Lajme

Kriza e lindshmërisë në Evropë: çfarë tregoi eksperimenti 15-vjeçar i Hungarisë?

Hungaria është shndërruar në një nga vendet më të studiuara për politikat e nxitjes së lindshmërisë, duke zbatuar për më shumë se një dekadë një sërë masash financiare si kredi pa interes, ulje taksash dhe subvencione për çiftet që angazhoheshin të kishin fëmijë, sipas BBC.

Në fillim, këto politika sollën një rritje të lehtë të lindshmërisë, por më pas tendenca u përmbys, duke rikthyer rënien dhe duke ngritur dyshime për efektivitetin afatgjatë të tyre.

Që nga viti 2010, nën qeverinë e ish-kryeministrit Viktor Orbán, çiftet e reja kanë përfituar kredi pa interes, mbështetje për banesa, automjete më të mëdha dhe stimuj të tjerë financiarë, me kusht që të angazhoheshin për të pasur fëmijë.

Shkalla e lindshmërisë në vend u rrit nga 1.25 fëmijë për grua në vitin 2010 në 1.59 në vitin 2020, por më pas filloi të bjerë sërish, duke arritur në 1.31 në vitin 2025, vetëm pak më lart se niveli fillestar.

Sipas ekspertëve, këto politika mund të kenë nxitur kryesisht lindje të përshpejtuara që çiftet do t’i kishin realizuar gjithsesi, pa arritur të ndryshojnë prirjen afatgjatë të rënies demografike.

Demografi Tomas Sobotka thekson se faktorë si pasiguria ekonomike, konfliktet, inflacioni dhe mungesa e besimit në të ardhmen ndikojnë më shumë në vendimin për krijimin e familjes sesa stimujt financiarë.

Kritikët e modelit hungarez thonë gjithashtu se ai ka favorizuar kryesisht çiftet e martuara dhe familjet me të ardhura të qëndrueshme, ndërsa në qytetet e mëdha ndikimi i ndihmës financiare ka qenë më i kufizuar për shkak të kostos së lartë të jetesës.

Ndërkohë, studiues të ndryshëm sugjerojnë se investimet në shërbime publike si kujdesi shëndetësor, arsimi dhe çerdhet kanë efekt më të madh në rritjen e lindshmërisë sesa subvencionet direkte.

Ata theksojnë edhe rëndësinë e politikave që lehtësojnë balancën mes jetës profesionale dhe asaj familjare.

Rasti i Hungarisë shihet si një shembull që tregon se mbështetja financiare mund të sjellë rezultate afatshkurtra, por nuk mjafton për të ndryshuar trendet demografike pa reforma më të thella sociale dhe ekonomike.

Sipas të dhënave të bankës qendrore hungareze, rreth një në pesë çifte që përfituan kredi të lidhura me lindjen e fëmijëve nuk arritën të kenë fëmijë brenda afateve të përcaktuara, duke u përballur më pas me kthimin e fondeve ose penalitete shtesë.