Kosova

Kurti: Jemi të gatshëm për bashkëpunim me opozitën për zgjedhjen e presidentit

Kryeministri në detyrë thekson pritjen e përfundimit të numërimit të votave dhe shpreh optimizëm për formimin e institucioneve të reja

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje, së bashku me partnerët e koalicionit parazgjedhor, do të jetë bartëse e procesit të themelimit të institucioneve të legjislaturës së 11-të. Ai shprehu optimizëm për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re, përcjell albinfo.ch.

Deklaratat Kurti i bëri pas homazheve te monumenti i heroit Zahir Pajaziti, në kuadër të shënimit të 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Kosovës.

Sipas tij, procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar plotësisht, pasi numërimi i votave është ende në zhvillim. Ai theksoi se vetëm pas përmbylljes së këtij procesi mund të fillojnë bisedimet konkrete për hapat e ardhshëm institucionalë.

“Njëherë jemi ende duke pritur numërimin e votave. Pra, votat janë ende duke ardhur dhe duke u numëruar. Me rastin e përmbylljes së numërimit të votave, ne do të mund të fillojmë të bisedojmë për hapat e ardhshëm”, u shpreh Kurti.

Ai theksoi se, sipas rezultateve të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje mbetet fituese e zgjedhjeve së bashku me partnerët e saj të koalicionit, Partinë Guxo, Alternativën dhe PSHDK-në.

“Duhet ta keni parasysh atë që është evidente përsëri, që Lëvizja Vetëvendosje është fituese pa diskutueshme… dhe ne do të jemi bartës të themelimit të institucioneve të legjislaturës së 11-të”, deklaroi ai.

Kurti shprehu optimizëm se procesi i konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë do të përmbyllet me sukses.

“Unë jam optimist që gjërat do të shkojnë mbarë e mirë, edhe sa i përket konstituimit të Kuvendit, edhe sa i përket formimit të Qeverisë”, shtoi ai.

Duke folur për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, Kurti theksoi se ky proces kërkon bashkëpunim me partitë opozitare, për shkak të kërkesës kushtetuese për numrin e votave të nevojshme në Kuvend.

“Sa i përket zgjedhjes së Presidentit… kërkohet bashkëpunim me opozitën, për shkak të kërkesës së Gjykatës Kushtetuese që nevojiten 80 vota në Kuvend”, tha Kurti.

Ai shtoi se Vetëvendosje mbetet e hapur për dialog dhe bashkëpunim me partitë e tjera parlamentare, duke theksuar se kjo qasje nuk është e re.

Sipas tij, gjatë muajve të fundit janë bërë disa oferta për opozitën, përfshirë edhe mundësinë e bashkëqeverisjes me LDK-në, si dhe propozime të ndryshme për zhbllokimin institucional.

“Jemi të gatshëm, jemi të vullnetshëm… por këto oferta janë refuzuar”, u shpreh ai.

Kurti përmendi gjithashtu disa modele kompromisi të propozuara nga Vetëvendosje, përfshirë mundësinë që opozita të propozojë kandidatë për president, si dhe ide për ndarje të përgjegjësive institucionale, por sipas tij, këto iniciativa nuk janë pranuar.

“Nga ana jonë kemi qenë konstruktivë dhe aktivë. Shpresojmë që këtë qasje ta shohim edhe nga opozita”, përfundoi Kurti./Albinfo.ch