Lajme

Ticino mund të bëjë histori: Zvicra drejt sigurimit të parë të detyrueshëm dentar

Më 14 qershor qytetarët do të vendosin nëse kujdesi bazë dentar duhet të mbulohet nga një sigurim publik i detyrueshëm

Banorët e kantonit të Ticinos do të votojnë më 14 qershor për një propozim që mund ta bëjë kantonin e parë në Zvicër me sigurim të detyrueshëm dentar. Nisma synon që kujdesi bazë për dhëmbët të trajtohet si pjesë e sistemit publik shëndetësor dhe të financohet nga punëtorët, punëdhënësit dhe kantoni, transmeton albinfo.ch.

Përkrahësit e nismës argumentojnë se kostot e larta të trajtimeve dentare po detyrojnë shumë familje të heqin dorë nga kujdesi i nevojshëm. Sipas të dhënave të cituara gjatë fushatës, gati 29 për qind e banorëve në Zvicër kanë shtyrë ose shmangur trajtimet dentare për arsye financiare.

Megjithatë, qeveria kantonale, shumica parlamentare dhe disa parti të qendrës dhe të djathtës janë kundër projektit. Ata paralajmërojnë se skema mund t’i kushtojë Ticinos rreth 150 milionë franga në vit dhe të krijojë barrë shtesë financiare për ekonominë lokale.

Vaudi, Gjeneva dhe Neuchâteli kanë refuzuar iniciativa të ngjashme në vitet e fundit, por Ticino tani ka mundësinë të bëhet pionieri i parë në vend për mbulimin universal të shërbimeve bazë dentare.

Votimi po ndiqet me interes në gjithë Zvicrën, pasi rezultati mund të ndikojë në debatet e ardhshme për reformimin e sistemit shëndetësor dhe zgjerimin e mbulimit të sigurimeve për trajtime që aktualisht paguhen kryesisht nga vetë pacientët.