Lajme
Florim Kadriu: “SVP po i kthen në frikë shqetësimet reale të qytetarëve”
"Në thelb, kjo iniciativë është një sulm i drejtpërdrejtë dhe i pamenduar mirë mbi rrugën bilaterale që Zvicra ka ndjekur me sukses deri më sot"
Florim Kadriu është një aktivist i njohur sindikal dhe politik nga Kantoni Aargau, me një aktivitet të shtrirë edhe në Kantonin e Cyrihut. Ai ka qenë kandidat i Partisë Socialdemokrate (SP) për disa zgjedhje komunale dhe kantonale ndërsa aktualisht është sekretar për sektorin e industrisë në sindikatën më të madhe zvicerane, UNIA.
Në intervistën për albinfo.ch, Kadriu flet për çështjen aktualisht mbizotëruese në debatin politik në Zvicër: iniciativën e SVP-së kundër një Zvicre me 10 milionë banorë. Cilat janë qëllimet e iniciuesve dhe me çfarë argumentesh u përgjigjen atyre kundërshtarët e iniciativës.
Albinfo.ch: Më 14 qershor zviceranët votojnë për iniciativën e SVP-së kundër një “Zvicre me 10 milionë banorë”. Pse e konsideroni këtë nismë të rrezikshme për të ardhmen e vendit?
F. Kadriu: Zvicra është një vend i veçantë në zemër të Evropës. Nga të gjitha anët është e rrethuar nga shtete anëtare të Bashkimit Evropian, por vetë nuk është pjesë e BE-së. Pikërisht kjo e bën Zvicrën një rast të veçantë në Evropë. Për dekada me radhë, vendi ka ndjekur rrugën e vet dhe ka ndërtuar marrëdhëniet me Bashkimin Evropian përmes negociatave të gjata dhe shpeshherë të vështira.
BE-ja, duam apo s`duam, është partneri ynë më i rëndësishëm ekonomik dhe tregtar. Mbi 50 për qind e eksporteve tona përfundojnë në tregun evropian. Zvicra dhe Bashkimi Evropian janë detyruar të gjejnë mënyra për të rregulluar marrëdhëniet e tyre dhe nga ky proces kanë lindur marrëveshjet bilaterale, të cilat sot konsiderohen si një nga shtyllat kryesore të suksesit ekonomik të Zvicrës. Qasja në tregun evropian dhe lëvizja e lirë e personave, që i mundëson ekonomisë sonë të tërheqë fuqi punëtore të kualifikuar, kanë rezultuar të jenë një model suksesi. Pikërisht këto arritje vihen në pikëpyetje nga iniciativa e SVP-së. Në thelb, kjo iniciativë është një sulm i drejtpërdrejtë dhe i pamenduar mirë mbi rrugën bilaterale që Zvicra ka ndjekur me sukses deri më sot.
Nëse populli do ta pranonte iniciativën dhe Këshilli Federal do të detyrohej të anulojë pjesë të marrëveshjeve me Bashkimin Evropian ose të tërhiqej nga obligime të caktuara ndërkombëtare, ne do të përballemi me vështirësi serioze. Sinqerisht, nuk jam i sigurt nëse do të ishim në gjendje t’i korrigjonim lehtësisht pasojat e një vendimi të tillë.
Albinfo.ch: Ju jeni i angazhuar drejtpërdrejt në fushatën kundër kësaj iniciative përmes sindikatës UNIA. Çfarë po ju shqetëson më së shumti nëse kjo nismë miratohet?
F. Kadriu: Ajo që duhet të jetë shqetësuese është më shumë fakti se iniciativa nuk kufizohet vetëm te çështja e migracionit. Pasojat e saj do të prekin po ashtu të drejtat e punëtorëve dhe familjeve të tyre.
Sipas logjikës së kësaj iniciative, pas arritjes së një niveli të caktuar të rritjes së popullsisë, do të kufizohej bashkimi familjar. Për më tepër, ekziston rreziku që të rikthehen forma të punësimit që ngjajnë me statusin e dikurshëm të sezonalit, një model që për dekada ka qenë simbol i diskriminimit dhe i mungesës së të drejtave për shumë punëtorë migrantë.
Por shqetësimi më i madh lidhet me lëvizjen e lirë të personave, një pjesë qëndrore e marrëveshjeve tona bilaterale. Nëse ajo do të hiqej, do të viheshin në pikëpyetje edhe masat shoqëruese që sot mbrojnë pagat dhe kushtet e punës në Zvicër. Këto masa janë ndërtuar pikërisht për të parandaluar dumpingun e pagave (paga nën nivelin e jetesës) dhe konkurrencën e padrejtë në kurriz të punëtorëve.
Nëse masat dobësohen ose zhduken, mbrojtja aktuale e pagave do të pësonte një goditje të rëndë. Prandaj lind dyshimi nëse ky nuk është në fakt qëllimi i vërtetë i SVP-së. Kjo është për t’u pyetur.
Albinfo.ch: Mbështetësit e iniciativës flasin për “mbipopullim”, mungesë banesash dhe presion mbi infrastrukturën. A po përdoren migrantët si fajtorë për probleme që në fakt kanë shkaqe të tjera politike dhe ekonomike?
F. Kadriu: Le ta shohim çështjen në perspektivë historike.
Që nga periudha e industrializimit, Zvicra ka pasur nevojë për fuqi punëtore nga jashtë. Qysh në fillim të shekullit të kaluar, vendi ynë tërhoqi mijëra punëtorë nga Italia për të ndërtuar hekurudhat, infrastrukturën dhe për të mbështetur zhvillimin industrial. Më vonë, gjatë viteve 1950 dhe 1960, punëtorë erdhën edhe nga Spanja dhe Portugalia. Në vitet 1970 dhe 1980, një rol të rëndësishëm e luajtën edhe punëtorët nga ish-Jugosllavia.
Shpesh harrohet se Zvicra ka pasur një përqindje të lartë të të huajve më shumë se 110 vjet më parë, diku 15% të popullatës. Qysh atëherë kanë ekzistuar frikësime dhe narrativa për të ashtuquajturën “mbingarkesë nga të huajt” apo “humbje të identitetit kombëtar”. Megjithatë, historia na tregon se këto frikëra ishin një fiksion dhe kurrë nuk u realizuan, por u përdorën politikisht.
E kundërta ndodhi. Këta njerëz ishin të domosdoshëm për zhvillimin ekonomik dhe industrial të vendit. Sot, pasardhësit e tyre në gjeneratën e dytë, të tretë apo të katërt janë pjesë e pandashme e shoqërisë zvicerane. Ata janë të integruar, të suksesshëm dhe e konsiderojnë Zvicrën si atdheun e tyre.
Për këtë arsye, pyetjes suaj mund t’i përgjigjem pa hezitim me “po”. SVP-ja po luan me shqetësimet reale të qytetarëve dhe po i shndërron ato në frikë. Në vend që të flitet për shkaqet e vërteta të problemeve, fajësohen migrantët.
Marrim si shembull tregun e banesave. Prej vitesh flitet për mungesë banesash dhe për qira gjithnjë e më të larta. Megjithatë, aktualisht në Zvicër ka rreth 50 mijë banesa të pabanuara. Në të njëjtën kohë, qiratë vazhdojnë të rriten dhe për shumë familje të shtresës së mesme janë bërë të papërballueshme. Shkaku nuk janë migrantët. Problemi kryesor është spekulimi në tregun e banesave. Edhe sot, pronarë të mëdhenj dhe kompani imobiliare realizojnë fitime të konsiderueshme, ndërsa qiramarrësit përballen me kosto gjithnjë e më të larta.
Paradoksi është se pikërisht lobistët e SVP-së në Bernë kanë penguar vazhdimisht zgjidhje që do të ndihmonin qiramarrësit dhe do të lehtësonin barrën e familjeve. Në vend që të trajtohen problemet reale, nxitet përçarja mes grupeve të ndryshme të popullsisë. Kjo mënyrë e të bërit politikë është problematike dhe e dëmshme për shoqërinë.
Albinfo.ch: Sa do të prekej tregu zviceran i punës nga kufizimi i migracionit, sidomos në sektorët ku sot mungon fuqia punëtore?
F. Kadriu: Ekonomia zvicerane ka marrë së fundmi disa goditje si pasojë e pasigurive dhe tensioneve ndërkombëtare, ndaj aktualisht ndodhemi më shumë në një fazë stagnimi sesa rritjeje të fortë ekonomike. Është e vërtetë se mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar nuk është më aq e theksuar sa ishte në periudhën 2021–2024, por kjo nuk do të thotë se problemi është zhdukur.
Në shumë sektorë, kompanitë vazhdojnë të kenë vështirësi për të gjetur specialistë dhe punëtorë të kualifikuar. Dhe sapo ekonomia të rifitojë vrullin e saj, mungesa e fuqisë punëtore do të bëhet sërish një sfidë serioze.
Iniciativa e SVP-së do t’ua vështirësonte ndërmarrjeve zvicerane qasjen për punëtorë të kualifikuar nga jashtë dhe do ta bënte Zvicrën më pak tërheqëse për profesionistët që sot zgjedhin të jetojnë dhe të punojnë këtu. Kjo mund të dëmtojë afatgjatë konkurrueshmërinë dhe atraktivitetin e vendit si qendër ekonomike.
Një aspekt tjetër që shpesh anashkalohet është ndikimi mbi mbrojtjen e pagave. Nëse dobësohen ose hiqen mekanizmat që sot mbrojnë tregun e punës, rreziku i dumpingut të pagave do të rritet ndjeshëm. Dhe kur pagat vihen nën presion, pasojat nuk i ndiejnë vetëm migrantët, por të gjithë punëmarrësit në Zvicër. Kushtet e punës dhe standardet sociale që janë ndërtuar ndër vite mund të pësojnë dëme serioze.
Albinfo.ch: A mendoni se kjo iniciativë rrezikon ta izolojë Zvicrën edhe në raport me Evropën dhe ekonominë ndërkombëtare?
F. Kadriu: Askush nuk mund të thotë me siguri se si do të reagonin partnerët tanë ndërkombëtarë ndaj një vendimi të tillë, veçanërisht Bashkimi Evropian. Shumë do të varet nga mënyra se si do të zbatohej iniciativa në praktikë dhe nga hapat që do të ndërmerrte Zvicra pas një votimi të mundshëm pro.
Megjithatë, kemi mjaft shembuj nga vitet e fundit që tregojnë se vendimet e njëanshme mund të sjellin pasoja të paparashikuara. Brexit-i është një prej tyre. Një tjetër shembull është politika e tarifave doganore dhe konfliktet tregtare që janë zhvilluar në nivel ndërkombëtar. Në të dy rastet kemi parë tensione, kundërmasa dhe reagime zinxhir që kanë krijuar pasiguri ekonomike dhe politike.
Në fund të ditës, askush nuk ka përfituar nga këto përplasje. Përkundrazi, është dobësuar bashkëpunimi ndërkombëtar dhe janë vënë në pikëpyetje mekanizma që për dekada kanë garantuar stabilitet.
Nga këto zhvillime do të duhej të kishim nxjerrë mësime. Megjithatë, SVP-ja vazhdon të promovojë një mënyrë të të menduarit që ngjan me logjikën e nacionalizmit ekonomik dhe të izolimit. Gabimi më i madh që mund të bëjmë është të besojmë se problemet komplekse të kohës sonë mund të zgjidhen duke u shkëputur nga partnerët tanë ose duke ngritur barriera të reja.
Albinfo.ch: Përtej aspektit ekonomik, a mund të ndikojë kjo nismë edhe në klimën sociale dhe në mënyrën se si shihen komunitetet me histori migrimi?
F. Kadriu: Pa asnjë dyshim. Në fakt, ndikimi i saj ndihet që tani, gjatë vetë fushatës politike. Debati publik është mbushur me frikë, pasiguri dhe përpjekje për të krijuar përshtypjen se një pjesë e caktuar e popullsisë është përgjegjëse për problemet e vendit. Kjo ka pasoja konkrete në mënyrën se si njerëzit e perceptojnë njëri-tjetrin.
Papritur, fqinji me prejardhje migrante nuk shihet më si personi i ndershëm që punon në ndërtim, në fabrikë apo në një profesion tjetër të rëndësishëm për shoqërinë. Ai paraqitet si dikush që gjoja po zë shumë hapësirë banimi, po ushtron presion mbi sistemin social ose është shkaktari për rritjen e qirave.
Edhe fëmijët e këtyre familjeve nuk shihen më si pjesë e brezit të ardhshëm që po rritet dhe po arsimohet në shkollat tona, por reduktohen në statistika si të papunë, pra SVP-eja ka shkuar deri aty sa ti quaj fëmijë parashkollor si «raste sociale dhe të papunë», dhe etiketime tjera politike.
Kjo nuk është një mënyrë e pranueshme për të bërë politikë. Nuk është as në përputhje me traditën zvicerane të bashkëjetesës dhe respektit reciprok.
Për më tepër, nuk mund të injorojmë realitetin demografik. Shkalla e natalitetit në Zvicër është shumë e ulët dhe nuk mjafton për të zëvendësuar gjeneratën e “baby boomers” (gjenerata e bumit të lindjeve pas luftës së dytë botërore, kryesisht 1945-1965) që po del në pension.
Sistemi ynë i pensioneve do të përballet me presione gjithnjë e më të mëdha nëse në të ardhmen do të kemi më shumë pensionistë sesa njerëz aktivë që kontribuojnë në financimin e tij. Edhe këtu shtrohet pyetja: cili është plani konkret i SVP-së për ta përballuar këtë realitet?
Albinfo.ch: Ju vetë keni një histori integrimi dhe angazhimi profesional në Zvicër. Si ka nisur rrugëtimi juaj këtu dhe sa ka ndikuar kjo përvojë në mënyrën si e shihni debatin për migracionin?
F. Kadriu: Unë kam lindur në Zvicër, por si fëmijë i vogël jam kthyer me familjen në ish-Jugosllavi. Në Zvicër u riktheva në moshën 15-vjeçare. Shkollimin e kam ndjekur në Maqedoni deri në vitin e parë të gjimnazit. Nëse e shohim nga këndvështrimi ekonomik, pjesa më e madhe e kostove të arsimit tim është mbuluar nga shteti i Maqedonisë së Veriut dhe jo nga Zvicra. Kur u ktheva këtu, para se të hyja në tregun e punës, ndoqa vetëm tre vite shkollë në Zvicër dhe hyra menjëherë në punë. Tek më vonë përfundova edhe studimet universitare.
Pikërisht ky është një aspekt që shpesh mungon në debatin publik. Zvicra ka përfituar prej dekadash nga ardhja e njerëzve të arsimuar dhe të aftë për punë, pa pasur nevojë të mbulojë të gjitha kostot e edukimit dhe formimit të tyre.
Për këtë arsye, mendoj se debati aktual krijon një tablo të shtrembëruar të migracionit.
Historikisht, migracioni ka ecur paralelisht me zhvillimin ekonomik të Zvicrës dhe në shumicën dërmuese të rasteve ka qenë vetëm në fitim të vendit.
Albinfo.ch: Formimi juaj profesional dhe puna me njerëz nga shtresa të ndryshme ju vendosin çdo ditë pranë realitetit të punëtorëve. Çfarë ju ka mësuar kjo për rolin real që migrantët kanë në shoqërinë zvicerane?
F. Kadriu: Është e qartë dhe askush nuk e mohon se migrantët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Zvicrës.
Ajo që më habit është fakti se shoqëria jonë e njeh dhe e vlerëson kontributin e brezave të mëparshme të migrantëve, por shpesh e ka të vështirë të shohë dhe të pranojë kontributin që migrantët japin sot.
Ne e shohim këtë çdo ditë. Kur na vjen posta në shtëpi. Kur blejmë bukë te furra e lagjes. Kur kujdesen në spital. Kur ndërtohen rrugët dhe autostradat. Kur zyrat pastrohen gjatë natës dhe janë gati për ditën e nesërme të punës.
Të gjitha këto shërbime dhe shumë të tjera mbështeten edhe në punën e mijëra migrantëve.
Prandaj më duket e pakuptueshme që ndërsa jemi mirënjohës për kontributin e brezave të kaluara, shpesh nuk tregojmë të njëjtin respekt për ata që po kontribuojnë sot.
Do të ishte zhgënjyese që nesër t’u thoshim këtyre njerëzve: mund të vini vetëm si punëtorë sezonalë, nuk mund t’i sillni familjet tuaj dhe duhet të pranoni më pak të drejta se të tjerët.
Kush mendon se kufizimi i të drejtave të kolegëve migrantë do të përmirësojë kushtet e veta të punës, gabon rëndë. Në realitet, një qasje e tillë krijon terren për dumping në paga dhe ushtron presion mbi kushtet e punës për të gjithë punëmarrësit, pa dallim origjine dhe statusi qëndrimi.
Albinfo.ch: Nëse do t’u drejtoheshit sot qytetarëve zviceranë ende të pavendosur për këtë votim, cili do të ishte mesazhi juaj?
F. Kadriu: Sigurisht që sondazhet më shqetësojnë. Por ajo që më shqetëson ende më shumë është një zhvillim që po e vërejmë prej disa kohësh. Po shohim gjithnjë e më shumë qytetarë të natyralizuar, përfshirë edhe njerëz nga komuniteti shqiptar dhe komunitete të tjera migrante, që mbështesin iniciativa të SVP-së me karakter anti-migracion dhe anti-të huaj, anti-njerëzor.
Kjo më bën të mendoj seriozisht për mënyrën se si po zhvillohen gjenerata e dytë dhe e tretë e migrantëve në Zvicër. Ndoshta ne, si sindikata dhe si forca progresive, nuk kemi bërë mjaftueshëm për t’i afruar këto gjenerata dhe për t’i përfshirë në debatet shoqërore e politike. Është një pyetje që duhet t’ia shtrojmë edhe vetes.
Megjithatë, një gjë është e qartë: askush nuk duhet të presë që kjo iniciativë do t’i zgjidhë problemet reale të njerëzve. Përkundrazi, ekziston rreziku që ajo të dobësojë mbrojtjen e pagave, të vërë në rrezik marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe marrëveshjet bilaterale, të ushtrojë presion shtesë mbi sistemin e pensioneve dhe të krijojë probleme të reja në fusha të ndryshme.
Pasojat mund të jenë shumë më serioze sesa mendojnë shumë njerëz. Dhe sinqerisht, nuk jam i sigurt nëse do të ishte e lehtë t’i korrigjonim ato më vonë.
E-Diaspora
-
Përfundon votimi në përfaqësitë diplomatike, votuan 80.85% e të regjistruarve Votimi pritet të përfundojë në orën 01:00 pas mesnate në katër përfaqësitë diplomatike në Shtetet e... -
Mos t’i mbyllim sytë kur fëmijët kanë nevojë për ndihmë -
Gjithçka gati për “She Leads 2026″, kompanitë, agjenda dhe pjesëmarrësit presin vizitorët në panairin e biznesit dhe karrierës -
Pothuajse gjysma e votuesve kanë votuar deri në mesditë në Konsullatën e Kosovës në Cyrih -
Në Berlin po vazhdon votimi fizik në Ambasadën e Kosovës
Jeta në Zvicër
-
Ruag do të montojë më pak avionë luftarakë F-35 Ruag ka mundësi që të jetë në gjendje të montojë vetëm tre avionë luftarakë në vend... -
Sistemi i ri i hyrjes çon në pritje më të gjata në aeroportet zvicerane -
Familjet e reja emigrojnë më pak nga Bazeli -
Përfundon procesi i votimit në qendrat diplomatike të Kosovës në Evropë -
Mos t’i mbyllim sytë kur fëmijët kanë nevojë për ndihmë










