinfo.ch: Çfarë keni studiuar në Kosovë dhe pse zgjodhët pikërisht mjekësinë si drejtim profesional?

Dr. Bytyçi: Që në moshe te hershme kam qenë i tërhequr nga shkenca dhe anatomia, por ajo që më shtyu më shumë drejt mjekësisë ishte ana humane e këtij profesioni. E kam parë gjithmonë mjekësinë jo vetëm si karrierë, por si mision.

Pas përfundimit të shkollës së mesme, vazhdova studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Studimet kanë qenë sfiduese, por jashtëzakonisht formuese. Ato vite më mësuan disiplinën, përgjegjësinë dhe rëndësinë e përkushtimit, vlera që më kanë shoqëruar gjatë gjithë rrugëtimit profesional.

Albinfo.ch: Në cilën moshë jeni zhvendosur në Zvicër dhe çfarë e solli këtë vendim?

Dr. Bytyçi: Në Zvicër u zhvendosa menjëherë pas përfundimit të fakultetit. Ishte një vendim i madh dhe jo i lehtë, sepse largimi nga familja dhe vendlindja gjithmonë sjell emocione dhe pasiguri. Megjithatë, e shihja si një hap të domosdoshëm për zhvillimin tim profesional.

Albinfo.ch: Si ka qenë fillimi juaj në Zvicër, si në aspektin personal ashtu edhe profesional?

Dr. Bytyçi: Fillimet nuk kanë qenë të lehta. Adaptimi me një vend të ri, mësimi i gjuhës dhe integrimi në sistemin zviceran të shëndetësisë kërkonin shumë punë dhe këmbëngulje. Sistemi është jashtëzakonisht i organizuar dhe kërkon standarde shumë të larta profesionale. Pikërisht ato sfida më ndihmuan të rritem si mjek dhe si person.

Albinfo.ch: Sa sfiduese ka qenë për ju të përshtateni me sistemin shëndetësor zviceran dhe të vazhdoni rrugën drejt specializimit?

Dr. Bytyçi: Sfida më e madhe në fillim ishte komunikimi profesional dhe përshtatja me ritmin e punës. Në mjekësi, komunikimi korrekt me pacientin është po aq i rëndësishëm sa njohuritë klinike.

Rruga drejt specializimit kërkonte shumë përkushtim, sakrificë dhe punë intensive. Megjithatë, motivimi për t’u zhvilluar profesionalisht dhe për të ofruar kujdes cilësor për pacientët ka qenë gjithmonë forca ime kryesore shtytëse.

Albinfo.ch: Rrugëtimi juaj profesional përfshin mjekësinë interne dhe më pas kardiologjinë. Çfarë ju shtyu të specializoheni pikërisht në kardiologji?

Dr. Bytyçi: Gjatë punës në mjekësinë interne kuptova sa komplekse dhe e rëndësishme është qasja gjithëpërfshirëse ndaj pacientit. Pikërisht në atë periudhë fillova të zhvilloj një interesim të veçantë për kardiologjinë.

Kardiologjia është një ndër disiplinat më dinamike të mjekësisë moderne. Ajo kombinon shkencën, teknologjinë dhe vendimmarrjen e shpejtë klinike. Më ka tërhequr gjithmonë fakti që në shumë raste mund të ndikosh drejtpërdrejt dhe menjëherë në jetën e pacientit.

Është një fushë që evoluon vazhdimisht dhe kërkon mësim të përhershëm, diçka që për mua ka qenë gjithmonë motivuese.

Albinfo.ch: Keni punuar në qendrën e kardiologjisë në Lugano dhe më pas në Bernë. Çfarë përvoje klinike dhe akademike keni fituar gjatë kohës në Universitetin e Bernës dhe sa ka ndikuar ajo në formimin tuaj si kardiolog?

Dr. Bytyçi: Puna në qendrat e kardiologjisë në Lugano dhe Bern ka qenë vendimtare në zhvillimin tim profesional. Kam pasur privilegjin të punoj me emra shumë të njohur të kardiologjisë evropiane dhe të jem pjesë e institucioneve që konsiderohen ndër më prestigjiozet në Zvicër dhe më gjerë.

Veçanërisht periudha në University of Bern ka ndikuar shumë në formimin tim si kardiolog. Aty pata mundësinë të punoj në një ambient ku ndërthuren praktika klinike, kërkimi shkencor dhe teknologjia më moderne në mjekësi.

Këto përvoja më kanë ndihmuar jo vetëm të zhvillohem profesionalisht, por edhe të kuptoj rëndësinë e edukimit të vazhdueshëm, punës ekipore dhe qasjes humane ndaj pacientit.

Albinfo.ch: Gjatë karrierës suaj keni qenë i angazhuar edhe në kërkime shkencore dhe publikime ndërkombëtare. Sa e rëndësishme ka qenë kjo pjesë për ju?

Dr. Bytyçi: Për mua, mjekësia nuk përfundon vetëm te praktika klinike. Kërkimi shkencor është një pjesë shumë e rëndësishme e profesionit, sepse të mban vazhdimisht në kontakt me zhvillimet më të reja të mjekësisë moderne.

Përmes publikimeve dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare kam pasur mundësinë të shkëmbej përvoja me profesionistë nga vende të ndryshme dhe të kontribuoj në avancimin e njohurive në kardiologji.

Besoj se kombinimi i praktikës klinike me kërkimin shkencor e bën një mjek më të kompletuar dhe më të përgatitur për sfidat e profesionit.

Albinfo.ch: Universiteti i Luganos ju ka akorduar titullin Dr. med. Çfarë domethënie ka për ju ky vlerësim akademik?

Dr. Bytyçi: Titulli “Dr. med.” i akorduar nga Università della Svizzera italiana ka një domethënie shumë të veçantë për mua. E konsideroj si rezultat të një rruge të gjatë me shumë punë, sakrificë dhe përkushtim. Përtej aspektit akademik, ky vlerësim përfaqëson edhe përgjegjësi, për të vazhduar të kontribuoj me seriozitet në profesion dhe për të përfaqësuar me dinjitet komunitetin nga vij.

Albinfo.ch: Nga 1 qershori 2026, ju keni marrë pozitën Capoclinica në Lugano. Çfarë përgjegjësish dhe objektivash sjell kjo detyrë e re?

Dr. Bytyçi: Kjo pozitë përfaqëson një hap shumë të rëndësishëm në karrierën time dhe një përgjegjësi të madhe njëkohësisht.

Roli i Capoclinica kërkon jo vetëm kompetencë klinike, por edhe aftësi organizative dhe udhëheqëse. Një pjesë e rëndësishme e kësaj detyre është koordinimi i ekipit mjekësor dhe mbështetja e mjekëve të rinj në zhvillimin e tyre profesional.

Objektivi im mbetet gjithmonë i njëjtë: të ofroj kujdes modern, profesional dhe njerëzor për pacientët.

Albinfo.ch: Përveç karrierës profesionale, ju jeni aktiv edhe në rrjete sociale me këshilla mjekësore në tri gjuhë. Çfarë ju motivon për këtë angazhim?

Dr. Bytyçi: Jetojmë në një kohë ku informacioni qarkullon shumë shpejt, por jo gjithmonë është i saktë. Pikërisht kjo më ka motivuar të jem aktiv në rrjete sociale dhe të ndaj informacione të besueshme mjekësore.

Përmes publikimeve në tri gjuhë përpiqem të rris vetëdijen për rëndësinë e parandalimit, kontrollave të rregullta dhe stilit të shëndetshëm të jetesës, sidomos në aspektin e sëmundjeve kardiovaskulare.

E shoh këtë si një vazhdim të misionit tim edhe jashtë spitalit.

Albinfo.ch: Sa e rëndësishme është për ju lidhja me komunitetin shqiptar në Zvicër dhe ndihma për pacientët shqiptarë?

Dr. Bytyçi: Shumë e rëndësishme. Pavarësisht jetës dhe karrierës jashtë vendlindjes, gjuha, kultura dhe identiteti mbeten pjesë e pandashme e imja.

Në punën time takoj shpesh pacientë shqiptarë dhe e di sa shumë rëndësi ka për ta komunikimi në gjuhën amtare dhe ndjenja e mirëkuptimit kulturor, sidomos në momente të ndjeshme që lidhen me shëndetin.

Për mua është kënaqësi dhe përgjegjësi të jem pranë komunitetit tonë dhe të kontribuoj jo vetëm si mjek, por edhe si bashkëkombës.

Albinfo.ch: Për fund, sa ju mungon Kosova dhe çfarë vendi zë ajo në jetën tuaj sot?

Dr. Bytyçi: Kosova zë një vend shumë të veçantë në jetën time. Aty janë rrënjët e mia, kujtimet e fëmijërisë dhe njerëzit që kanë ndikuar në formimin tim si njeri dhe profesionist.

Natyrisht që më mungon. Më mungojnë njerëzit, gjuha, kultura dhe ajo ndjenjë që vetëm vendlindja ta jep. Sa herë kthehem në Kosovë, ndiej një afërsi emocionale shumë të fortë.

Besoj se njeriu mund të ndërtojë jetën dhe karrierën jashtë vendit, por vendlindjen e mban gjithmonë me vete.